Në bazë të pikës së tetë të rendit të ditës së mbledhjes së pestë të kryesisë së Forumit Rinor Islam – dega Kumanovë, e cila kishte të bëjë me shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Drurit, ditë kjo e cila nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë qe vendosur të jetë më 13 nëntor 2009, ditë e premte, ne si organizatë rinore joqeveritare morëm pjesë me angazhim fizik, me mbjellje fidanesh të përgatitura nga organet kompetente.
Ekipi qe i përbërë gjithë së bashku nga 15 anëtarë e aktivistë të degës së FRI-së në Kumanovë, në krye me përgjegjësin e këtij aktiviteti – Milazim Mustafa. Nisja me automjet nga qyteti i Kumanovës u bë në ora 09:15 dhe për destinacion tonin zgjodhëm kodrën "Gulak" të fshatit Sllupçan, Komuna e Kumanovës.
Mënyra e punës ishte që të të ndaheshim në grupe prej dy apo tre personash dhe të mbillen bredha e fidane të ndryshme nëpër pozicione që kishin qenë të përgatitura që më parë. Po në mënyrë të ngjashme funksionin edhe personalitete të skenës politike, intelektualë profilesh të ndryshme, nëpunës shtetërorë, punëtorë e njerëz të rëndomtë të këtij fshati dhe të rrethinës së Kumanovës, përgjithësisht.
Pas një angazhimi diku 90 minutësh, të prirë nga imami i Xhamisë së Mulla Sadikit në fshatin Sllupçan – hoxhë Azir Avdiu, u nisëm drejt kësaj xhamie për të falur namazin e xhumasë. Pasi që hoxha në fjalë mbaroi përmbajtjen e ligjëratës që kishte paraparë, ndau një pjesë në fund të kohës për të folur e për të njoftuar se është bërë aktivitet i këtillë në fshatin Sllupçan. Më pas, tregonte edhe për rëndësinë që ka ruajtja dhe mirëmbajtja e ambientit në Islam.
Arsim Jonuzi, Sekretar gjeneral i FRI-së në Kumanovë




