
Vajza e ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe njëherit bashkëshortja më e dashur e Pejgamberit, alejhi selam, u lind në vitin e katërt të Shpalljes. Emri i saj është Ajshe, ndërsa mbiemri umu Abdullah (nëna e Abdullahut), por, në përgjithësi, e thirrnin “e sinqerta”. Derisa nuk kishte fëmijë, nuk kishte as mbiemër. Në atë kohë, të kesh mbiemër ishte nder i madh dhe njerëzit gjithmonë e donin një gjë të tillë. Një ditë Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) e pyeti të Dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Tij qoftë mbi të: “O i dërgur i Allahut, gratë tjera kanë mbiemër, ndërsa unë nuk kam, andaj, të lutem, ma propozo një!". Pejgamberi, alejhi selam, i tha: “Përse nuk e merr mbiemrin umu Abdullah?". Për më tepër, Abdullahu ishte i biri i motrës së Ajshes.
Qysh nga fëmijëria, Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) ishte jashtëzakonisht inteligjente. Që kur ishte ende vajzë, ajo ishte e këndshme, gazmore dhe kishte memorje fantastike. Madje, edhe kur u bë e moshuar, i mbante në mend disa momente të fëmijërisë së saj të hershme. Kur ndodhi Shpërngulja e Pejgamberit, alejhi selam, prej Mekes në Medine, ajo i kishte jo më shumë se 9 vite, por historia tregon se shumë gjëra janë transmetuar pikërisht prej saj. Asnjë prej shokëve të Pejgamberit, alejhi selam, nuk kishte të mbledhur më shumë hadithe se ajo.
Pejgamberi, alejhi selam, dhe ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) kishin deklaruar se mes veti janë vëllezër dhe ky deklarim kishte vlerë të madhe. Martesa e Pejgamberit, alejhi selam, me bijën e tij këtë lidhje e bëri edhe më të fortë.
Pas vdekjes së Hatixhes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), gruaja e Othmanit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e pyeti Pejgamberin, alejhi selam, nëse ka dëshirë të martohet përsëri për ta larguar pikëllimin. Pejgamberi, alejhi selam, i tha asaj: “Me kë të martohem? Me ndonjë të vejë apo me të virgjër?". Ajo iu përgjigj: “Prej të dy kategorive ka. Ajsha – bija e ebu Bekrit është e virgjër dhe Seuda – bija e Zamës është e vejë!". Më vonë, Pejgamberi, alejhi selam, u martua me të dyjat. Para se Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) të martohej me të Dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Tij qoftë mbi të, ajo ishte e fejuar me një pabesimtar. Familja e të fejuarit të Ajshes, e prishën këtë fejesë nga shkaku se mendonin se pasi të martohet me Ajshen, djali i tyre do të bëhej musliman. Në atë kohë Ajsha ishte vetëm 6 vjeçare.
Pas vendosjes në Medine, Pejgamberi, alejhi selam, e dërgoi Zejd ibën Harithin dhe shërbëtorin e tij ebu Rafen për ta përcjellë Ajshen (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) për në Meke. Shoqëruesve të Ajshes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) Pejgamberi, alejhi selam, ua kishte dhënë 500 dirhemë si furnizim për atë udhëtim. Ajshen (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) e sollën në Medine pa pasur ndonjë problem gjatë rrugës, por ndryshimi i klimës ndikoi negativisht tek ajo. Ajo u sëmur dhe i ranë flokët e saj të mrekullueshme. Pasi i kaloi ajo sëmundje, ajo shtoi në peshë. Pastaj, ebu Bekri e pyeti Pejgamberin, alejhi selam: “Pse nuk e merr Ajshen në shtëpinë tënde, o i dërguar i Allahut? Ceremonia martesore tanimë është bërë e ditur!". Pejgamberi, alejhi selam, ia ktheu: “Nuk kam të holla për t’ia paguar mehrin asaj!". Kur e dëgjoi këtë ebu Bekri, i mori 500 dirhemë të tij dhe ia dha Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të! Ato të holla i mori Pejgamberi, alejhi selam, dhe ia dërgoi Ajshes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), ndërkaq, ajo erdhi te Pejgamberi, alejhi selam, në muajin sheval të vitit të parë të hixhretit.
Në kohën kur Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) u lind, shtëpia e ebu Bekrit veçmë ishte ndriçuar me dritën e Islamit dhe kjo (dritë) kishte zënë vend në zemrën e saj. Kjo dashuri (për Islamin) ishte rritur edhe më tepër atëherë kur ajo u martua me Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të! Shumë ngjarje prekëse dhe interesante i kishin ndodhur asaj. Në vijim do t’i shtjellojmë ca prej tyre:
Tregimi i parë ishte kur Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) ishte me Pejgamberin, alejhi selam, në një karvan. Kur arriti nata, e ndalën karvanin për të pushuar. Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) doli nga karvani për nevoja të veta personale dhe e humbi qaforen e saj të çmuar. Kur e kuptoi se e kishte humbur, filloi ta kërkojë. Në ndërkohë, karvani e kishte vazhduar rrugën, por Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) nuk e dinte se ai nuk ishte në vendin që e kishte lënë ajo. U mbështoll me rrobet e veta dhe priste për të ardhur dikush për ta shpëtuar. Pas pak u takua me Safvan ibën Mautalin, detyra e të cilit ishte që të qëndrojë pas karvanit dhe t’i mbledhë ato që mbetnin mbrapa. Ai kur pa Ajshen (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), i tha që të ngjitet mbi devenë e tij. Diku kah mesdita iu bashkangjitën karvanit. Ky incident i dha rast disa njerëzve që të keqkuptojnë dhe të hudhin shpifje për të. Ata hipokritë e filluan një propagandë të djallëzuar kundër Ajshes, gjegjësisht e akuzuan atë për shkelje kurore. Kjo propagandë mori përmasa të hatashme saqë Pejgamberi, alejhi selam, u detyrua që ta dërgojë Ajshen (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) tek prindërit e vet për ca kohë. Në një rast ai, alejhi selam, tha: “Nëse Ajsha është e pafajshme, Allahu i Lartësuar do ta mbrojë atë!". Kjo çështje zgjati disa ditë derisa Allahu i Lartësuar e shfajësoi Ajshen (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) nga kjo shpifje. Kjo gjendet në kaptinën e 24 – të. Kjo ndodhi kur Pejgamberi, alejhi selam, shkoi tek shtëpia e prindërve të saj. Pejgamberi, alejhi selam, i tha asaj se Allahu e kishte shfajësuar dhe ia lexoi ajetet e kaptinës së 24 – të rreth çështjes në fjalë. Nëna e Ajshes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) i tha asaj të ngritet e ta falënderojë Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Ajsha, më pastaj, ia ktheu: “Unë do ta falënderoj vetëm Allahun e Lartësuar, pasiqë Ai më shfajësoi!".
Tregimi i dytë është, gjithashtu, mjaft i rëndësishëm. Furnizmi me të mirat e kësaj bote nga ana e Pejgamberit, alejhi selam, kundrejt grave të tij ishte i pamjaftueshëm. Ushqimet që shtëpia e Pejgamberit, alejhi selam, i konsumonte përfshinin drithra, hurme etj. Gjithë bashkëshortet e Pejgamberit, alejhi selam, njëzëri u ankuan tek ai për pamjaftueshmërinë e ushqimeve. Pejgamberi, alejhi selam, në këtë rast tregoi pakënaqësi. Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i thanë bijave të tyre që ta ndalojnë turrin e tyre kundrejt Pejgamberit, alejhi selam, për ta shtypur atë në shtimin e furnizimeve ushqimore, megjithatë, bashkëshortet tjera e vazhduan atë kërkesë. Më në fund Pejgamberi, alejhi selam, vendosi që t’i ndërpresë marrëdhëniet me gratë e veta për një muaj. Ai u largua edhe nga dhoma e tyre. Me këtë rast u krijua një përzierje e madhe ndër njerëz dhe ata menduan se Pejgamberi, alejhi selam, ishte shkurorëzuar me gratë e tij. Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) kërkoi që të flasë me Pejgamberin, alejhi selam, dhe për këtë herë nuk iu plotësua dëshira. Kërkoi edhe për të dytën herë, e edhe këtë nuk arriti të takohet me të. Për të tretën herë, më në fund, Pejgamberi, alejhi selam, ia plotësoi dëshirën atij dhe e pranoi të bisedojë me të për këtë çështje. Kur hyri Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) në dhomën e tij, e pa të shtrirë në një shtrojë të pagdhendur dhe të papërshtatshme për të qëndruar në të, prej së cilës (shtrojë) Pejgamberit, alejhi selam, i kishin mbetur shenja në trupin e tij fisnik. Enët ngrënëse ishin në tokë të shpërndara prej njëra-tjetrës. Kur Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e pa këtë skenë, u pikëllua shumë dhe e pyeti: “O i dërguar i Allahut, a je shkurorëzuar me gratë e tua?". Pejgamberi, alejhi selam, iu përgjigj: “Jo!". Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) më pastaj e transmetoi këtë lajm deri tek besimtarët. Ai muaj kishte 29 ditë dhe ai, alejhi selam, u kthye prej dhomës së tij në të cilin qëndroi i izoluar. Kur u kthye tek gratë e tij, Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) ishte e para e cila u vizitua ng ai.
Tregimi i tretë ishte kur Pejgamberi, alejhi selam, i tha Ajshes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!): “Mund të më përgjigjesh në një pyetje që do ta parashtroj, por pasi të konsulltohesh me prindërit e tu!". Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) i tha: “Cila është ajo pyetje?". Pejgamberi, alejhi selam, filloi t’i lexojë ajetet: “O ti Pejgamber, thuaju grave tua: Në qoftë se e lakmoni jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj, atëherë ejani, unë po ju jap furnizimin (për lëshim) dhe po ju lëshoj ashtu si është e rrugës. E nëse e doni Allahun, të dërguarin e Tij dhe botën tjetër, atëherë të jeni të sigurta se Allahu ka përgatiur shpërblim të madh për ato prej jush që bëjnë punë të mira!". (Kur`an, 33: 28-29). Kur e dëgjoi këtë Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), tha: “O i Dërguar i Allahut, pse më duhet t’i pyes prindërit?! Unë e preferoj Allahun, të Dërguarin e Tij dhe botën e ardhme më shumë komoditetet e rëndomta!". Pejgamberi, alejhi selam, u nda i kënaqur prej përgjigjes së Ajshes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) dhe i tha që këtë pyetje do t’ua parashtrojë edhe bashkëshorteve tjera. E bëri këtë dhe secilës që ia thonte këtë pyetje, ia tregonte edhe atë që Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) e kishte thënë.
Pejgamberi, alejhi selam, ndjente dashuri të madhe për Ajshen (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) saqë kjo mund të vërtetohet me fjalët: “O Allah, nga gjërat që i kam në kontroll gjithmonë mbaj drejtësi mes tyre (e kishte për qëllim të thojë se ai mbante drejtësi mes grave të tij, pa e dalluar ndonjërën mbi tjetrën), por më fal për atë që është jashtë kontrollit tim (e kishte për qëllim të prononcojë se Ajshen e dashuronte më shumë)!".
Një herë tjetër, Amër ibën el-Asi i tha: “O i Dërguar i Allahut, kë e do më së shumti (prej bashkëshortëve)?". Pejgamberi, alejhi selam, iu përgjigj: “Ajshen!". Amër ibën el-Asi përsëri e pyeti duke i thënë: “Ndërkaq, kë e do më së shumti prej meshkujve?". Pejgamberi, alejhi selam, iu përgjigj: “Ebu Bekrin!". Njëashtu, edhe Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) ndjente po aq dashuri për Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të!". Ndodhte që Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) zgjohej gjatë natës dhe nëse nuk e gjente Pejgamberin, alejhi selam, pranë saj, turbullohej. Një natë, ajo nuk e gjeti Pejgamberin, alejhi selam, në shtrat kur i doli gjumi në mesin e natës. Filloi ta kërkojë andej e këndej dhe mendoi se mos vallë kishte shkuar te njëra nga gratë tjera, mirëpo, e gjeti atë duke u falë. U turpërua nga ky akt dhe tha: “Prindërit e mi t’u bëfshin kurban! Unë po mendoja për diçka tjetër, e ti paske qenë i zënë në një punë tjetër!".
Dashuria e saj për Pejgamberin, alejhi selam, mund të matet edhe duke u bazuar në faktin që petku në të cilin Pejgamberi, alejhi selam, kishte vdekur, më pastaj u ruajt nga Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) në një vend të sigurt.
Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) ishte tetëmbëdhjetë vjeçare kur Pejgamberi, alejhi selam, ndërroi jetë. Ai qëndroi 13 ditë i sëmurë. Gjatë kësaj periudhe, ai qëndroi 8 ditë me Ajshen (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), ndërsa me gratë tjera qëndroi 5 ditë. Ai poashtu vdiq në dhomën e Ajshes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj! Pas vdekjes së Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ajo jetoi edhe 48 vite si e vejë.
Dy vite më vonë, ebu Bekri – prijësi i parë i muslimanëve, iu bashkëngjit Pejgamberit, alejhi selam, në Parajsë, kështuqë, Ajsha krahas asaj që ishte e vejë, tani kishte mbetur edhe jetime. Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) u varros afër Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të! Në atë kohë, ajo i kishte vetëm 20 vjet. Pas tij, prijës u zgjedh Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe më këtë rast ai miratoi nga një shumë prej 10.000 dirhemë për bashkëshortet e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kurse për Ajshen (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) i miratoi 12.000 dirhem. Në sqarim të kësaj ai tha se me vetë faktin që Ajsha ishte më e dashura për Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ajo edhe meriton më shumë.
Në kohën kur Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ishte për të vdekur, e dërgoi birin e tij tek Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) me kërkesë që t’i japë leje atij për t’u varrosur pranë Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të! Ajsha i tha: “E pata zgjedhur atë vend për vete, por do ta bëj atë për Omerin!".
Edhepse Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) i kishte dhënë leje Omerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) që të varrosej pranë Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, prapë se prapë, Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) në testamentin e tij i kishte thënë birit të tij: “Dërgoje kufomën time tek dera e Ajshes, nëse pranon që të varrosem aty – mirë, përndryshe dërgomë aty ku janë varrezat e muslimanëve!".
Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) e lejoi që të varrosej në atë vend ku ishin marrë vesh me Omerin r.a. para se ai të vdiste, kështuqë u varros dhe tani Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) u varrosën në të njëjtën dhomë (vend). Ky akt e argumenton shpirtgjerësinë dhe natyrën e saj të mirë.
Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) ishte e dobët gjatë kohës kur ishte më e re, por më vonë pati shtuar në peshë. Kishte një çehre të çelur dhe ishte femër shumë e bukur. Veshja e saj e preferuar ishte këmisha e kuqe dhe fustani (mbështjellësja) e zezë. Ajo ishte e kënaqur edhepse në jetën e saj e ka pasur vetëm atë fustan të cilin e ka larë dhe e ka mbajtur... Ajo ishte një ndjekëse e vërtetë e Sheriatit. I këshillonte fëmijët për të bërë punë të mira dhe i këshillonte për të qenë modestë e të druajtur. Ajo, gjithashtu, i qëndronte rreptë edhe mbulesës.
Një ditë Is-haku, i cili ishte i verbër, erdhi për ta vizituar, kurse ajo e mbështolli veten me një mbështjellëse. Kur e kuptoi këtë Is-haku i tha: “Përse mbështjellesh nga unë, kur nuk mund të të shoh?". Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) pa hezitim iu përgjigj: “Unë të shoh, nëse ti nuk mund të më shohësh!". Ajo asnjëherë nuk qe lakmitare dhe gjithmonë i bënte ballë jetës së vështirë që e kishte. Transmetohet se një herë ka thënë: “Pas vdekjes së Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, asnjëherë nuk u ngopa, e kurdoherë që e bëja këtë, më rridhnin lotët!". Kur u pyet për shkakun, ajo tha: “Bëja kështu, sepse e dija që Pejgamberi, alejhi selam, deri në vdekjen e tij nuk kishte ushqim të mjaftueshëm për të ngrënë!".
Dashuria e saj ndaj Pejgamberit, alejhi selam, mund të parafytyrohet në shtjellim të edhe një ngjarjeje tjetër. Njëherë ajo u grind me Abdullah ibën Zubejrin dhe u betua se asnjëherë më nuk do t’i flasë atij. Abdullahu u pendua dhe i kërkoi falje. Familjarët nga nëna e Pejgamberit, alejhi selam, iu lutën asaj që ta pranojë faljen e Abdullahut. Në këtë rast ajo qau dhe tha: “Ju jeni familjarët e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, andaj i nënshtrohem kësaj këshille!". Kjo nënkupton shkelje të betimit të saj, kështuqë, i liroi 40 robër si kefaret (shpagim në rast të shkeljes së betimit).
Njëherë Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) po agjëronte dhe kishte vetëm një copë buke për të bërë iftar. Një lypës erdhi tek ajo dhe i kërkoi diçka për t’i dhënë. Ajo ia dha atë copë buke të vetme, ndërsa ajo pastaj bëri iftar me ujë.
Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) falte shumë. Ajo nuk kishte aspak armiqësi madje as edhe ndaj armiqve të vet. Vëllau i saj Muhamed ibën Ebu Bekri ishte vrarë nga Muavija – djali i Hatixhës, por ajo ia fali atij.
Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) tregonte vëmendje përkatëse për çdo person. Njëherë erdhi një lypës dhe ajo i tha të shkojë. Një ditë tjetër erdhi një udhëtar i veshur mirë dhe i tha se ishte i uritur. Ajo i ofroi ushqim dhe ujë. Njerëzve nuk u pëlqeu ky ndryshim sjelljesh. Ajo, më pastaj, në sqarim të këtij qëndrimi tha: “Pejgamberi, alejhi selam, pati thënë se njerëzit duhet trajtuar në bazë të rangut dhe meritave të tyre!".
Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) ishte zemërgjerë dhe e mëshirshme. Njëherë ebu Zubejri i dërgoi asaj 100.000 dirhemë si dhuratë. Atë ditë ajo po agjëronte. Paratë që i mori nga ebu Zubejri, menjëherë ua shpërndau të varfërve. Në mbrëmje, në kohën e iftarit, shërbëtorja e saj i tha: “Oj nënë e besimtarëve! Pse nuk i ruajte të paktën disa të holla për të blerë pak ushqim për iftarin tënd?". Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) iu përgjigj: “Përse nuk ma kujtove në atë kohë? {d.m.th atëbotë nuk ka menduar për vete, por e ka parë të arsyeshme që ato të holla menjëherë t’ua shpërndajë të varfërve (sh.p.)}.
Në luftën e Hendekut ishin të rrethuar nga të gjitha anët prej pabesimtarëve. Rreziku prej sabotimit nga ana e çifutëve të Medines ishte, gjithashtu, i pashmangshëm, por ajo e vështronte terenin e hendekut edhe atë pa pasur pikë frike. Përveç kësaj, edhe në luftën e Uhudit ajo i pajiste ushtarët me ujë dhe i mjekonte të plagosurit.
Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) posedonte shumë virtyte të mira. Si rezultat i këtyre virtyteve, ajo konsiderohej si njeriu më i mirë prej shoqëruesve të Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të! Ajo dallohej për dituri, inteligjencë dhe miqësi të ngushtë me Pejgamberin, alejhi selam, edhe atë më shumë se çdokush tjetër, përveç babait të saj (ebu Bekrit). Historia njeh shumë ngjarje që e argumentojnë superioritetin e saj ndaj të tjerëve.
Një ditë të pranishmëve u tha: “Unë kam 10 cilësi, të cilat më japin përparësi ndaj grave tjera të Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, edhe atë:
1) Unë jam femra e vetme që jam martuar për Pejgamberin, alejhi selam, si e virgjër.
2) Unë jam e vetmja, që të dy prindërit i kam pasur prej migruesve për shkak të Islamit.
3) Unë isha ajo që Allahu i Lartësuar drejtpërsëdrejti më justifikoi dhe e dëshmoi pafajësinë time kur unë isha e akuzuar për diçka të pabërë nga unë.
4) Unë u zgjodha prej Xhibrilit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) që të personifikohesha nga ai dhe ai (Xhibrili a.s.) në atë formë, shkoi te Pejgamberi, alejhi selam, dhe i propozoi që të martohet me mua.
5) Unë, shpesh qëndroja para Pejgamberit, alejhi selam, kur ai falte namaz.
6) Unë isha në prani të Pejgamberit, alejhi selam, kur atij i vinte Shpallja.
7) Unë, për dallim nga të tjerat, lahesha së bashku me Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të!
8) Unë isha e fundit që do të vizitohesha nga Pejgamberi, alejhi selam, para se ai të ndërronte jetë.
9) Unë isha ajo që e mbajta trupin e Pejgamberit, alejhi selam, në gjoksin tim, kur shpirti i tij tanimë i kishte dalë prej trupit.
10) Unë u nderova që kufoma e Pejgamberit, alejhi selam, të jetë e varrosur në dhomën time.
Ka shumë hadithe të Pejgamberit, alejhi selam, dhe libra të shumta që vërtetojnë se s’ka pasur asnjë grua të Pejgamberit, alejhi selam, me aq shumë virtyte sa Ajsha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj! Pejgamberi, alejhi selam, pati thënë: “Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) është superiore ndaj grave tjera sikurqë tharidi (një lloj gjelle që bëhet në Arabi) që është superior ndaj ushqimeve të tjera!".
Një njeri prej gjeneratës pas Pejgamberit, alejhi selam, ka thënë: “I kam parë shumë shokë të Pejgamberit, alejhi selam, që e pyesnin Ajshen (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) për çështje të rëndësishme të fesë!".
Imam Zuhri thoshte: “Dituria e Ajshes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) është më e mirë sesa gjithë dituria e akumuluar e tërë grave të Pejgamberit, alejhi selam, dhe e tërë muslimanëve të tjerë!". Një herë ebu Musa Ehrari pati thënë: “Ne, që ishim në prani të Pejgamberit, alejhi selam, vetëm një herë, asnjëherë nuk hezitonim ta pyesnim Ajshen (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) për çështje fetare dhe ajo me përpikëri na jepte përgjigje dhe na udhëzonte!".
Urve ibën Zubejri thoshte: “Ajo ishte superiore në logjikën fetare, në medicinë dhe në poezi. Ajo kishte memorje të mrekullueshme.
Ebu Selma ibën Abdurrahman ibën Auf thoshte: “S’kam parë dijetar më të mirë të Sunnetit të Pejgamberit, alejhi selam, sesa Ajsha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj! Ajo dinte t’i interpretojë ajetet kur’anore në mënyrë shumë të mirë!".
Një citat i ‘Ata ibën Rebah thotë: “Ajsha ishte teologe e mrekullueshme dhe mendimtare e shquar!".
Një herë Muavija (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) kishte pyetur: “Kush është teologu më i madh i kohës sonë?". Të pranishmit i thanë: “Ti je ai o i nderuar!". Muavija (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), pastaj, i tha: “A mund të betoheni për këtë që po e thoni?". Njëri prej tyre tha: “Jo, (nuk mund të betohemi) pasi nuk është askush më i mirë sesa Ajsha!".
Padyshim që Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) ishte bashkëshortja më e dashur te Pejgamberi, alejhi selam, dhe ajo u mundua që të përfitojë sa më shumë dituri dhe udhëzim prej tij. Kishte edhe të tjera (gra të Pejgamberit, alejhi selam,) që kishin afërsi të ngjajshme me Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, por asnjëra prej tyre nuk mundte t’i interpretojë gjërat më mirë se ajo. Ajo mundej të depërtonte në thellësinë e problemeve aty për aty, përderisa të tjerët nuk mundnin ta bënin këtë gjë.
Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) kishte një logjikë të thellë. Është i njohur mendimi që njerëzit sa më të aftë të jenë në aspektin mendor, janë më të prirur për ateizëm e mosbesim dhe si rezultat i racionalizimit të çdo problemi, ata bëhen pre e teorive të ndryshme botërore. Megjithkëtë, edhepse Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) ishte një person me intelekt të rrallë, ishte që më së shumti dituri në jurisprudencën islame dhe më së shumti ishte që kultivonte dashuri për Islamin. Koncepti i ndotur për Islamin që mbretëronte në atë kohë në Arabinë Saudite, ishte i përmbushur me paragjykime të fëlliqta. Njerëzit e thjeshtë mbanin hajmali për t’u mbrojtur prej belave dhe për t’i zgjidhur problemet. Gratë e asaj kohe me zell i praktikonin këto punë. Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) i urrente paragjykimet, duke u bazuar në atë se vetëm Allahu i Lartësur ka të drejtë ta dënojë apo ta shpërblejë dikë. Ajo luftonte papërkulshëm kundrejt këtyre ligësive shoqërore. Një herë ajo e pa një brisk rroje pranë shtratit të një fëmije. U hidhërua shumë dhe e ndaloi atë duke thënë: “Pejgamberi, alejhi selam, ishte kundër të gjitha hajmalive!".
Kjo ngjarje i jep hov për ecje përpara orientimit përparues të Islamit. Vetëm injorantët bëhen pre e këtyre paragjykimeve, pasi këto paragjykime muslimanin e çojnë madje deri në mosbesim. Muslimani i vërtetë beson se çdo e mirë apo e keqe që vjen, mund të ndodhë vetëm me lejen e Allahut të Lartësuar. Gratë duhet të jenë më të kujdesshmet dhe nuk duhet t’u dorëzohen këtyrë ligësive.
Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) ka transmetuar më tepër se 2250 hadithe. Jeta e saj zgjati 63 vite. Gjatë jetës së saj nuk është shënuar dikund që ajo ka bërë ndonjë lajkë. I urrente lajkat dhe lajkatarët. Në kohën kur ishte e sëmurë nga sëmundja e fundit (prej së cilës edhe ndërroi jetë), Abdullah ibën Abasi kërkoi leje nga ajo që ta vizitojë, por ajo refuzoi, sepse e dinte që ai do ta lavdërojë atë. Me insistim të nipave të saj, ajo e lejoi Andullahun për ta vizituar. Me të hyrë Abdullahu në shtëpi të saj, ia filloi të thojë lëvdata, e ajo i tha: “O ibën Abas, më lër të qetë dhe mos u mundo të bësh kësi punë! Betohem në Allahun se më shumë kisha dashur që të kisha qenë gur!".
Madhështia e Ajshes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) mund të njihet nga fakti se çdoherë kur dikush e vizitonte gjatë sëmundjeve fatale të saj, ajo thoshte: “Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, mirë po ndjehem!".
Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) ndërroi jetë gjatë udhëheqjes së Muavijës, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, në muajin Ramazan. Atë natë fenerë të panumërueshëm ishin të ndezur në qytetin e Medines dhe kishte tepër gra nëpër rrugë. Një i huaj e pyeti Ubejd ibën Kumejrin: “Kush është lënduar me vdekjen e Ajshes?". Ai iu përgjigj: “Gjithë ata që e konsiderojnë atë nënë! E ajo ishte nënë e gjithë besimtarëve!". Në testamentin që e kishte lënë, kishte thënë se dëshironte të varrosej në atë natë që kishte vdekur, kështuqë, atë natë, menjëherë pasi vdiq, u varros. Ebu Hurejra ishte ai që ia fali namazin e xhenazes, ndërsa Abdullah ibën Muhammed ibën Abdurrahmani dhe Abdullah ibën Abdurrahmani e lëshuan trupin e saj në varr. Allahu qoftë i kënaqur prej Ajshes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) dhe na bashkoftë neve me të në Xhennetul Firdews!
Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 08.07.2007
Burimi: http://www.prophetmuhammadforall.org/webfiles/downloads/wives/HAyesha.pdf

0 komente:
Post a Comment