
Marrë në përgjithësi, person i madh është ai i cili ka arsimim të lartë, ai i cili ka pasuri të madhe, ai i cili ka zyre të veçantë, ai i cili posedon ndonjë autoritet të lartë e kështu me radhë. Ndërkaq, në Islam, arsimimi i lartë, raca, pasuria, familja e autoriteti i madh nuk janë argumente për fisnikëri dhe madhështi. Në Islam, më fisnik dhe më i madh konsiderohet ai i cili është më besimtar. Me besim (devotshmëri) këtu nënkuptojmë frikën që duhet poseduar në rast kur nuk i bindemi Allahut të Lartësuar. Ky pohim nuk është vetëm se një e thënë teorike, por duhet plotësuar edhe anën praktike. Në një kohë kishte aso njerëz të cilët nuk dinin as të lexonin e as të shkruanin, as që ishin të parët e fisit të tyre, as që kishin pasuri të shumtë e as që kishin zyre të veçantë, as që posedonin ndonjë autoritet në bashkësinë e tyre ku jetonin, por ata kishin besim të fortë. Për këtë shkak ata gëzonin pozita të larta në Islam.
Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) është shembull mjaft i afërt me kriteret e sipërcekura të respektit dhe nderit. Ai kishte ngjyrë të zezë. Nuk kishte as pasuri, as zyre e as autoritet, por, thjesht, ishte skllav. Një i tillë nuk kishte ndonjë pozitë në shoqëri. Shitej e blehej sikur të ishte artikull i thjeshtë ushqimor. Kafshët mund të iknin dhe kështu shpëtohej jeta e tyre, ndërkaq, skllavi as që guxonte të bënte një hap për të ikur, ngase do të zihej menjëherë dhe do të duronte goditje nga shkaku i tentimit për ikje.
Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ende ishte skllav kur nëpër rrugët e Mekes filloi të jehojë Fjala e Njëshmërisë së Allahut. Pejgamberi, alejhi selam, bëri thirrje që të gjithë njerëzit të liroheshin nga çdo lloj i skllavërisë. Konkretisht, ai u tha: “Robëria është vetëm kundrejt Allahut. Ai na ka krijuar. Na ka favorizuar me ushqim dhe pije. Na ka pajisur me të gjitha gjërat e nevojshme për jetë. Prandaj, Zotëriu ynë i Vërtetë është vetëm Ai. E gjithë ajo që përputhet me Testamentin e Allahut të Lartësuar është e drejtë. Nëse dëshirat tona janë të nënshtruara ndaj urdhrave të Fuqiplotit, ato meritojnë të zbatohen, përndryshe jo. Nëse traditat dhe adetet tona janë të drejtuara nga Testamenti i Tij, ato janë ta kapshme, përndryshe janë të pavlera. Nëse rregullat që një qenie njerëzore i vë ndaj një qenieje njerëzore tjetër janë në pajtueshmëri me rregullat që i ka vënë Allahu i Lartësuar, atyre (rregullvënësve) bën t’i bindemi, përndryshe jo!".
Ky predikim i Pejgamberit, alejhi selam, ishte aq i qartë e i thjeshtë saqë të gjithë e kuptuan, të vegjëlit e të mëdhenjtë, të bardhët e të zinjtë, të pasurit e të varfërit... Mirëpo, kush ta miratojë?! Disa që kishin një shkëndijë të vogël humaniteti në shpirtin e tyre, pasi e dëgjuan këtë thirrje, filluan të qajnë dhe thanë: “Muhammedi e flet të vërtetën, andaj, gjithçka që thotë ai është mesazh nga Allahu!". Në anën tjetër, disa që ishin krenarë me vetveten e tyre dhe që kishin mentalitet kapitalist e që duart e të cilëve e kishin në dorë autoritetin e njerëzve që i kishin në pronë, nuk mundën ta durojnë këtë zë. Ata përfytyronin në vetvete që nëse do të themelohej ndonjë rend i ri shoqëror, kishte shanse që privilegji për t’i sunduar të tjerët mund t’u merrej. Ata, gjithashtu, skiconin plane me tërë autoritetin dhe fuqinë e tyre për ta shpartalluar atë thirrje që ua bëri Pejgamberi, alejhi selam, e që këtyre ua thumboi veshët. Rrjedhimisht, shumica mbaheshin në distancë nga kjo thirrje. Përndryshe, kush provonte të bëhej pjesë e saj, do të torturohej, do të rrihej, do të burgosej, do të shijonte uri të gjatë e kështu me radhë. Babai ia kthente mendjen birit, vëllai e frenonte vëllanë, daja e pengonte nipin, zotëriu e shtrëngonte robin e vet për ta dëgjuar atë për të cilën Pejgamberi, alejhi selam, derdhte djersë. Megjithkëto, babai mund të sillej në mënyrë të butë me birin, ashtu edhe vëllai me vëllanë e edhe daja me nipin, por zotëriut nuk i dhimbsej aspak robi që e posedonte. Kështuqë, kësaj shtrese të njerëzve (skllevërve) as që u shkonte ndërmend të revoltohen.
Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ishte skllavi i Umeje ibën Halefit – njeriut më të vrazhdë të Mekes. Ai (Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)) me të dëgjuar ato fjalë të Pejgamberit, alejhi selam, nuk mundi të përmbahej pa qarë dhe me ngashërim tha: “Dëshmoj se s’ka zot tjetër pos Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi është i dërguari i Tij!". Mirëpo, si mundet që Umeje ibën Halefi të tolerojë që robi i tij t’i përkulet një Zoti? Si pasojë, Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e pagoi rëndë këtë. Ai e torturoi atë (Bilalin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)) aq shumë saqë nëse detalizohen ato tortura, shkaktohet rrënqethje. E kapi, pra, dhe e shtriu në rërën përvëluese e pastaj edhe në qymyr të ndezur. Me një gajtan e përqarkoi qafën e ndershme të Bilalit, ndërkaq ky i fundit, edhe në ato momente thoshte: “Ehad, Ehad!". Pas një kohe, pasi e tejkaloi edhe një torturë tjetër duke ia kthyer kokën mbrapsht e në shpinë ia vuri një gur të rëndë, iu afrua tek veshi dhe i tha: “A është koha tani ta braktisësh Zotin e Muhammedit?"., duke menduar se tani pas gjithë këtyre mundimeve mizore që ia kishte bërë, do të tërhiqej. Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) edhepse paksa e kishte humbur vetëdijen nga torturat, shqiptonte “Ehad, Ehad!". Ky njeri mizor e shihte se nuk kishte mundësi ta bindë këtë njeri të devotshëm, megjithatë, nuk dorëzohej në aksionin e vet. Shpikte forma edhe më neveritëse... Paramendoni, tërë këto i bënte vetëm se për ta shtrënguar Bilalin të thojë se i adhuroj Latin e Uzanë, në vend të Zotit të Muhammedit.
Sikur ato lëndime që i duronte Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) të drejtoheshin kah gurët, do t’u prishej forma. Vetëm pamja të shkaktonte dridhje tërëtrupore, e të mos flasim t’i përjetosh ato vetë! Madje, edhe pabesimtarëve të Mekes filloi t’u dhimbsej Bilali e i thanë: “O Bilal, sikur t’i kishe përsëritur fjalët që i themi ne, do ta kishim detyruar zotëriun tënd të t’i ndërpresë torturat”, por muezini i mëvonshëm u tha: “Gjuha ime s’mund t’i përsërisë ato fjalë që thoni ju!".
Kur Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e vërtetoi këmbëngulësinë dhe durimin e tij, Allahu i Plotëfuqishëm e largoi nga kjo gjendje. Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ishte njeri shumë i këndshëm, madje një prej më të dalluarve të Mekes. Edhepse ishte i pasur, ai nuk kishte mentalitet të kapitalistit. Ai veçmë e pati përqafuar Islamin. Ai ishte duke kaluar rrugës kur befasisht i dëgjoi klithmat e Bilalit. Kur e pa se në ç’gjendje ndodhej ai, shkoi t’i ofrojë ndihmë. E bëri një marrëveshje me zotëriun e tij që ta blejë. E bleu atë, porse kushti i vetëm ishte që të japë një shumë të madhe të hollash.
Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e liroi Bilalin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) për atë moment, porse ky i fundit nuk u kursye që të jetë pjesë e persekutimeve të tërë bashkësisë islame. Sidoqoftë, Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) shpëtoi nga qymyri i ndezur enkas për të e, sa i përket torturave të përgjithshme të muslimanëve, ato (muslimanët) më vonë do të marrin urdhër nga udhërrëfyesi i tyre (Muhammedi, alejhi selam) të shpërngulen prej Mekes në Medine, vetëm për hir të Allahut, duke mos marrë asgjë me vete.
Kur arritën në Medine, puna e parë që e bëri Pejgamberi, alejhi selam, ishte vëllazërimi i vendasve me të ardhurit. Ndër tjerash, Bilalin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e vëllazëroi me Abdullah ibën Revejhën. Mes këtyre ishte lidhur një dashuri vëllazërore shumë e fortë. Në kohën kur Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) udhëheqte me muslimanët, Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ishte dërguar në një ekspeditë në Siri. Duke ecur i vjen dikush dhe e pyet: “Kush do ta marrë pagën tënde (pasiqë ti nuk do të jesh këtu)?". Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) duke bërë me gisht për kah Abdullah ibën Revejha, tha: “Ai, ngase lidhja që është bërë mes nesh nga i Dërguari i Allahut asnjëherë nuk do të prishet!".
Gjithashtu, prej punëve të para që Muhammedi, alejhi selam, i filloi me gjithë muslimanët ishte edhe ndërtimi i xhamisë. Bilalit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i ishte dorëzuar detyra për të thirrë ezan pesë herë në ditë. Kështu, gjuha që refuzonte të lëvizë për të respektuar idhuj, tani erdhi koha të lëvizë për fjalë hyjnore. Allahu i Lartësuar qe bujar që ia mundësoi Bilalit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) të ketë zë të lartë dhe melodik. Ata të cilët nuk e kishin shijuar ëmbëlsinë e Islamit, magjepseshin kur e dëgjonin Bilalin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) duke e thirrë ezanin me atë zë të këndshëm. Burrat e linin punën e tyre, gratë dilnin nga shtëpitë e tyre, fëmijët e ndalonin lozjen – të gjithë këta për t’u mbledhur në xhami e për të qëndruar krah për krahu për ta adhuruar Allahun e Lartësuar.
Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) nuk ishte vetëm se muezin i Pejgamberit, alejhi selam, por edhe shok i ngushtë e besnik i tij. Ai thuajse gjithmonë ishte me Pejgamberin, paqja qoftë mbi të, madje kur ecnin bashkë, Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ecte me ritëm pak më të shpejtë se Pejgamberi, alejhi selam e, përveç kësaj, e mbante edhe një shtizë në dorë (në rast të ndonjë sulmi që ndokush mund ta bënte mbi Pejgamberin, alejhi selam (sh.p.)). Kur Pejgamberi, alejhi selam, hyri në Qabe, pas çlirimit të Mekes, Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e gëzonte privilegjin për ta shoqëruar atë. Ai gjithashtu i mbikëqyrte edhe punët shtëpiake të Pejgamberit, paqja qoftë mbi të. Gjithmonë ishte me të (Pejgamberin, alejhi selam) në ekspeditat ushtarake. Vetë ai ishte që në luftën e Bedrit e mbyti Umeje ibën Halefin – një prej armiqve më të mëdhenj të Islamit e njëkohësisht edhe torturuesin e tij të dikurshëm. Ai tërë jetën e tij i ndoqi hapat e të Dërguarit tonë. Me kalimin e kohës ai gradohej në shkalla të larta në aradhat e shoqërisë dhe, si rrjedhojë, shumë familje të ngritura e të ndershme donin ta jepnin vajzën e tyre për Bilalin e ndershëm. Ai zgjodhi të martohet me një vajzë prej familjes së ebu Derdasë (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe vetë Pejgamberi, alejhi selam, mori pjesë në atë ceremoni. E tërë familja (e vajzës) ishte krenare që kishin lidhur miqësi bashkëshortore me Bilalin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili për nga lëkura ishte i zi, për nga pasuria ishte i varfër, megjithatë, për nga këmbëngulësia ishte i ngurrtë si metali.
Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ndjente kënaqësi të madhe duke ia dhënë vetveten Allahut dhe duke iu bindur të Dërguarit të Tij. E ky i fundit kurrë nuk ia prishte qejfin Bilalit. Një ditë, Pejgamberi, alejhi selam, duke ecur me muslimanët tjerë, erdhi nata. Bilalit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i pëlqeu një vend ku do të mundnin ta kalonin dhe i propozoi Pejgamberit, alejhi selam, të ndalen dhe të pushojnë në atë vend. Pejgamberi, alejhi selam, tha: “Kam frikë se do të na kaplojë ndonjë gjumë i rëndë dhe nuk do të mundemi të zgjohemi për ta falë namazin e sabahut”. Megjithatë, Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) kishte vetëbesim të madh në vetvete se mundet të zgjohet në çdo pjesë të natës. Kështu, ai e mori përgjegjësinë për t’i zgjuar edhe të tjerët. Kur ata i kapi gjumi, Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) filloi të falet, por, papritmas, edhe atë e kaploi gjumi. Pas do kohe, atë dhe të tjerët i zgjoi Pejgamberi, alejhi selam, dhe iu drejtua atij: “O Bilal, si është puna me përgjegjësinë që e more përmbi vete?". Ai ia ktheu: “O i Dërguari i Allahut, asnjëherë më parë nuk kam qenë neglizhent ndaj detyrës sime!". Pas kësaj, Pejgamberi, alejhi selam, i tha: “S’ka dilemë se është ashtu! E tash thirre ezanin, kështuqë, të mbledhen njerëzit për ta falë namazin e sabahut!". Kjo tregon se çfarë pozite gëzonte Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) te Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ndërsa në vijim vlen të ceket edhe pozita e tij tek halifet e parë.
Udhëheqësi i parë i muslimanëve – ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) asnjëherë nuk qëndronte mënjanë nga Bilali, Allahu qoftë gjithmonë i kënaqur nga ai. Një ditë, ai i tha ebu Bekrit: “E kam dëgjuar Pejgamberin, alejhi selam, të thojë se gjëja më e mirë që mund ta bëjë një musliman është të luftojë në rrugë të Allahut!”. Kështuqë, unë dëshiroj që tërë pjesa tjetër e jetës sime të jetë në luftë në rrugë të Tij. Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ia ktheu: “O Bilal, pash Allahun a do të më lësh vetë në këtë moshë timen të vjetër?". Kur i dëgjoi ai këto fjalë, iu desh të insistojë më tepër.
Kur Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) u zgjodh halif, Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) përsëri kërkonte leje për të shkuar në xhihad. Edhe ky dëshironte ta ndalë Bilalin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) për të shkuar, por nuk arriti ta bindë për të qëndruar në Medine. Kështu, Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) iu bashkua turmës që nisej në ekspeditë për në Siri. Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thoshte: “Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) më parë ishte udhëheqësi ynë dhe ai e ka lejuar këtë (Bilalin) të shkojë në xhihad.
Një herë, gjithashtu, në kohën kur Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ishte udhëheqës, ai (Omeri) ishte ulur me besimtarët tjerë dhe po bisedonin. Tema e asaj bisede ishte që çdo i pranishëm të thojë se cila ishte dëshira më e madhe e secilit njeri për vete. Njëri prej tyre tha: “Kam dëshirë që Allahu i Lartësuar të më dhurojë ar sa kodra e Uhudit, kështuqë, të jap prej asaj sasie ne emër të Tij dhe ta arrij kënaqësinë e Tij!”. Një tjetër tha: “Dëshira ime është që të kem disa robëresha e të gjitha këto t’i liroj, kështuqë, ta arrij kënaqësinë e Allahut të Lartësuar!”. Disa të tjerë njëzëri thonin se dëshironin të vdisnin si martirë e të fitojnë shtëpi në kopshtet e pafundme të Xhennetit. Kur i erdhi radha vetë Omerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) të shprehet, ai tha: “Unë dëshiroj që Allahu gjithmonë ta mbushë këtë shtëpi me njerëz si Bilali, Selman el-Farisiu, Kubabi e Suhejbi e unë të jem afër tyre!". Kjo tregon se çfarë respekti gëzonte Bilali në sytë e Omerit, i Larti qoftë i kënaqur me të dytë.
Çdo këshilltar që propozohej nga Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) si për Pejgamberin, alejhi selam, ashtu edhe për dy halifët e parë (meqë në atë kohë ka vdekur, e nuk e ka arritur të tretin), pranohej pa e bërë mendjen dysh. Ai njëherë kishte kërkuar që një i/e devotshëm/shme nga një shtresë e ulët të martohet me një anëtar/e të një familjeje me pozitë të lartë në Medine dhe kjo kërkesë ishte pranuar (nuk është cekur as e emri e as gjinia e asnjërit (sh.p.)). Ai nuk jepte mësime rreth çështjeve të fesë. Ai thoshte: “Unë jam vetëm një zezak, që deri vonë kam qenë skllav i thjeshtë”. “O njerëzit e mi”, – porosiste ai, – “besojeni Allahun e të Dërguarin e Tij, merrni pjesë në xhihad dhe kryejeni haxhin si duhet!".
Pak para vdekjes ai e kishte parë në ëndërr Pejgamberin, alejhi selam, e ky i fundit duke i thënë: “O Bilal! Edhe sa do të jesh në këtë jetë kaluese? Edhe sa ka mbetur që të takohemi përsëri?". Kur ishte zgjuar, kishte përjetuar emocione të mëdha nga ajo ëndërr. Ai kishte jetuar në një qytet të Sirisë. Në periudhën e fundit të jetës së tij kishte shkur në Medine. Kishte dashur të shohë se a janë marrëdhëniet mes muslimanëve të mira dhe ashtu kishin qenë. Përfundimisht, vdiq në Damask dhe aty u varros.
Allahu i Lartësuar qoftë i kënaqur me Bilalin, me pjesëtarët e lutjes së Omerit si dhe me gjithë muslimanët e mëparshëm e të tanishëm kudo që janë në botë që dëshmojnë se s’ka zot tjetër përveç të Lartësuarit!
Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 26.08.2007
Burimi: http://www.prophetmuhammadforall.org/webfiles/downloads/english/BILAL.pdf

0 komente:
Post a Comment