
Pyetje: Kam vërjetur kohëve të fundit se është një trend që të rinjve, në mënyra të ndryshme u bëhet thirrje për t’u shmangur nga të qenët i martuar, duke i frikësuar ata se çfarë përgjegjësi do të mbajnë në supet e tyre e, përveç kësaj, hedhin dyshim mbi vetë institucionin e martesës. A thua, vallë, a ka ndonjë mënyrë t’i hedhim poshtë këto të thëna?
Përgjigjja: Falënderimi dhe lavdërimi i takon vetëm Allahut të Madhëruar. Paqja, bekimet dhe begatitë qofshin mbi të dërguarin e fundit – Muhammedin, alejhi selam, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi gjithë ata muslimanë të sinqertë që shkojnë pas rrugës së tij deri në Ditën e Gjykimit!
Martesa në Islam nënkupton plotësim të nevojave të shumta, si: qetësinë shpirtërore e trupore si dhe bashkëpunimin mes bashkëshortëve për ta përmbushur urdhërin hyjnor. Islami, si mënyrë e të jetuarit, i përfshin të gjitha instiktet njerëzore si atë fizik, shpirtëror, intelektual, emocional e kështu me radhë.
Përmbushja e nevojave fizike si duhet (në mënyrë të ligjshme) është një nga synimet kryesore të martesës, megjithatë, nuk është i vetmi (synim). Duke u bazuar në argumentin e qartë kur`anor, konkludojmë se qetësia (shpirtërore) dhe paqja përmes një bashkimi (martese) të suksesshëm janë prej objektivave primare të martesës: “Nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë!" (Kur`an, 30: 21).
Në një vend tjetër, Allahu i Madhëruar i referohet lidhjes mes meshkujve dhe femrave, për të qenë ortakë në jetën e tyre në të arriturit e mirësisë dhe në të përmbushurit e urdhërit hyjnor: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë e ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe e japin zeqatin, e respektojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t'i mëshirojë Allahu. Allahu është Ngadhënjyes, i Urtë!" (Kur`an, 9: 71).
Islami, ashtu sikurse ka për qëllim edukimin e njerëzve për të qenë të drejtë, për të qenë gurthemel në strukturën shoqërore të kombit që i përkasin, ai, gjithashtu, përpiqet të formojë familje të shëndosha, si faktorë primarë dhe esencialë në ndërtimin e një shoqërie të mirëfilltë. Nuk ka diskutim se martesa, e cila e bashkon një mashkull me një femër përmes një ceremonie solemne, është burimi (baza) që e rrit (e zgjeron) familjen, në radhë të parë, e, në radhë të dytë, edhe shoqërinë. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër që një familje si duhet do të ekzistonte pa martesë (kurorë) – mënyrë kjo që është vënë nga Ligjvënësi.
Disa ide perverze kundrejt institucionit të martesës:
Përgjatë kohrave, njerëzimi ka arritur të mësojë ide që i kundërvihen idesë për t’u martuar. Në Persi (në Iranin e sotshëm), para ardhjes së Islamit, u shfaq filozofia e Manit – “Pejgamberit” nga Persia, e cila deklaronte se bota gëlon në fatkeqësi. Kjo gjë, thonin, duhet asgjësuar, e mënyra më e shpejtë për ta asgjësuar është ndalimi e martesës.
Një ideologji tjetër u përhap nën flamurin e krishterizmit, e ajo ishte një murgëri ekstreme që e denoncon (shpartallon) jetën, e thirr në burgosje nëpër manastire dhe e shpall martesën si të ndaluar, sepse gruaja, besojnë ata, është shkaku i ngasjes (joshjes) dhe i personifikimit të djallit. Të afruarit tek ajo, sipas tyre, vetvetiu është mëkat që e degjeneron shpirtin dhe njeriun e largon nga parajsa.
Në kohën moderne, kjo ide ekziston tek pesimistët perëndimorë, të cilët e shpronësojnë femrën, duke e përshkruar atë si gjarpër me prekje të butë, por me helm vdekjeprurës. Më tej, ata pohojnë se martesa ia ofron asaj mundësinë e artë për të qenë sunduese ndaj mashkullit dhe për t’ia lëshuar atij në dorë tërë përgjegjësitë. Kështuqë, deklarojnë ata, pse mashkulli, me vetëdije të plotë, ta zgjedhë rrugën për t’i pasur ato zinxhirë rreth qafës së tij, ndonëse ai është lindur i lirë?
Fatkeqësisht, disa muslimanë të rinj të sotëm kanë rënë pre e këtyre ideve të prishura dhe për këtë arsye po vendosin të shmangen nga martesa, e cila “po i detyron të kryejnë përgjegjësi të pafundme”. Përveç kësaj, ata dëshirojnë ta jetojnë jetën e tyre si fëmijë duke mos pasur mbi supe asnjë përgjegjësi. Nëse mposhten nga epshi i tyre, etjen e tyre do ta shuajë prostitucioni, në vend që këto instikte të përmbushen në mënyrë ligjore, do të thotë me martesë.
Objektivat e martesës në Islam janë:
1) Duke u bazuar në ligjet dhe normat hyjnore, asgjë nuk mund ta ekzekutojë detyrën e saj pa ndihmën e dikujt. Allahu paracaktoi që gjithçka të jetë në nevojë të tjetrit nga lloji i njëjtë, kështuqë, kompletimi është reciprok. Në fushën e elektricitetit, poli pozitiv duhet të bashkohet me atë negativ për të shkaktuar dritë, nxehtësi, lëvizje, varësisht prej funksionit të aparatit. Njëlloj, protonet dhe elektronet duhet të jenë në kontakt brenda atomit. Tek bimët, korrat e polenit mbajnë gamete mashkullore për ta fekonduar trupin e lules me qëllim të prodhimit të më shumë farave, bimëve apo frutave. Kafshët me gjini mashkullore duhet të jenë në kontakt me ato femërore për t’u shtuar... Kur`ani Famëlartë e thekson këtë ligj të përgjithshëm në dy ajetet vijuese: “Dhe Ne krijuam prej çdo sendi dy lloje (mashkull e femër) që ju të përkujtoni (madhështinë e Zotit)!" (Kur`an, 51: 49); “I pastër nga të metat është Ai që i krijoi të gjitha llojet (çiftet) çka mban toka, nga vetë ata dhe nga çka ata nuk dinë!" (Kur`an, 36:36). Ky ligj, i vënë nga Allahu i Lartësuar, vlen gjithashtu edhe për llojin njerëzor dhe ai është bashkimi i mashkullit dhe femrës në një mënyrë ashtu siç u ka hije.
Allahu i Lartësuar në zemrën e mashkullit e ka rrënjosur dashurinë ndaj femrës dhe në zemrën e femrës e ka rrënjosur dashurinë ndaj mashkullit. Secili prej tyre (edhe mashkulli, edhe femra) është i nxitur nga një nevojë shumë më urgjente sesa uria apo etja. Secili prej tyre ndjen një zbrazëtirë të qartë në jetën e tij ose të saj, e cila (zbrazëtirë) mund të plotësohet vetëm me bashkimin e tyre, në pajtim me ligjet hyjnore, do të thotë, nëpërmjet martesës. Vetëm në atë rast stabiliteti e zë vendin e pasigurisë dhe vetëm në atë rast qetësimi e zë vendin e shqetësimit. Secili prej tyre gjen kthjelltësi, dashuri e mëshirë tek tjetri, të cilat i ndriçojnë jetrat e tyre dhe i zgjerojnë shpirtrat e tyre. Ajeti vijues argumenton një nga shenjat e Tij, faktikisht, Ligjin që Ai e bëri në univerzin tonë: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë!" (Kur`an, 30: 21).
2) Reprodukimi është rezultati natyral i martesës. Ai shërben për ta zgjatur ekzistencën e njeriut. Kështu, kjo është një nga dhuratat që Allahu i ka bërë për ne. Argument për këtë e kemi ajetin kur’amor ku i Madhërishmi thotë: “Allahu krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj, e prej bashkëshorteve tuaja – fëmijë e nipa dhe ju furnizoi me (ushqime) të mira. A besojnë ata të pavërtetën, e të mirat e Allahut i mohojnë?” (Kur`an, 16: 72).
Pikërisht është kjo arsye, për shkak të së cilës Zekerijai, alejhi selam, e pati lutur Allahun: “(Përkujto) Edhe Zekirijain kur e luti Zotin e vet: “Zoti im, mos më lë të vetmuar se Ti je më i miri trashëgues (pas çdokujt)”!" (Kur`an, 21: 89); “Unë ua kam frikën pasardhësve të mi pas meje (kushërinjve, se do ta humbnin fenë), ndërsa gruaja ime është sterile, pra, më fal nga ajo mirësia Jote një pasardhës (një fëmijë). Të më trashëgojë mua dhe t'i trashëgojë ata nga familja e Jakubit dhe bëre atë, o Zoti im, të këndshëm (të vyeshëm)!” (Kur`an, 19: 5-6).
Ngjajshëm, edhe Ibrahimi, alejhi selam, – babai i Pejgamberëve, e luti Allahun: “Zoti im, më dhuro mua (një fëmijë) prej të mirëve! Ne e gëzuam atë me një djalë që do të jetë i butë (i sjellshëm)!" (Kur`an, 37: 100-101). Kur`ani Famëlartë i përshkruan roëbrit e Mëshiruesit duke thënë: “Edhe ata që thonë: “Zoti ynë, na bën që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bën shembull për të devotshmit!”” (Kur`an, 25: 74).
Për shkak të reproduksionit, kombet shumohen dhe rriten dhe, përveç kësaj, ata (kombet) i shfrytëzojnë potencialet e tyre për t’u bërë ballë armiqve që i sulmojnë. Pak persona do të dyshonin në faktin se sa e madhe do të ishte fuqia botërore nëse masës njerëzore i llogaritet potenciali i saj i tërësishëm. Allahu i Lartësuar në Librin e Tij Famëlartë për rastin e Shuajbit, paqja dhe mëshira e Tij qoftë mbi të, thotë: “Përkujtoni kur ishit pakicë e Ai ju shumoi dhe shikoni se si qe fundi i çrregulluesve!” (Kur`an, 7: 86). Për më tepër, Pejgamberi, alejhi selam, na ka porositur: “Martohuni (shtohuni), sepse unë do të mburrem me ju (me numrin e juaj të madh) në Ditën e Gjykimit para popujve tjerë dhe mos përfundoni në murgërinë e krishterëve!” [Transmeton Bejhekiu].
Reproduksioni shërben për ta ruajtur tërë llojin njerëzor në globin tonë derisa jetës t’i vijë fundi i vet. Allahu i Lartësuar në Librin e Tij thotë: “O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqën) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burrra shumë e gra. Dhe kini frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun), se Allahu është mbikëqyrës mbi ju!" (Kur`an, 4: 1); “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s'ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë!" (Kur`an, 49: 13).
3) Martesa njeriut ia plotëson besimin. E ruan atë nga të shikuarit e grave të huaja, i ndihmon gjithashtu edhe në ruajtjen e nderit dhe normalisht, i ofron atij mundësi ligjore për t’i kënaqur dëshirat e veta seksuale. Si rrjedhojë, prostitucioni më nuk konsiderohet si opcion! Për këtë arsye, Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Martesa e ruan njeriun nga shikimi i asaj që nuk duhet shikuar!"; “Nëse Allahu ia dhuron ndonjërit një grua të mirë, kjo i ndihmon atij ta ketë gjysmën e fesë së tij të mbrojtur, për pjesën tjetër duhet t’i frikohet Allahut!" [Transmetojnë Taberani dhe Hakimi].
4) Martesa jo vetëm që është mjet që besimtari ta mbrojë fenë e tij, por ajo, gjithashtu, është edhe kusht i domosdoshëm për lumturi jetësore, për të cilën Islami i inkurajon ithtarët e tij që ta shijojnë atë, kështuqë, asgjë më të mos i hutojë ata në arritjen e qëllimit final, gjegjësisht, për t’i ngritur shpirtrat e tyre në një shkallë të lartë spirituale. Transmetohet se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “E tërë bota është kënaqësi, e kënaqësia më e mirë është gruaja e mirë!"; “Janë 4 gjëra të cilat birit të Ademit i sjellin lumturi: gruaja e mirë, shtëpia e gjerë, fqiu i mirë dhe mjeti transportues i mirë!" [Transmetojnë Hakimi dhe Bejhekiu].
5) Martesa është mënyra e vetme e themelimit të familjes – bërthamës së shoqërisë. Asnjë shoqëri e ndershme nuk do të ekzistonte pa u bazuar në familje. Ky është, pra, një institucion tek i cili zë vend amësia, atësia si dhe lidhja motër-vëlla, e krahas këtyre edhe ndjenjat strehuese, altruizmi, mëshira, kujdesi, bashkëpunimi reciprok...
6) Është një e vërtetë se martesa i ngrit edhe raportet shoqërore. Me anë të saj, pra, zgjerohet miqësia mes prindërve të tyre (prindërit e burrit me gruan dhe anasjelltas). I Madhërishmi ka paracaktuar që raportet martesore të jenë aq të forta sa raportet familjare. Argument për këtë e kemi ajetin kur`anor ku thuhet: “Dhe Ai nga uji (fara) e krijoi njeriun, dhe e bëri atë të ketë fis dhe të ketë miqësi. Zoti yt ka mundësi të jashtëzakonshme!" (Kur`an, 25: 54).
7) Martesa e bën njeriun më të pjekur përmes përgjegjësive që ai duhet t’i mbajë, si bashkëshort dhe si prind, e ngjajshëm e bën edhe gruan më të pjekur përmes përgjegjësive që ajo duhet t’i mbajë si bashkëshorte dhe si nënë. Siç thamë edhe më lart, shumë meshkuj shmangen nga martesa, sepse dëshirojnë të jetojnë jetë si fëmijë të rritur dhe të mos jenë të detyruar të bëjnë gjë prej gjëje. Njerëzit e këtillë nuk janë të aftë për të jetuar, sepse nuk janë të aftë për të bërë asgjë. Martesa, pra, kërkon angazhim të fortë dhe ndarje të përgjegjësive mes burrit dhe gruas, prej ditës së parë kur ata bashkohen.
Allahu i Lartësuar në Librin e Tij thotë: “...Edhe atyre (grave) u takon e drejta sikurse edhe përgjegjësia në bashkëshortësi, e burrave u takon një përparësi ndaj tyre. Allahu është i Gjithfuqishëm, i Urtë!" (Kur`an, 2: 228); “Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase Allahu ka graduar disa mbi disa tjerë dhe ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre. Prandaj, me atë që Allahu i bëri të ruajtura, gratë e mira janë respektuese e janë besnike ndaj të fshehtës!" (Kur`an, 4: 34).
Pejgamberi, alejhi selam, thoshte: “Secili prej jush është kujdestar dhe përgjegjës për ata që i keni nën mbikëqyrje. Burri është përgjegjës për pjesëtarët e shtëpisë së tij; gruaja është përgjegjëse dhe kujdestare e pasurisë së burrit të saj!"; “Ka mundësi që njeriu të bëjë mëkat të madh, nëse nuk përkujdeset për atë që e ka nën mbikëqyrje!" [Transmetojnë Ahmedi, ebu Davudi, Hakimi dhe Bejhekiu nga ibën Umeri]. Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, gjithashtu, thoshte: “Allahu do ta pyesë çdo kujdestar për ata që i ka pasur nën mbikëqyrje, se a i ka mbrojtur (shpëtuar) ata nga zjarri po jo!" [Transmetojnë Nesaiu dhe ibën Hibani nga Enesi].
8) Duke qenë i martuar, njeriu fokusohet në perfeksionimin e punës së tij, pasi është i sigurt se e ka dikë në shtëpi që ia kryen punët e shtëpisë (ushqimin, pastrimin...). Pas këtij fakti njeriu mund të qetësohet dhe mund ta kryejë punën apo angazhimet e tij ashtu si duhet. Ndërkaq, paramendoni, si do të ishte puna e ndonjërit që është i preokupuar e i shqyer nga gajlet se a do të ketë ushqim kur të kthehet nga puna ose a do të ketë rrobe tjera për të veshur ose...ose...!!!
Allahu i Lartësuar e di më së miri.
Autor: Shejh Jusuf el-Kardawi
Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 13.08.2007
Burimi: http://www.al-islamforall.org/Misc/philosophy.htm

0 komente:
Post a Comment