
Të marrësh hap për të lundruar në një det të gjerë me një lundruese jo aq adekuate është vërtet vështirë. E nëse sheh anësh se ka të atillë që kanë barka më rezistuese ndaj valëve të ujit dhe të atillë që po iu shpërthye barka, mund të notojnë për kohë të gjatë, është edhe më vështirë. Në anën tjetër, ia vlen të mundohesh, pasi me vetë inicimin për të gjetur rrugëdalje, e kemi të garantuar një shpërblim, e po ia qëlluam, i marrim dy...
Deti për të cilin dua të thurr disa shkronja është kultura e dialogimit, përkatësisht, dosja e të folurit, rreth së cilës Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë që “ia garantoj Parajsën atij që e ruan organin e të folurit dhe organin e turpshëm!". Pra, në pyetje është gjysma e garancës për të shkuar në Parajsë...
Shkaku i përdorimit të këtij termi është se vetëm dua ta tregoj një vështrim prej së largu, pa hyrë shumë në thellime.
Të supozojmë se dialogimi ka tri drejtëza: x, y dhe z. Këto shtrihen në rrafshin koordinativ dhe secila prej tyre e pret tjetrën, kështuqë, si tërësi ato formojnë një katror që është i ndarë në dy trekëndësha të puthitshëm. Në vijim të shohim se çka në të vërtetë përmbajnë këto drejtëza.
1) x – të folurit është pikënisja, ku pala fillon të flasë e t’i tregojë mendimet e veta që ka për t’i thënë. Këtu duhet të vijë në shprehje oratoria, përkatësisht përzgjedhja e fjalëve adekuate që duhet thënë në atë rast. Duhet të kihet parasysh që nëse fjala burimin e ka nga zemra, aty edhe do të përfundojë te pala tjetër. Me rastin e dialogimit, komunikuesit i përcaktojnë qëllimet e atij dialogu, i parashohin pasojat e mundshme, me qëllim që ai (dialogu) të jetë sa më i dobishëm e sa më pak lëndues. Përgjegjësia e fjalës, gjithashtu është prej aparateve të kyçura gjatë bisedës, sepse “për Allahun nuk ka organ më të dashur se gjuha nëse ajo e flet të drejtën dhe nuk ka organ më të urrejtur për Të sesa gjuha në raste kur ajo gënjen!". Gjithashtu, Pejgamberi, alejhi selam, gjuhën e keqe e ka bërë ekuivalente me besimin e keq, ku thotë: “Nuk do të jetë besimi i njeriut si duhet përderisa nuk është si duhet zemra e tij, e zemra e tij nuk do të jetë si duhet derisa gjuha e tij të jetë si duhet!".
Morali si depërtues në shumë segmente, edhe këtu, pra, në drejtëzën e të folurit është këmbëngulës të marrë hise. Në prapavijë të këtij fakti, veti e folësit duhet të jetë që nëse bashkëbiseduesi nuk e ka të qartë përmbajtjen e asaj që është thënë, ai ta sqarojë atë disa herë, varësisht prej nevojës dhe mundësive.
Prej këshillave të frytshme që janë thënë prej Abdullah ibën Abasit, do të veçoheshin ato kur thoshte: “Mos fol për atë që nuk të intereson, sepse kjo është gjë e tepërt dhe nuk je i siguruar nga mosrënia në mëkat! Mos fol për atë që të intereson pa e gjetur kohën dhe vendin përkatës, sepse është turp të flasësh për një gjë që të intereson pa i plotësuar elementet e sipërcekura! Mos u fjalos me të urtin e as me mendjelehtin, sepse i urti nuk do të të çmojë, e nga mendjelehti do të ofendohesh!.!"...
Zoti na ka nderuar duke na dhënë aftësinë për t’u shprehur. “Ia mësoi atij të folurit!". (Kur`an, 55: 4). Andaj, të jemi falënderues për këtë aftësi të dhuruar nga Ai! “Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!". (Kur`an, 1: 2).
Një fjali e artë thotë: “Karakteristikë e gojëtarit të mirë është që ta ndërpresë ligjërimin kur e vëren se pala që dëgjon nuk është duke e përcjellë me vëmendje atë që është duke u thënë!". Në pajtim me këtë, e shfrytëzojmë mekanizmin e dytë, i cili me funksionin e tij i shërben individit për të qenë prej mendjehollëve.
2) y – të dëgjuarit është ura lidhëse mes drejtëzës para dhe pasardhëse. Sikurse të folurit, ashtu edhe të dëgjuarit është art, pasiqë, në një aspekt, edhe për të dëgjuar duhet aktivitet intelektual. Pikërisht për këtë, një fjali e urtë thotë: “Jo që nuk je i aftë për të folur, por je i paaftë për të heshtur!".
Pikëpamja në fjalë është për dialogimin, e dihet se në të (dialog) marrin pjesë dy palë, porse në shtjellim e marrim vetëm njërën palë, duke e lënë tjetrën të hijëzuar. Në fakt, këto norma janë simetrike që do të thotë se vlejnë për të dyjat.
I mençuri, është thënë, duhet të heshtë përderisa të folurit nuk është obligativ, ngase shumë njerëz pendohen pasi kanë folur, ndërsa rrallë njeriu pendohet kur hesht. Një herë K’ab ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) pati thënë: “Shpëtimi është i ndarë në 10 pjesë, prej tyre 9 janë në heshtje!". Gjithashtu, kam dëgjuar të thuhet: “Për ndërtuesin e parë të automobilit nuk duhet të jetë duartrokitja aq e madhe se ka ndërtuar një mjet të tillë, sa duhet të jetë për atë se ai e ka paraparë që ai mjet duhet të posedojë fren; për hartuesin e skicës së parë të shtëpisë shumëdhomëshe nuk duhet të jetë duartrokitja aq e madhe se ka hartuar një skicë të tillë, sa duhet të jetë për atë se ai e ka paraparë që ato (dhomat) duhet ta kenë mbyllësen e vet – derën; për konstruktuesin e parë të telefonit celular nuk duhet te jetë duartrokitja aq e madhe se ka konstruktuar një mjet me të cilin mund të komunikosh prej së largu, sa duhet të jetë për atë se ai e ka paraparë që ky mjet duhet të posedojë edhe mundësi për t’iu zvogëluar zëri i cingërrimës apo, sipas nevojës, edhe t’i ulet zëri në tërësi!”.... Këta të lartpërmendur kanë dashur të marrin model nga Krijuesi i gjithësisë, i Cili e ka bërë këtë qysh në fillimin e të jetuarit. Ai, pra, e krijoi njeriun me aftësi më të mëdha se krijesat tjera, e sidomos më shumë cilësohet me aftësinë e të folurit, e krahas saj ia bëri të mundshme e ia mësoi edhe heshtjen: “Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte!". (Kur`an, 96: 5).
Shikuar globalisht mbi këto dy drejtëza, do të shohim se kjo e fundit është më e rrallë për t’u poseduar, madje edhe në rast kur folësi është vijëdrejtë në të folurit e tij, e të mos flasim për ata që llomotitjen e kanë pjesë të pandarë të tyre. “Nëse të folurit është prej argjenti”, – kanë thënë, – “heshtja është prej ari!".
3) z – të perceptuarit ose të kuptuarit paraqet drejtëzën e tretë dhe të fundit prej drejtëzave të elaboruara. Thënë matematikisht, kjo është drejtëz e pjerrtë që bashkohet me pikëprerjen e dy drejtëzave paraprake, duke e pasur për pikënisje fillimin e koordinatave të rrafshit koordinativ.
Gjeneza e kësaj bazohet nga të dëgjuarit, e me këtë vihet në provë komunikuesi se a kanë qenë dëgjues aktiv apo jo. Kur vie në shprehje kjo drejtëz, logjikisht kuptohet se dialogu veçmë ka përfunduar, e roli i kësaj drejtëze është i ngjajshëm me rolin që e luan çatia për shtëpinë. Më tej, katrori që është fituar është esenca e këtij studimi!
Drejtëza e gjelbër është drita ndriçuese e katrorit, pasi, në mungesë të saj, gjithçka do të ishte e gjymtë. Praktikisht, çka nëse i flet dikujt dhe nëse e dëgjon atë e asnjëri nuk përfiton asgjë?
Mund të them se “për ta ndezur këtë dritë”, paraprakisht, duhet aktivizuar tri mekanizma: zemrën, veshin dhe mendjen. Zemra, pasi dihet se ajo është komandant i tërë trupit...; veshi, pasi ai është organi objektiv i pranimit të tingujve dhe mendja, pasi ajo është vendi ku grumbullohen informatat që akceptohen nga jashtë. Mekanizmi më i rëndësishëm është zemra, pasi “njeriu ndonjëherë me zemër dëgjon, e nëse do edhe mund të flet me të!". Veshi e kryen rolin e tij dhe pastaj “qëndron pas mendjes”. E, sa i përket mendjes, them se në terrenin e saj zhvillohen tri etapa. Si etapë të parë, e përmendëm edhe më lartë, është akumulimi. Për këtë etapë mund ta citojmë edhe një fjali paradoksale që një mësues ua kishte thënë nxënësve të vet: “Dëgjojeni me kujdes atë që nuk po jua them!". Me këtë sikur ka dashur t’ua tërheqë vërejtjen atyre që të jenë më syçelë e më intuitozë...
Etapën e dytë e etiketojmë si "ndarëse mes dhenve e dhive”, që do të thotë se këtu bëhet kategorizimi i fjalëve që janë më parë nga bashkëfolësi, ndërkaq e treta është rezultat-dhënëse që shfaq se çfarë është “punuar” në etapën e parë, e çfarë në të dytën...
“Meqë këtij vagoni ia ngarkuam të 99 tullat”, – thoshte njëri, – “po ia ngarkojmë edhe të njëqindtën!"... Prej rrënjës së fjalës mendje është formuar fjala mendim. Kjo fjalë është shumë e lidhur me fjalën bisedë. Them kështu pasi “biseda”, – kam dëgjuar se është thënë, – “ka lindur nga mendimi. Biseda pa mendim nuk është më e tillë, por është grindje!".
A thua, vallë, çfarë është duke munguar? Prapëseprapë, pohoj se ka vend e rend edhe për mijëra shkronja tjera, por “pika nuk mund të zëjë më shumë se disa milimetra katrorë, në çfarëdo hapësire qoftë ajo!".
Deri tani këtë mendim e kisha në dorë, tash e kam në supe!
Shkroi: Arsim JONUZI, 16.08.2007

0 komente:
Post a Comment