Opcioni i dytë


Falënderimi i takon vetëm Allahut Fuqiplotë. Paqja, bekimet dhe begatitë e Allahut qofshin mbi të dërguarit e Tij, mbi pasuesit e tyre të denjë si dhe mbi të gjithë ata që me gojë dhe me zemër dëshmuan dhe dëshmojnë se s’ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Atij që vigjilon gjithçka edhe atë në mënyrë të pandërprerë!
Historia na mëson se gjatë kohrave Shpallësi ka dërguar një numër mjaft të madh pejgamberësh në mesin e shoqërive të ndryshme. Disa i ka treguar në Kur`an e disa jo. Disa i ka dërguar në një kohë, e dallimi i disave në aspektin kohor ka qenë me qindra e ndoshta edhe me mijëra vite. Krahas këtij dallimi kohor, ata, të gjithë thonin: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje kërkojmë ndihmë!” (Kur`an, 1: 5).
Në bazë të ndikimit, sprovave të rënda etj., që kanë pasur mëkëmbësit e Allahut në tokë, disa prej tyre janë konsideruar si të zgjedhur. Një prej të zgjedhurve konsiderohet edhe Ibrahimi, alejhi selam, i cili, njëherit, njihet edhe si miku i Allahut dhe babai i të gjithë pejgamberëve. Ky, qysh në fëmijërinë e tij të hershme, shquhej për pjekuri të thellë. Kishte aso bindje ndaj Allahut saqë pranoi ta braktisë shtratin e vet për hir të Tij. Pra, pranoi opcionin e dytë të ofruar nga i ati i tij, domethënë për ta lëshuar shtëpinë, kurse opcionin e parë: për t’i bërë Allahut shok – e refuzoi me tërë shpirtin e tij.
Ibrahimi, alejhi selam, një kohë të gjatë nuk pati asnjë fëmijë. I tillë ka qenë Vendimi i të Lartësuarit! Jemi dëshmitarë se sa më shumë ta kërkojmë një gjë dhe për aq sa nuk e kemi, dashuria jonë për të shkon vetëm në rritje. E njëjta, pra, ndodhi edhe me Ibrahimin, alejhi selam. Mund të themi se lindja e Ismailit, alejhi selam, ishte gëzimi më i madh i Ibrahimit, alejhi selam, pas kënaqësisë së tri ditëve kur ky pejgamber qëndroi në zjarrin e përgatitur të pafeve, meqë, pra, kur e kishin pyetur për periudhën më të lumtur të jetës së tij, e cila zgjati thuajse dy shekuj, i kishte theksuar ato tri ditë që kishte pranuar opcionin e dytë për t’u hedhur në një zjarr të ndezur për tri ditë me radhë, sepse opcioni i parë – për të hequr dorë nga adhurimi i Një Zoti të Padukshëm, i Cili nuk ishte nga guri e as nuk është prej druri – iu kishte dukur si jo shumë i mirë...
I erdhi lajmërimi mikut të Allahut se ai pas gjithë këtyre viteve durim dhe dëshirë për të pasur fëmijë, më në fund, do ta ketë atë. Natyrisht se në atë situatë çdo njeri do të emocionihej dhe do të hutohej. Emocionet ishin për shkak të lutjes së plotësuar për të pasur fëmijë, ndërsa hutimi ishte për shkak të moshës së thellë, gjë e cila mohohet rreptësisht nga medicina bashkëkohore, por "kur Ai dëshiron ndonjë send, urdhri i Tij është vetëm t’i thotë: “Bëhu!”, e ai menjëherë bëhet!” (Kur`an, 36: 82).
Ismaili, alejhi selam – i biri i vetëm i Ibrahimit dhe Haxheres rritej e zhvillohej dhe në proporcion të moshës që kishte, Allahu i jepte pjekuri, besim dhe durim, i cili do t’i shërbejë shumë për në të ardhmen e tij. U stolis me vetitë më të bukura, me vetitë më të vyeshme. Krahas vetive që i kishte ndaj Allahut, ai kishte respekt e dhembshuri edhe ndaj prindërve...
Dëshira e të Madhit qe që ta sprovojë mikun e Vet dhe përmes një ëndrre i tha që ta bëjë kurban të birin e vetëm. Allahu është më i Madhi! Nëse do të kishte qenë urdhër për ndonjërin prej nesh që ta zbatonim urdhrin e Allahut, faktikisht, ta zgjedhnim opcionin që e zgjodhi Ibrahimi, alejhi selam, ne cilin opcion do ta kishim zgjedhur? E Ibrahimi, alejhi selam, e zgjodhi atë opcion që e kënaqi Allahun e tij, për ajo që gjithashtu vlen të ceket është se edhe Ismaili e zgjodhi po të njëjtin opcionin me numër rendor dy, do të thotë, për të qenë i dëgjueshëm ndaj kërkesës së babait, e nuk e zgjodhi opcionin e parë që djalli i mallkuar ia hijeshoi e deshi të depërtojë në zemrën duke i thënë se babai yt është luajtur mendsh, e kjo është si pasojë e pleqërisë së tij të thellë dhe për të mos e zgjatur më shumë, – i thoshte i mallkuari – mbathja për në shtëpi sa më shpejt!
Kur Ibrahimi, alejhi selam, e arriti kulminacionin e nënshtrimit të tij dhe kur biri i tij e vulosi në zemrën e tij se do të jetë i dëgjueshëm ndaj të atit, e në këtë mënyrë edhe ndaj Allahut, engjëjt e kuptuan se Allahu paska zgjedhur opcionin e dytë, që do të thotë se Ismaili, alejhi selam, nuk do të prehej... Allahu Ekber! Ibrahimi, alejhi selam, gjithmonë e zgjedhte opcionin e dytë dhe në të ishte kënaqësia e Allahut, kurse Allahu tash në momentin më të vështirë po e zgjedh opcionin e dytë i cili është në të mirë të Ibrahimit, përkundër të cilit, edhe Ismaili, i cili u tregua i dhembshur ndaj babait të tij duke i thënë “Kthema kokën anësh me qëllim që mos të më shohësh kur të më dalë gjaku!”, edhe Xhibrili u tha engjëjve se Allahu zgjodhi opcionin e dytë për fatin e Ismailit, alejhi selam, ngase engjëjt merakoseshin dhe thonin “A do të prehet Ismaili apo jo?”. Pra, në këmbim të flijimit të të birit për kënaqësinë e Allahut, Ibrahimit i erdhi dashi, kurse në këmbim të dhembshurisë ndaj prindit që të mos i vijë keq kur ta shohë gjakun – Ismaili fitoi dhembshurinë e engjëjve kundrejt tij!
Rrjedhimisht, të gjithë muslimanët e botës e përkujtojnë këtë ndodhi të këtyre dy pejgamberëve në ditën e Kurban Bajramit, kur pas namazit therrin një kafshë për hir të Allahut. Në këtë ditë të madhe thuhen ato fjalë që u thanë atëbotë nga Xhibrili, alejhi selam: "Allahu Ekber, Allahu Ekber!". Nga Ibrahimi, alejhi selam: "La ilahe ila-llahu vAllahu Ekber!". Ndërkaq, nga Ismaili, alejhi selam: "Allahu Ekber ve lil-lahil hamd!".
E lusim Allahun e Madhëruar që të na bëjë prej atyre që e zgjedhin gjithmonë opcionin e dytë, nëse ai është për të mirë, prej atyre që ia dinë vlerën kësaj bote dhe botës tjetër, prej atyre që janë të arsyeshëm në qëndrimet e tyre, prej atyre që janë në rrugë të drejtë, prej atyre që ia dinë vlerën gjërave, prej atyre që punën e konsiderojnë si ushqimin, prej atyre që kanë zemra të përlotura për shkak të Allahut, prej atyre që në zemër kanë dozë të paktën minimale të filantropisë, prej atyre që thonë si Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “Ah, sikur t’isha qime në gjoksin e ebu Bekrit!!!”...

Shkroi: Arsim JONUZI, 09.12.2007

Të huaj


Falënderimi dhe lavdërimi i takon vetëm Allahut – Zotit të botëve. Paqja, bekimi dhe begatitë qofshin mbi krijesën më të dashur në fytyrë të tokës – Muhammedin, alejhi selam, mbi familjen e tij fisnike, mbi të gjithë ata të cilët e përkrahën atë deri në momentin e fundit të jetës si dhe mbi të gjithë muslimanët prej lindjes e deri në perëndim!
Pejgamberi ynë i dashur, alejhi selam, ka thënë: “Kjo fe u nis si e huaj dhe do të kthehet si e tillë!”, kështuqë, mirë se erdhët o ju “të huaj”! Pra, ne jemi ata që quhemi “të huaj”. Muhammedin, alejhi selam, e njihnin tërë qyteti. Të gjithë e dinin se ai ishte i biri i Abdullahut, të gjithë e thirrnin me nofkën el-emin (besniku) dhe po të njëjtit e dinin se ai ishte fjalëdrejtë dhe se goja e tij asnjëherë nuk kishte thënë ndonjë gënjeshtër. Mirëpo, kur Allahu i Lartësuar e urdhëroi Xhibrilin, alejhi selam, për t’ia transmetuar Shpalljen hyjnore, do të thotë, për t’u thënë njerëzve ta besojnë vetëm një Zot të Vetëm dhe për të hequr dorë nga idhujt, ata thonin se ky po thotë diçka të huaj (të pazakonshme). Në atë rast, i dashuri i Allahut u tha: “O kurejsh, ju më njihni mua. Ju vetë e dini se nuk ju gënjej. Andaj, sikur t’ju kisha thënë se është një ushtri pas kësaj kodre e cila është duke ardhur për t’ju shkatërruar ju, a do të më kishit besuar?”, ata thanë: “Po!”. Pejgamberi, alejhi selam, ua ktheu: “Atëherë, unë ju them se unë jam i Dërguari i Allahut tek ju dhe ju duhet të më bindeni në atë që unë ju urdhëroj!”. Ndërkaq, përgjigja e kurejshëve ishte e njëjtë, do të thotë, përsëri thonin: “Ky është duke thënë diçka të pazakontë!”. Kështu, pra, Muhammedi i biri i Abdullahut, i cili në mesin e njerëzve ishte njeri i njohur, i dashur, i besueshëm e i respektuar nga të gjithë njerëzit (e madje edhe nga xhaxhai i tij) e atij vendi – atë ditë u konsiderua si i huaj!
Omer ibën el-Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili donte ta mbysë Pejgamberin, alejhi selam, me shpatë, nga të tjerët merrte duartrokitje dhe konsiderohej patriot, e po në atë ditë kur ky deshi vërtetësisht ta mbysë të dashurin e Allahut, për çudi, edhe ky tani po konsiderohej i huaj!!!
Është reale se nëse dikush mban mjekër, ai do të konsiderohet ekstremist. E nëse thotë se unë punoj çdo ditë, e nëse është nevoja punoj edhe gjatë festave tuaja, e edhe gjatë periudhës së natës, por nuk punoj në kohën e namazit të xhumasë, pasi në atë kohë unë shkoj në xhami për ta adhuruar Allahun tim, ai do të konsiderohet edhe më ekstremist! Çudi! Në vijim, vlen të ceket qëndrimi i Pejgamberit, alejhi selam, lidhur me këtë çështje: “O njerëz, unë nuk jam bërë ekstremist, e as që natyra ime i takon një tabori të tillë, por ky është Sunneti i të dërguarit të Allahut, e nëse nuk ju pëlqen, nuk mërzitem edhe aq shumë!!!”.
Ne duhet të kemi dëshirë e vullnet për të qenë “të huaj”! E kur të bëhemi të tillë, atëherë kjo do të ndikojë në jetën tonë. Rezultat i kësaj do të jetë që njerëzit të keqkuptojnë. Si pasojë, ka gjasa që edhe të dyshosh në vetvete! Thua: “Përse po i humb miqtë? Pse gruaja ime më kërkon shkurorëzim? Në përgjigje të kësaj marrim përgjigjen vijuese: “…ngase ti je duke u bërë i skajshëm në qëndrimet dhe veprimet tua!”.
Në një situatë tjetër, një grua shëtitet pa mbulesë, ka të vënë të kuq buzësh përderisa ec nëpër rrugë, parfumoset për ta tërhequr vëmedjen e meshkujve të tjerë, po edhe bashkëshorti i saj ka të njëjtat qëndrime dhe është i kënaqur nga veprat e gruas së vet. Kur, papritmas, një ditë ajo e vë mbulesën dhe i gjuan të gjitha rrobet e mëparshme që i ka veshur, nuk parfumoset më e as nuk vë të kuq për të bërë fitne, as nuk i flet burrave për dore, ngase e ka kuptuar se është qenie e shtrenjtë. Si rrjedhojë, burri i saj i drejtohet: “Çfarë po ndodh me ty?”, ajo i kthen përgjigje duke i thënë: “Lexova me një ajet në Kur’an dhe me një hadith të Pejgamberit, alejhi selam, dhe në zemër më erdhi një dritë që më thotë të mendoj më tepër për fenë time, kështuqë, nuk do t’i veproj më ato vepra të mëparshme!”. Në këtë rast, burri i thotë: “Atëherë, unë nuk të dua më – qenke bërë e skajshme!”. Pra, edhe kjo motër tani u bë “e huaj”! Megjithatë, ne themi elhamdulilah! Nëse ai zotëriu nuk po e dëshiroka më këtë “të huajën”, ne i lutemi Allahut Fuqiplotë që ta bashkojë këtë motër me një “të huaj” tjetër. Themi t’i japë një “të huaj”, ngase “të huajt” u përkasin “të huajve”.
O vëllezër muslimanë dhe motra muslimane, vlen të thuhet për së dyti se duhet të pëlqejmë të jemi “të huaj”! Ne duhet të jemi të gatshëm për ta pritur shpërblimin që do ta vijë për ne “të huajt”! Ne duhet të përfytyrojmë se çfarëdo që bëjnë jobesimtarët, në çfarëdo mënyre që ata mundohen ta shuajnë dhe ta asgjësojnë Dritën e Allahut të Lartësuar, po qe nga televizionet, kinematë, gazetat, librat apo nga radiot e tyre; apo qoftë me anë të gënjeshtrave e paragjykimeve të pabaza, prapaseprapë, nuk do të kenë mundësi ta shuajnë atë Dritë, ngase Allahu ka garantuar perfeksionim të saj dhe ai perfeksionim, dashtë Ai, do të bëhet përmes “të huajve”!
Për në fund, e lusim Allahun e Madhëruar që të gjthë ne të na forcojë bindjen duke qenë si “të huaj”! E lusim, gjithashtu, Atë që fëmijëve tanë t’u dhurojë dashuri ndaj “të huajve”! E lusim Atë edhe t’i udhëzojë bijtë dhe bijat tona të cilat janë zhveshur, të cilët e shesin drogën e, madje, disa edhe e konsumojnë, të cilët në këto momente janë nëpër kafene të ndryshme! E lusim, pra, Atë që të gjithë muslimanët e humbur ta rigjejnë rrugën e tyre në të cilën kanë qenë edhe atë jo për nesër mbrëma, por qysh nesër në mëngjes të vijnë në xhami e të falen këtu me “të huajt”! Ngase, kur muslimanët e Palestinës, Afganistanit dhe të gjitha vendeve tjera vijnë këtu për ta adhuruar Allahun e Lartësuar – atëherë Drita e Tij plotësisht do të jetë e ndezur!
O muslimanë të nderuar, mos e kërkoni shpërblimin e “të huajve” nëse nuk veproni si ata!!!

Autor: Halid JASIN

Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 01.12.2007