Le të lodhem, le të stërlodhem!


Po lexoja historitë e disa njerëzve të suksesshëm, goja e të cilëve s’ka ditur të lëshojë ofshamë, duart e të cilëve s’kanë ditur të rrijnë kryq dhe këmbët e të cilëve s’kanë pasur dert a janë duke shkelur në qilim apo në ferra, qoftë duke qenë të mbathur apo edhe të zbathur. Fytyra e tyre, po shkruan nëpër libra, s’ka ditur të vreroset kur ka qenë puna për t’i ndihmuar tjetrit. Për më tepër, fytyra e tyre është gëzuar për këtë gjë dhe në vete kanë llogaritur se Allahu i Madhërishëm ua ka mundësuar që të fitojnë nga Kënaqësia e Tij me anë të ndihmimit dhe solidarizimit me tjetrin. Ah, sa ëmbël po qëndrojnë këto fjalë në letër! Ndonjëherë më shkon në mendje që nuk e kam të lejuar që ta zbukuroj të thënën time duke përmendur shembuj kolosësh, ashtu duke qenë buzëgaz e i krekosur. Prandaj, lus, së pari, Zotin që t’ua lartësojë gradën këtyre, të njëjtëve dhe të ngjajshmëve me këta viganë. Së dyti, lutem që juve, o viganë të ndershëm, që po jua përmend veprat tuaja të mëdha, teksa jam i ulur në fotele të butë duke shkruar, t’ju rilartësohet niveli në Xhennetet e të Madhërishmit...
Po meditoja edhe rreth një kategorie tjetër njerëzish... O i Dashuri i zemrës sime! Ti më ke porositur që të meditoj rreth krijesave të Krijuesit, posaçërisht rreth atyre që janë të zgjedhur e që vlejnë të merren për model. Ta shohësh në profil një të tillë: ka fytyrë të ndritur, të bukur e të lakmueshme. Më tej, nuri i mjekrës së tij të bën që t’i kapsallitësh sytë për ca herë. Adhurimi ndaj Allahut te këta njerëz është në rend të parë. Çdo gjë tjetër vihet në rend të dytë në agjendën e tyre. Për më tepër, i kanë ofruar debat mëkateve dhe pas poshtërimit që e kanë marrë mëkatet nga këta njerëz, ato rrallë më iu afrohen të këtillëve. Madje, mëkatet përlahen me njëri-tjetrin se kush të mos shkojë te këta njerëz, ngase shumë shpesh ndodh që hanë grushta fytyrës...
Po e krahasoja veten, tani, unë versus të lartpërmendurit. Për një kohë do ta ftoj sinqeritetin dhe modestinë time, që të dytë, ndonëse jo shumë të lartë, si katalizatorë të besueshëm. Krijesat e padukshme ndoshta veçmë e kanë bërë llogaritjen dhe se ajo tabelë do të bëhet e shpallur në Ditën e Madhe. Ah, po, vallë, a do të mundja t’i përballoja emocionet sikur ana ime të jetë sa më e lartë, me vetëdije se gjasat janë minimale për t’ua kaluar atyre. Sinqerisht, o i lexues i bekuar, veten po e shoh sikur të jem në një dhomë, në të cilën gjenden shumë llamba të ndritshme. Nga të tillat fillon të më rrjedhë lëng goja nga bukuria dhe madhështia e tyre. Eh, po ç’dritë rrezatojnë?!!!
A thua, vallë, po ku mbeti titulli? Është strukur ndokund dhe s’është kah bën zë, me siguri. Po pret që të argumentohet esenca e mesazhit për të cilin është hartuar. I mençur është ai! Atëherë, o titulli im i dashur, mua dhe “ty” nuk na ka mbetur tjetër veçse të japim më të mirën prej “nesh” dhe të tentojmë që sa më shumë t’i përngjasojmë këtyre krijesave të cilat marrin frymë, siç marrim unë dhe “ti”, porse ata janë më të bardhë dhe më të pastër në zemër, në mendje dhe në trup. Për këtë arsye edhe janë më të mirë. Si të tillë, ata duket se e kanë fituar kënaqësinë nga Allahu i Lartësuar dhe pranim të veprave të tyre, po, vallë, ç’do të bëhet me “ne”? U bëftë si u bëftë, sigurisht se do të “na” mjaftojë, edhe mua, edhe “ty” që të jemi të regjistruar në Listën e të shpëtuarve. Sa për punët tjera, s’prish shumë punë...

Shkroi: Arsim JONUZI, 08.08.2008

0 komente: