Mbërthim


Një djalosh, një herë, qe ulur në një stol të bardhë dhe po rrinte. Kishte kohë që kishte qenë duke qëndruar ashtu me kokën poshtë. Sikur po mendonte?! I shikonte ndonjëherë njerëzit që i rrinin përreth dhe rishtaz e ulte kokën, pastaj për ta mbajtur kohë të gjatë ashtu. Çdo herë pasohej me një të ngritur, por zgjaste shkurt. Herë ofshante, herë i gëzohej qëndrimit të vet...
Po të shikoje përtej dritares, do të shihje një mot që ta bënte me dije gjendjen e këtij të mbërthyerit. Flladi i lehtë ledhatonte flokët e gjata dhe të futte në shtegun e meditimit, bile edhe nëse dëshiroje fare pak. Në anën e majtë prej murit, mu afër njeriut, sipas pjesëtarëve të atëbotshëm, të depresionuar, ishte edhe koftori i pandezur. Djaloshi tani dëshironte të bëjë një hap tjetër. U zhvendos në dysheme. E prekte kokën dhe i nguliti sytë në një vend, drejt të cilit u ngulitën edhe sytë e të gjithëve. E, me të vërejtur se ç’kishte qenë duke shikuar, njëri prej të pranishmëve brofi dhe tha: “Ta lëmë, ju lutem! Po e njihni...!”. Djaloshi s’tha gjë, por vetëm ofshau duke ndërtreguar vetëdijshmëri...
Nata kishte filluar të trokasë. Si rrjedhojë, që të gjithë tentuan të gjejnë nga një mbulojë dhe të struken në ndonjë qoshe. E ai po “solidarizohej” me ftohtësinë e koftorit. Që të dytë ishin mërdhirë! Të nesërmen, me të trokitur rrezet e vogla të diellit në dritaren e dhomës, sytë e njerëzve të pranishëm kishin filluar të çelen një nga një dhe, pas një fërkimi që e bënin me duar, drejtoheshin kah vendndodhja e djaloshit. Ndërkaq, ai, me ata sy të lodhur nga ajo natë e gjatë, ende reagonte me sytë e tij duke u dhënë shikim të dhembshur...
Njerëzit filluan ta kruajnë kokën më shumë, pasiqë kishin rënë në hall dhe s’kishin idenë se çfarë të bëjnë me djaloshin e vetëdëbuar. Jepte një ide njëri, e shpërfillte tjetri; jepte një tjetër ky tjetri, nuk vononte shumë, vetë thoshte të mos ia zënë për të madhe se e kishte thënë jo mirë. Hëm, diçka s’ishte në rregull, por çka??? Vallë, mos bëhej fjalë për mosrespektim ndaj atij? Mos e kishte tradhtuar ndokush? Mos e kishte rrahur ndokush? Po, vallë, mos e kishte lënë e dashura? Këto pyetje, pra, dhe të tjera të ngjajshme silleshin në kokën e njerëzve të cilët mendonin me zë, mu sikur Aristoteli. Sikur dëshironin të përftojnë monotoni tek djaloshi. Bah, nuk ia arrinin dot. Qëllimi i tyre jo i sinqertë nuk mbërrinte deri te mendja e djaloshit e aq më pak te zemra e tij...
Ja që itinerarin e tij paradoksal e të pahapur do ta ndërprejë plaku i mençur i rrethinës. Pas dorëzimit të të gjithëve për ta risjellur djaloshin në gjendje “normale”, dhanë aminin që të vijë një prej jashtë dhe ta zgjidhë çështjen. Me të ardhur, pra, xhaxhi Kasim, u zgjuan të gjithë për ta përshëndetur, në përjashtim të djaloshit. Xhaxhi Kasim, siç e quanin i gjithë fshati, ishte një njeri i moshuar i cili i kishte kaluar të tetëdhjetat. Ai kishte dy djem dhe një vajzë: Remziun i cili kishte punuar në arsim; Mirushen e cila ishte motër medicinale dhe Lajdin i cili sapo i kishte kryer studimet post-diplomike në lëmin e arkitekturës. Xhaxhi Kasim, për vete, nuk kishte kryer shkollë, por shquhej për urtësi dhe mendjehollësi të rrallë. Tërë jetën e kishte kaluar si bujk. Përderisa njëri prej nikoqirëve po i servonte çaj mysafirit të sapoardhur, ky i fundit nisi t’i pyesë pjesëtarët e shtëpisë se si i kishin hallet e tyre personale. Ndërkaq, xhaxhi Kasim nuk llastohej shumë në muhabete të përditshme, porse, pasi piu dy çaja, shkoi në prani të djaloshit...
“O biri im! – i tha xhaxhi Kasim – Dëgjomë, por me kusht që të mos thuash asnjë fjalë!”. Djaloshi e kishte ngritur kokën dhe po shikonte në fytyrën margaritare të plakut. Ndërkaq, njëri prej të pranishmëve të padurueshëm me vete nisi të thojë: “Ç’bën, ore, ky plak?! Ne e kemi thirrë ta detyrojë të flasë e jo t’i thojë të mos flasë!”. Shyqyr Zotit që nuk e çeli gojën, sidoqoftë. “Biri im! Tani numëroj tetëdhjetë e tre vjet – vazhdoi më tej plaku. Ndërkaq, kur kam qenë në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare e kam pasur zakon të tërhiqesha në vete dhe të mendoja. S’kishte problem për mua se ç’temperaturë bënte në dhomën time, pra, pa marrë parasysh se a ishte kohë përvëluese apo dimër me ngrica, unë do të qëndroja në atë dhomë për orë tëra, madje mbaj mend kur një ditë pata qëndruar tërë ditën, pa mbulojë, pa bukë, pa botën, pa asgjë, pos mendimeve të mia të cilat atëbotë renditeshin në mendjen time dhe përlaheshin se kush të “ulet” më shpejt në të, demek në mendje pata për qëllim të them, Kushtrim, besoj se je kah më kupton”...
Të gjithë po e dëgjonin me vëmendje xhaxhin Kasim dhe qetësia po mbretëronte në tërë dhomën, gjersa e prishi një telefon celular me një melodi bajate, siç e prish një mizë e vogël afrimin e buzëve mes dy të dashuruarve në puthjen e parë. Që të gjithë të pranishmit i dhanë një shikim qortues e ai u turpërua dhe doli jashtë. Për një çast, plaku u ndal së foluri. Ajo kishte qenë prej strategjisë së tij, ndërsa dy të tjerë dolën jashtë për ta qortuar atë të cilit i kishte cingërruar celulari duke e akuzuar se ia kishte prishur rendin xhaxhit Kasim. Xhaxhi Kasim e vëreu këtë, por nuk ndërhyri mes tyre...
Kushtrimit, tani, iu ngjall kureshtja. U ndal dy-tri herë teksa dëshironte të parashtrojë pyetje kundrejt xhaxhit Kasim, megjithatë, më në fund, vendosi ta çelë gojën dhe të flasë. Rishtaz u ndal kur iu kujtua fjala e xhaxhit Kasim: “Dëgjomë, por me kusht që të mos thuash asnjë fjalë!”. Sidoqoftë, drejtoi disa shikime drejt syve të xhaxhit Kasim dhe iu duk sikur fytyra e tij i thoshte që të flasë, të paktën atij i dukej ashtu. “E çfarë të ka ndodhur pastaj?” – pyeti Kushtrimi, goja e të cilit kishte kohë që s’kishte artikuluar as edhe një shkronjë për një kohë të gjatë. U çuditën të gjithë dhe filluan të mos u besojnë veshëve të tyre. Xhaxhi Kasim, me një maskim sikur kishte nevojë të dalë jashtë, nuk iu përgjigj djaloshit dhe doli nga dhoma. E lëshoi dhomën dhe duke dalë prej saj e thirri edhe një tjetër me vete. Pasi dolën, plaku i tha këtij që të shkojë dhe ta pyesë djaloshin se a dëshironte edhe më tej të fliste me xhaxhin Kasim. Ky bëri ashtu si i tha xhaxhi Kasim dhe kur e pyeti për atë që ishte porositur, djaloshi e lëvizi kokën në shenjë pohimi. Kur doli jashtë dhomës, pastaj, për t’i treguar plakut se si ishte përgjigjur djaloshi, xhaxhi Kasim i tha: “Unë nuk do të hyj në dhomë më, por le ta lëxojë ai këtë letër në vetmi!” dhe nga xhepi i djathtë nxorri një letër që dukej se ishte e vjetër dhe iku...
Ai erdhi brenda, u ul, pushoi pak, e shikoi, më pastaj, xhaxhin Kasim për dritare se a kishte shkuar apo jo, u mendua disa herë se a t’ia japë letrën dhe, përfundimisht, vendosi që t’ia japë atë. “Merre këtë dhuratë nga xhaxhi Kasim! Ai tha që ta lexosh këtë letër duke qenë vetëm!”. Ndërkaq, ky njeriu u tha të tjerëve që ta lëshojnë dhomën dhe ta lënë atë të vetëm. Djaloshi e hapi letrën dhe filloi të lexojë: “O djalosh i bekuar Kasim! Kur kam qenë i ri, edhe unë u pata tërhequr në vete dhe me askë nuk flisja. Më dukej se të gjithë më kanë faj mua dhe se duhet “të ma kthejnë borxhin”. Pra, nuk është kështu, o Kasimi im i dashur! Njeriu është i tillë që shpesh vetë ai prodhon ndjenja të këqija e ligësuese. Kjo është një botë e cila ka për të na përcjellur të gjithëve. Toka po na pret të na hajë, o Kasimi im! Nuk fitojmë asgjë me mbajtjen e tekave e buzështrembërimeve tona. Jo! Definitivisht, jo! Ti je i ri dhe duhet të fillosh të mendosh për veten dhe për të ardhmen tënde. Nesër do të bëhesh me familje dhe ata nuk do të të pyesin ty se a të flitet apo nuk të flitet. Fëmija yt të lyp qumësht dhe ta çan shpirtin në gjysma të vogla me të qajturën e tij. Për më tepër, do të vijë një kohë, o Kasim, që te ti njerëzit do të kërkojnë ngushëllim për kësi punë. E di unë! Besoj fort në këtë! Për në fund, o bukurosh imi, ngritu, fshiji lotët nëse je duke qarë, rregullohu, përshëndeti anëtarët e familjes, arsyetoji edhe nëse ta kanë prishur ndonjëherë dhe mos u kthe më kurrën e kurrës në gjendje të këtilla!!! Me shumë dashuri për ty, xhaxhi Kenan!”...
Kushtrimi veçmë i kishte fshirë lotët, ishte rregulluar dhe kishte dalë nga dhoma. Të gjithë e pritën mos po thotë diçka, por ai shkurt iu drejtua me një përshëndetje dhe ua bëri me dije se po shkonte te xhaxhi Kasim. “Po mirë, o i bekuar, po përse po shkon te ai?” – i tha njëri prej tyre. Djaloshi ia ktheu: “T’i them se edhe unë...edhe unë...!”...


Shkroi: Arsim JONUZI, 20.08.2008

0 komente: