Tetë gjëra


Një dijetar, një herë, e kishte pyetur nxënësin e vet si vijon: “Më ke shoqëruar për një kohë të gjatë, po çka ke mësuar nga unë?”. “Tetë gjëra!” – ia kishte kthyer nxënësi.
E para: I vështrova krijesat dhe zbulova se çdo individ ka diçka në të cilën është i dashuruar, porse kur ai (individi) arrin në varr, gjëja në të cilën ai është i dashuruar ka gjasa të ndahet nga ai. Së këndejmi, gjënë time më të dashur i bëra punët e ndershme, kështuqë, si të tilla, të më shoqërojnë edhe në varr.
E dyta: E vështrova thënien e Allahut të Lartësuar: “E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të Vet dhe ndaloi veten prej epsheve, vërtet, Xhenneti është vendi i tij!” (Kur`an, 79: 40-41). Andaj, luftova kundër vetes, duke i prapësuar dëshirat e epshet derisa ajo (egoja, vetja) u stabilizua në bindje ndaj Allahut të Madhërishëm.
E treta: Vëreja se gjithkush që posedonte diçka të vlefshme, e mbante në vend të mbyllur dhe të sigurt. Më pas, vështrova në thënien e Allahut të Lartësuar, ku thotë: “Ajo që e keni pranë vetes është e përkohshme, e ajo që është te Allahu është e përjetshme!...” (Kur`an, 16: 96). Andaj, kurdoherë që më vinte diçka me vlerë në posedimin tim, unë e adresoja drejt Atij, kështuqë të mbetej në favor timin nga Ai.
E katërta: Vëreja se njerëzit turreshin pas pasurisë, krenarisë familjare e madhështisë, e e dimë se sa të vlefshme janë këto. Sidoqoftë, unë iu ktheva thënies së Allahut të Lartësuar, ku thotë: “...e s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat)!...” (Kur`an, 49: 13). Andaj, punoja, si rezultat i asaj që kam mësuar tek ju, në arritjen e devotshmërisë, kështuqë të jem i ndershëm te i Lartmadhëruari.
E pesta: Vëreja se njerëzit e lakmojnë njëri-tjetrin. Unë mendoja në thënien e Allahut të Lartësuar, ku thotë: “...Ne kemi përcaktuar ndër ta gjendjen e jetës në këtë botë!...” (Kur`an, 43: 32). Andaj, e braktisa lakminë dhe xhelozinë.
E gjashta: Vëreja se (njerëzit) e konsideronin njëri-tjetrin si armiq. Unë, për një kohë, shkova tek Libri i Allahut dhe gjeta se: “Djalli është armik i juaji, pra, edhe ju konsiderojeni armik! Ai e thërret atë grupin e vet vetëm për t’i bërë (ata) banues të Zjarrit!” (Kur`an, 35: 6). Së këndejmi, e lashë tërësisht urrejtjen që e kultivonin ata mes vete dhe e konsideroja shejtanin si armik timin të vetëm.
E shtata: Vëreja, gjithashtu, se njerëzit madje e poshtëronin vetveten në kërkim të furnizimit, ndërsa në Librin e të Madhëruarit gjeta: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj!...” (Kur`an, 11: 6). Prandaj, e përqëndrova veten në atë që I takonte Atij nga unë dhe e anova atë që më takonte mua nga Ai.
E teta: I shihja njerëzit duke qenë të varur prej tregtisë, punës e shëndetit. Unë iu varësova vetëm Allahut të Lartësuar. Ai, në Librin e Vet, thotë: “...Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij!...” (Kur`an, 65: 3).

Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 12.08.2008

0 komente: