
Po dëgjoja, këtyre ditëve, një ligjëratë për rëndësinë dhe dobitë e muajit të Ramazanit. M’u bë e ditur se rëndësia e këtij muaji është aq e madhe saqë shpërblimi është tejet i madh, madje shpërblim i pakufizuar. Më tej, ligjëruesi foli edhe për dobitë e Ramazanit në të gjitha aspektet e tij. Filloi prej aspektit shpirtëror, që do të thotë se agjërimi në këtë muaj ta forcon zemrën dhe ta ndriçon atë, ndonëse ndoshta gojën mund ta kemi të tharë. Vazhdoi duke e cekur aspektin shëndetësor, duke sjellur argumente ekzakte shkencore se agjërimi i pakëson rrahjet e zemrës si dhe i parandalon shumë sëmundje tjera të cilët shkaktohen si rezultat i tejngopjes etj. Ligjëruesi i nderuar po i numëronte dobitë e tij dhe dobia e ardhshme të cilin e ceku ishte tërësia prej aspektit social dhe ekonomik. E para nënkupton që në këtë muaj dukshëm shtohet dashuria mes të afërmve, ndaj të varfërve, ndaj të pastrehëve si dhe ndaj gjithë pjesës tjetër të margjinalizuar të shoqërisë. Ndërsa, sa i përket aspektit ekonomik, e dimë që të gjithë se në këtë muaj reduktohet theksi në blerjen e gjërave luksoze dhe atyre dytësore e tretësore dhe se kjo implikon që xhepi i njerëzve të jetë më pak i zbrazur. Ja, mbërriti ligjëruesi tani në dobitë e përgjithshme nga Ramazani të cilat historia i ka shënuar si ngjarje me peshë të madhe. Numërojmë Natën e Kadrit – natë në të cilën Kur`ani Famëlartë ka filluar të kontaktojë për së pari herë me tokën dhe me njerëzit. Më pas, fitorja në luftën e Bedrit – akt i cili ndërroi fatin e muslimanëve në tërësi dhe bëri të mundur që ne sot të themi se jemi muslimanë. Çlirimi i Mekes, vend ky në të cilin gjendet Qabja e bekuar – qendra jonë rreth së cilës për çdo vit sillen me miliona haxhilerë etj etj...
O të ndritur të këtij qyteti! O ju të cilët me krenari thirreni se jeni të qytetit të madh të Kumanovës! O ju të cilët i hijeshonit krahët tuaj duke e mbajtur pushkën në dorë kur ajo ishte e domosdoshme të mbahet! O ju të cilët me të vërtetë meritoni të konsideroheni ajka e shoqërisë, pra, o ju intelektualë dhe që të gjithë ju, o besimtarë të nderuar! Ndaluni për një moment që ta ndajmë së bashku një emocion, një ndodhi të madhe që ka ndodhur në ditën e dytë të Ramazanit e cila përkon, poashtu, me ditën e dytë të shtatorit. Është një ndodhi e cila duhet të kihet parasysh në vitet e ardhshme të shënohet në radhat e festave tona, madje, flas për ata që prodhojnë kalendarë për namazet në muajin Ramazan, shënojeni me shkronja të arta këtë ditë! Pra, me dy shtator ndodhi një gjë që asnjëherë më parë nuk ka ndodhur në këtë nënqiell. Nënat, motrat e gratë tona kanë marrë pjesë në faljen e namazit në xhami!!! A e dini, vallë, se çka do të thotë kjo? Me siguri se e keni dëgjuar hadithin e Pejgamberit të fundit – Muhammedit, alejhi selam, se kush e ringjall një traditë të tij, shpërblimet për të nuk do të ndërprehen sa të vazhdojë të veprohet ajo traditë! Pra, ju lumtë përgjegjësi-bartësve të xhamisë së epërme të Kumanovës të cilët morën këtë iniciativë kaq madhështore për ringjalljen e kësaj tradite...
Le të ketë të mundur të shkelë në këtë vatër të përgjithshme të muslimanëve edhe muslimania shqiptare e qytetit të Kumanovës. Le të ketë edhe ajo, pra, një vend ku mund ta adhurojë Zotin e vet! Le të ketë një kat edhe për të ku do të mund t’i ndajë hallet e veta dhe ku do të mund të dëgjojë për rregullat të cilat duhet t’i zbatojmë që të gjithë!!!
Pra, besimtarë të nderuar! Për hajr na qoftë të gjithëve ky muaj kaq me gjurmë të mëdha! Për hajr na qoftë edhe thyerja e kësaj tabuje se femra duhet të qëndrojë vetëm në shtëpi! Për hajr na qoftë edhe inkuadrimi i saj në mbartjen e barrës së muslimanëve dhe shpërndarjes së Fjalës së Allahut të Lartësuar! Paçit agjërim të lehtë dhe dhashtë Zoti që të takohemi që të gjithë kështu në Parajsën e Tij për t’i shijuar të mirat që janë përgatitur enkas për besimtarët!
Shkroi: Arsim JONUZI, 03.09.2008

0 komente:
Post a Comment