Thirrje e vockël


Na erdh urdhri të jemi të sjellshëm. U urdhëruam që edhe të punojmë sipas modeleve që i zbriti Ai. Na u bë e ditur se vërteta dallon nga e pavërteta dhe se distanca mes tyre është tejet e gjatë. Disa njerëz nuk qenë të aftë ta perceptojnë këtë dhe përgjithmonë mbetën të përvuajtur! Mjerimi i tyre shkon vetëm në rritje dhe është tepër i dendur, saqë ndokujt as lukset privilegjoze nuk po i ndikojnë në shuarjen e anktheve shpirtërore. Vrapohet pas lëngjeve “qetësuese”, të cilave, në fakt, duhet shtuar përpara shkronjën “sh”. Të tjerët mjegullohen me “shkopinjtë e butë” në brendësinë e të cilëve gjendet një substancë që madje edhe për nga ngjyra është e pahijshme. Më “përparimtarë” në vazhdën e kësaj rruge janë përdoruesit e “miellrave” që për çdo ditë vetëm po përpunojnë verzione të reja. Vaj halli për ta! I Madhërueshmi nga dashuria që ka për ne, na tha: “...mos e mbytni veten tuaj!...” (Kur’an, 4: 29).
Tabori tjetër, i cili poashtu nuk ia do të mirën vetes, përbëhet nga ata që trupin e mirëmbajnë, madje harxhojnë kohë të tepërt për t’u dukur sa më bukur. Këta qahen e çirren nëse u mungojnë elementet ditore që ata i shohin si bazë të jetës. Në strajcë, pra, duhet të kenë: preparatin më të shtrenjtë për flokë, celularin më të ri të trendit botëror, njëqind-denarëshin për ta kaluar pjesën më të madhe të ditës nëpër internet-kafe të ndryshme duke muhabetuar me lloj-lloj njerëz të kalibrave të ndryshme të kontinentit tonë e fqiut – Amerikës si dhe pesëqind-denarëshin për të ngrënë diç speciale në lokalet e VIP-ave. Veten e konsiderojnë princër dhe sillen sikur t’i kishin çelësat e dunjasë në xhepat e tyre. Duken gazmorë dhe dhëmbët e tyre janë shumë të njohura në mesin e njerëzve. Mezi presin që të bashkëtakohen diku me njerëzit e zemrës së tyre me qëllim që ta përgojojnë njërin e të thurrin ndonjë shpifje për tjetrin. E dimë hadtihin që na ka lënë i Dashuri ynë, ku na porosit ta shfrytëzojmë, rininë, kohën e lirë, shëndetin, pasurinë si dhe jetën para se të na zgurdullohen sytë, e këta le të vazhdojnë me rrugëtimin e vet...!
Do t’i përmendim edhe pjesën më të zgjedhur të shoqërisë, pra, eprorët tanë. Le t’u buzëqeshë fytyra se dikush po i përmend në letrat e veta të pafuqishme dhe le të mos brengosen se emri do t’u përmendet deri sa të jenë në atë ulëse ku gjenden tani! O ju të dashur dhe shumë të respektuar! Kujtojeni hadithin e udhërrëfyesit tonë në të cilin thoshte se të qeverisësh gjashtëdhjetë minuta me drejtësi është diku e barabartë me gjashtëdhjetë vjet namaz nafile! Pse nuk po e kujtoni ose mësojeni nëse nuk e dini se udhëheqësi i drejtë është shumë i dashur te Allahu, madje çdo udhëheqës i drejtë do të ketë hije në atë Ditë kur nxehtësia e Diellit përcëllues do t’i kaplojë të gjithë dhe po të njëjtit do të jenë të zhytur në djersë e ju, o të nderuar, e keni shansin t’i shpëtoni asaj vështirësie. Qeverisni me drejtësi dhe mos i mbushni xhepat tuaj se mjaft i keni të mbushur, por shikoni e mbusheni ndonjë stomak që nuk ka ngrënë me orë të shumta e ndoshta edhe me ditë! I njohuri dhe shumë i respektuari i trevave tona shqiptare – Jakup ef. Asipi (Allahu e kënaqtë në Xhennet!) thoshte: “O politikanë! Mos bëni politikë me ne, po për ne!”. Allahu Ekber! A nuk po jua vret aspak ndërgjegjen tuaj, vallë?
Pra, a s’është koha që t’i japim fund mjerimit? Shumë njerëz kanë hapur organizata për t’i kuruar të varurit nga droga. Shumë ekspertë kanë prodhuar lloj-lloj medikamenti e kanë shënuar shumë teknika për ta larguar duhanin – dashakeqin tënd si dhe mu ata po propozojnë sportim pak më të gjatë dhe marrje me punë të tjera argëtuese me qëllim që ta zvogëlojnë pirjen e alkoolit. Në rregull, me vend e kanë! Vetëm se në tërë qjotetin vera ka shkuar si lum kur Pejgamberi, alejhi selam, ua tha ajetin ndalues për këtë gjë! Islami ka ilaç edhe për ata që nuk u jetohet dhe këqyrin vetëm si ta shkelin kohën duke u marrë me kotësira. Ai, o i dashuri im, ka paraparë model edhe për ty. Pra, ai të ka këshilluar që të merresh me dituri, sepse në atë mënyrë do të jesh profitabil për të gjithë, po ç’është më me rëndësi se edhe vetvetja jote do të të dojë më shumë. Kur ta arrish gradën e dijetarit, edhe gjallesat tjera, krahas njerëzve, do të të duan dhe do të bëjnë dua për ty apo ndoshta, vallë, as duaja nuk të intereson? Përfundimisht, pra, ty, mua dhe të gjithë të tjerët një ditë do të na fusin me një gropë. A keni parë se si njerëzit thejnë këmbë e duar për ta gjetur ndonjë lexues sa më të mirë të Librit të Allahut dhe pastaj sevapet e leximit t’ia bëjnë peshqesh atij të vdekurit. Nuk jam kundër e as për të kundërshtuar! Tendenca është ta vë në dukje se me vdekjen e njeriut, i përfundohen të gjitha punët në përjashtim të disa punëve të pakta, e ndër to është që saherë që ta shfrytëzojë ndokush ndonjë shkronjë që ti e ke shkruar, Allahu do të gëzohet me ty dhe do të ta regjistrojë një të mirë në konton tënde të Regjistrit të Vet.
Për në fund, ju që i miratoni ligjet që unë i respektoj... Vishuni bukur e zbukurohuni sepse ajo nuk është gjë e keqe, po madje është edhe porosi nga Allahu i Lartësuar dhe nga i Dërguari i Tij! Mos u brengosni për të holla se nuk mbeteni pa to! Secili njeri e ka rriskun e caktuar nga Furnizuesi. Mbani drejtësi mes njerëzve se për atë jeni zgjedhur nga ata! Mbushjani mendjen njerëzve, e jo vetes, se jeni transparentë! Kini dro Allahun pak më tepër se njerëzit tjerë, ngase në supe keni një barrë që për njerëzit tjerë ajo është e pashijuar, që do të thotë se për ju konsiderohet edhe si privilegj! Udha për të qenë i devotshëm, megjithëse është pak e zortë, por është e mundur, edhe atë për secilin njeri. Ibrahim ibën Et-hemi (Allahu e mëshiroftë!) na tregoi ato gjashtë dyert dhe na vizatoi skicën se çfarë duhet bërë e çfarë nuk duhet bërë për të qenë i devotshëm. Kam në mendje se edhe për vlerat tjera, dijetarët tjerë (Allahu ua dhashtë Xhennetin!) kanë dhënë skica e rrugë se si të arrihet deri tek to. Drejtësia dhe ndershmëria që ju duhet ta zbatoni janë gjëra të qarta! Nuk ju duhet të mbani kurse mujore e vjetore për të marrë vesh se si po dashka të jesh i drejtë e i ndershëm. Ajo që do të rezultojë në vijim pas ndershmërisë suaj, patjetër se do të jetë dobiprurëse për të gjithë ne. Zemrat tona do të jenë më të kënaqura, ndërsa ju gjumin do ta bëni më të rehatshëm, fytyra do t'ju buzëqeshë me më shumë shkëlqim dhe i Madhërishmi do të krenohet para engjëjve me mëkëmbësit e Vet drejtësi-zbatues në këtë rruzull. Pra, përgjigjuni pozitivisht thirrjes dhe shfrytëzojeni rastin që të jeni për dy shkallë më lart se masa!
Dhashtë Zoti që muslimanët të përparojnë e të jenë në majë të akademive! Me lejen e Tij do ta pushtojmë tërë shkencën, ashtu siç ka qenë ajo në një kohë në duart tona! Me lejen e Tij, gjithashtu, do t'ia ndërrojmë edhe një herë e shumë herë ngjyrat botës. Këtë gjë e ndërmorrën disa burra para nesh, të cilët numëronin më pak se ne, e numri ynë ta mbush syrin pak më shumë, veçse nuk duhet të frikësohemi nga pushka e zbrazët! Një mik imi thoshte: "Prej pushkës së mbushur frikësohet vetëm njëra palë, kurse prej së zbraztës frikësohen të dy palët!". E analizova për disa çaste dhe m'u ndrit në mendje se paska dashur të thojë që njeriu kur nuk ka plumba në pushkë, ia drejton atë armikut, porse edhe vetë ai ka dridhje këmbësh, pra, duke menduar se mos po e kupton ky (armiku) se akti që po bëhet ndaj tij është kamuflim! Pra, "pushka" e muslimanit është gjithmonë e mbushur dhe, si rrjedhojë, pra, ai s'ka arsye të hezitojë! Dhashtë Zoti që të vdekurit tanë të mëshirohen, të sëmurët të shërohen, të varfërit të pasurohen, tiranët të zbuten, udhëheqëit të drejtohen dhe, në përgjithësi, të ngritet vetëdija ndër njerëz! Amin!

Shkroi: Arsim JONUZI, 14.01.2008

Kur'ani - burim i udhëzimit dhe ndërtues i jetës


Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Falënderimi e lavdërimi i takon vetëm Allahu Fuqiplotë – Sunduesit të gjithësisë. Paqja, bekimi, begatitë dhe të gjitha të mirat e të Pasurit qofshin mbi Muhammedin, alejhi selam, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnikë që e ndoqën atë deri në frymëmarrjen e fundit e edhe pasi vdiq si dhe mbi të gjithë ata njerëz që dëshmojnë se nuk meriton të adhurohet askush tjetër përveç Allahut, i Cili është Një!
Allahu i Lartësuar e formësoi njeriun në formën më të mirë dhe pas saj i urdhëroi të gjitha krijesat që t’i nënshtrohen atij, pra, njeriut – veprës më madhështore të Allahut. Shkaku i këtij (nënshtrimi) ishte se njeriu – me dijen e tij të kufizuar – diti diçka më shumë se engjëjt dhe Iblisi. Ja, pra, u dëshifrua ajeti Kur'anor në të cilin Allahu thotë: “...Allahu e lë të humbur atë që e do dhe e udhëzon atë që do!...” (Kur'an, 74: 31). Allahu, thjesht, dëshiroi që Dëshira e Vet të qëndrojë më e larta dhe kaq! Disa prej të pranishmëve të atij Tubimi u pajtuan me faktin se Allahu e udhëzon kë të dojë dhe e lajthit e e poshtërson kë të dojë e disa të tjerë, në fakt, ishte një pjesëtar që u rrebelua ndaj Dëshirës dhe Procesit të Gjykatësit Suprem dhe tha që unë nuk i bëj sexhde një krijese që është krijuar prej një materiali më të dobët nga imi, por harroi se të dytë dhe të gjithë të tjerët e të tjerat janë të krijuar nga një Krijues që nuk as fillim e as mbarim, e mos të flasim më se ka ndonjë materie në Të...
Sikur të gjitha krijesat, pra, të gjithë sëbashku: njerëz, kafshë e sende, të merrnin vendim që t’ia prishnin Planin Allahut, nuk do të kishin pasur mundësi të bëjnë as një gjë më të vogël se copëza e atomit! Plani i Tij, pra, qe që të vijë një mëkëmbës i Veti në tokë. Engjëjt duke e ditur se njeriu do të jetë gjakderdhës e prishës i rendit në tokë, në një farë mënyre, protestuan kur Zoti ua kumtoi lajmin e krijimit të halifit. Megjithatë, ua bëri me dije se Ai di gjithçka dhe u tha të rikujtojnë se ata nuk i dinë absolutisht të gjitha gjërat dhe fshehtësitë.
Në mesin e njerëzimit, Allahu i selektoi më të mirët e tij (njerëzimit), në krahët e të cilëve do të jetë i vendosur Mesazhi, nga i cili Mesazh dridheshin kodrat e shkapërderdheshin gurët! Prej tyre, e përcaktoi njërin që do të jetë udhëheqës i tërë të dërguarve dhe i tërë njerëzve të botës – Muhammedin, alejhi selam. Atij ia dha cilësitë më të mira që do të kishte mundur ndonjë qenie njerëzore t’i ketë. E pajisi, mbi të gjitha, me moral të lartë, me aso vlera që në atë kohë në gadishullin Arabik ishin gjëra (vlera) ende të panjohura. Sa mrekullueshëm që e ka bërë! Vërtet, Ai është më i Madhi! Si nismë, qysh para se t’i shpaloset profetësia, ishte që në mesin e njerëzve e bëri sinonim të së mirës! Më tej, është për t’u habitur se ardhja e tij i gëzoi të gjithë, madje edhe më të pacipët! Mandej, pas një periudhe të caktuar kohore, vazhdimësia e Planit të të Madhërishmit ishte që t’i vijë Xhibrili me fjalën më të artë të të gjitha kohëve: “Lexo!”. Si rrjedhojë, iu çrregullua gjendja të Dashurit tonë për disa çaste ngase vinte nga një Dërgues jo i rëndomtë dhe nga një Postier jo me kapelë me formë cilindrike e me biçikletë! Pra, ai moment njihet si fillim i shpalljes së Kur'anit Famëlartë, i cili është aq i dhimbshëm saqë nuk dëshiron që vepra më madhështore e Madhështorit të përfundojë në zjarr dhe madje dëshiron që edhe teksa janë në këtë botë kalimtare, atyre t’ua ndërtojë një jetë sa më të rehatshme.
Muhammedi, alejhi selam, ka thënë në një hadith: “Po t’i kishit zemrat e pastra, do të shihnit përtej qiejve!”. E barrierë e mospastërtisë së zemrës është, padyshim, imani ynë i ulët. Edhe në bazë të deduktivitetit – metodës së Aristotelit, e edhe në bazë induktivitetit – metodës së Bekonit, arrijmë në konkluzë se pa dituri nuk ka as besim. Rrjedhimisht, pra, me vetëdije të plotë gjykojmë se dituria jonë është e vogël, po dituria ndaj Kur'anit është ende më e vogël! Jo rastësisht Muhammed Abduhu (Allahu e mëshiroftë!) një herë pati thënë: “Kur'ani qenka beqar!”. Është për t’u çuditur se pas gjithë atyre herave që ky dijetar e lexoi tërë Kur'anin Famëlartë dhe pas gjithë atyre analizave që ua bëri komenteve që u shkruan nga dijetarë të shquar për t’i dëshifruar Fjalët e Allahut, ai në një mënyrë jo të zakonshme, respektivisht me britmë, deklaroi se Kur'ani ende është i paprekur për nga thesari i vet i diturive që gjenden në të.
Historianët dhe analistët e botës çuditen se si Muhammedi, alejhi selam – një njeri që u rrit pa mbikëqyrjen e prindërve biologjikë, arriti t’ia ndërrojë ngjyrat botës dhe pastaj në të të rrënjosë rrënjë të thella që nuk do të ketë mundësi askush t’i ç’rrënjosë deri në Ditën e Shkatërrimit, kur asgjë më nuk do të jetë e aftë të qëndrojë në këmbë... Allahu i Lartësuar ia dha udhëzimin atij që në fenë e Tij të thirrë me butësi dhe me urtësi: “Ngrihu dhe tërhiqua vërejtjen (duke i thirrë)!” (Kur'an, 74: 2). Në fillim, ai i thirrte vetëm fshehurazi dhe individ për individ. Të parët që e pranuan ishin shumë pak veta, porse transmetohet se ata nuk kanë lëvizur nga vendi derisa i kanë mësuar përmendësh 10 ajetet aktuale që i zbriste Allahu dhe, përveç kësaj, edhe kuptimin ua mësonin. Si punë të tretë në rendin e ditës e kishin edhe praktikimin e asaj dije që i vinte prej qielli. E ne e kemi në dorë, totalisht të gatuar e të komentuar dhe prapë kërkojmë “gatesa” të tjera...! Rabije Adavija (Allahu e mëshiroftë!) në mënyrë sarkastike i përqeshte të marrët duke u thënë: “O ju të mjerë, edhe sa kohë do të trokisni në një derë që është e hapur?”.
Vallë, a ka fytyrë dikush të thojë se Kur'ani ka lënë disa punë të gjymta? E prej të prishurve ka të atillë që shprehen si vijon: “Kur'ani ka qenë “bombë” për një kohë, por në këtë shekull, shkenca dhe teknologjia janë triumfuese, kështuqë...!”. Subhanallah! Përderisa, shekuj më parë, disa “të mençur” pretendonin se Toka është pllakë dhe është e vendosur në shpinën e tre balenave të mëdha, pastaj përgatitnin broshura e mbanin ligjërata që t’u thonë njerëzve të mos bëjnë shumë rëndesa në këtë “pllakën” me qëllim që balenat mos të lodhen, sepse përndryshe na hudhin poshtë...dhe na kënaqnin me shumë e shumë fantazira të ngjajshme, në atë kohë, Vetë Krijuesi i gjithësisë me gjithë çka ka në të, në Librin e Tij tha: “Nga argumentet e Tij është që me fuqinë e Tij bëri të qëndrojë (pa shtyllë) qielli e Toka...” (Kur'an, 30: 25). E me këtë ua mbylli gojën murgërve, njëherë e përgjithmonë, që shpiknin gjëra për interesin e vet personal. Ndonëse ata ishin me dijeni se janë qenie njerëzore, që do të thotë se kanë nevoja biologjike e sociale, megjithatë, qepeshin vetëm pas aspektit shpirtëror, ndërsa aspekti biologjiko-reproduktiv dhe ai material harrohej në tërësi. Kur'ani u thotë: “...Martohuni me ato gra që ju pëlqejnë; me dy, me tri e me katra! E nëse i frikoheni padrejtësisë ndaj tyre, atëherë vetëm me një!...” (Kur'an, 4: 3), ndërsa ata donin t’i “tregojnë” Allahut se përmbahen nga epshi, kështuqë, ky ajet nuk kishte vlerë për ta! Materialistët janë të vendosur në pikën tjetër ekstreme, që do të thotë se e bënin dhe e bëjnë të kundërtën nga këta “të zhyturit në adhurim". Pra, ata synim të parë dhe të fundit e kanë vetëm përfitimin material duke harruar se një ditë do t’u shkapërderdhen kockat dhe pastaj prapë do t’u rikompletohen. E Kur'ani Famëlartë nuk e lë ithtarin e vet në lloç! Ai ia ndërton jetën atij me tullat më të forta që mund të ekzistojnë. Pra, ai porosit që besimtarët të kenë barazpeshë në të gjitha çështjet, pa mos u dhënë shumë pas njërës dhe duke mos e harruar as tjetrën. Allahu në Librin e Tij thotë: “O ju që besuat! Mos i ndaloni të mirat që për ju i lejoi Allahu dhe mos e teproni, se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (i kalojnë kufijtë e dispozitave të Zotit)!” (Kur'an, 5: 87).
A thua, vallë, vetëm kaq? A vetëm të na rregullohet jeta sa të jemi në botë? Përkundrazi, o ti njeri i nderuar që po i lexon këto shkronja! Qëllimi i jetës nuk është që të jetojmë përjetësisht, por të vdesim njëherë e pastaj amshueshmëria të vijë në rend. E, si rrjedhojë, pra, Kur'ani nuk e ka vënë tërë potencialin e vet vetëm në një segment, respektivisht në kamje të një jete shpirtërisht të rehatshme derisa jemi në këtë jetë! Përndryshe, Allahu thotë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë!” (Kur'an, 51: 56). Shumë e qartë pra, qëllimi ynë primar është ta adhurojmë Atë që e meriton një gjë të tillë. E jeta e kësaj bote është ferr për ne, kështuqë, përse, vallë, të synojmë të jemi të përjetshëm për të?! Le të jetë kjo botë për ata që tani ajo konsiderohet si parajsë në krahasim me atë se çfarë do t’i gjejë në botën e ardhshme! Përfundimisht, pra, Kur'ani na ndërton edhe të ardhmen. Le ta thojë ndokush, tani titullin e ndonjë libri që është më dashamirës ndaj lexuesit të vet se ky libër! Le të gjejë ndokush ndonjë libër, kaptina e të cilit fillon me “a,b,c”, sikurqë shumë kaptina të Kur'anit fillojnë me shkronjat arabe si: elif, lam, mim e kështu me radhë! Le të gjejë ndokush ndonjë libër që për 14 shekuj të tërë nuk ka pësuar përmirësim e as ndonjë ndryshim tjetër! Analizojeni se çfarë i kanë bërë Biblës! “Të gjorën” e lodhën me ndryshime, modifikime e me përmirësime me qëllim që të jetë sa më shumë në trend me kohën...! Me siguri se ajo është duke rënkuar, po ne s’e dëgjojmë... Tërë ditën librat e psikologjisë dhe të filozofisë së kotë le të mundohen t’i shërojnë të sëmurët me sëmundje shpirtërore, por kot e kanë! Le të ngjallen edhe 100 Sigmund Frojda të tjerë me lloj-lloj psikanaliza të reja e të sofistikuara, se askush nuk mund t’i bëjë konkurrencë Librit të Allahut! Nëse, eventualisht, ndodh që të shërohet ndokush në duart e me teoritë e tyre, megjithëse shërimi është në Dorë të Allahut, prapë pacienti në fjalë nuk është i shëruar, ngase ai (shërim) është thjesht dislokim prej një errësire në ndonjë tjetër, kurse Kur'ani synon që: “...t’ju nxjerrë ju prej errësirave në dritë...!” (Kur'an, 33: 43). Tani le të bëjmë një retrospektivë se cili psikanalist apo psikanalizë e ka përmendur errësirën në shumës dhe dritën në njëjës!!!
E lusim Atë që duhet lutur që të na udhëzojë në atë rrugë që Ai e ka paraparë për robin e Vet! I lutemi, gjithashtu, Atij që t’i koordinojë hapat tona me Koordinatat e Tij precize dhe, rrjedhimisht, të na hapë edhe sytë e zemrës sonë, mirëpo, prapëseprapë, çështje primare i kemi sytë e ballit, pasi, në një farë mënyre, jemi duke u bërë si ata “largpamësit” që ajo robëresha e Allahut i porositi që të mos trokasin në derë ngase dera ishte e hapur...

Shkroi: Arsim JONUZI, 03.01.2008