Me metodë misterioze


Tanimë është më ndryshe...! Bindja me dashuri trokiti për një çast nëpër organe dhe pyeti për një fund sa më të shpejtë të mënyrave të së kaluarës duke paraqitur një mostër më të rehatshme. Vetja tanimë e di se mendjehollësia vërtet po ekzistoka! Po cila mendjehollësi? Ajo që më parë thuajse plotësisht qe e ndryshkur nën mbulesën e mendimeve megalomane: Unë jam i këtillë dhe një tjetër banon në territorin e Brazilit, të tjerë nuk ka!
Është, pra, një dorë me plot margaritarë që troket në një dhomë dhe aty gjen një njeri duke qenë i ulur në mes të dhomës, i cili kishte derdhur shumë mund që ta gjejë mu mesin e dhomës dhe aty të qëndrojë... Ishte goja e artë që e lëvizi prej vendi pa e prekur as edhe me gishtin e vogël! U çudit e tërë dhoma nga ky akt! I tha vetëm një fjalë: “Vallë, a s’ke turp?” dhe doli jashtë. Në të kthyer, i shqyer nga brengosja se nuk e takoi kur doli për ta thirrë, pa një letër që ia kishte hedhur nga dritarja e murit tjetër të dhomës. Në të thuhej: “O i dashuri im! Çështja e parë: Ka njerëz që e masin veten me gramë, e ty të është prishur edhe kategoria e kilogramit! E dyta: të mençurit e kanë shkas ardhmërinë për të vepruar mirë e ti e ke shkak të tashmen për të bërë ndonjë vockëlinë që, sipas mendimit tënd, është kolosale! Çështja e fundit: Dituria dhe puna duhet të të çojnë kah futja nën ombrellën e shpëtimit, e jo kah perfeksionimi në gjëra që, nëser, në Ditën kur shumë flokë do të shkulen, ti vetë do t’i shkulësh flokët tua me pendim për ato gjëra!”.
Për një çast, madje edhe gishtat kërkonin leje për të lëvizur nga frika se mos po “thyhen”... Në atë çast, edhe tavani i dhomës ishte puthur me dyshemenë, por s’kishte lidhje më; copëzat largoheshin me buzëqeshje! Buzëqeshja veç e kishte marrë rolin e timonit në rrugëtimet e dyrrotëshit... Ishte ajo buzëqeshje që gjeneronte elan për të pasur vetëbesim më të thellë, për të qenë më mendjehollë dhe për të qenë më elastik në vetëdijësimin e vetvetes. Mirëpo, ishte një gjë në të cilën u tregua jo e aftë sa duhet...sektori i vazhdimësisë!!!

Shkroi: Arsim JONUZI, 31.05.2008

Shejtani nuk lodhet dhe është këmbëngulës


Nëse shejtani i mallkuar dështon në një fazë, ai nuk dorëzohet dhe vazhdon të orvatet edhe më tej duke qëndruar në rrugët e të mirave (punëve të mira), ashtu siç pati pohuar: “...Për shkak se më humbe mua, unë do t’u ulem atyre (do t’u zë pusi) në rrugën Tënde të drejtë! Mandej, do t’u sillem atyre nga para, nga prapa, nga e djathta dhe nga e majta e tyre, e shumicën e tyre nuk do ta gjesh që do të Të falënderohen (të besojnë)!” (Kur`an, 7: 16-17).
Këto fjalë dëshmojnë për shtrirjen e madhe të përpjekjeve të tij për t’i çudhëzuar bijtë e Ademit. Ai u vjen atyre (bijve të Ademit) nga të gjitha rrugët: nga e djathta, nga e majta, nga para dhe nga prapa.
Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Shejtani i mallkuar qëndron në pritë për njeriun në të gjitha rrugët e këtij. Në rrugën e Islamit, i thotë: “A do të bëhesh musliman dhe do ta braktisësh fenë e të parëve të tu?”. Nëse personi nuk i bindet, pra, nëse e pranon Islamin, ai, më pas, do t’i dalë përpara në rrugën e hixhretit dhe do t’i thojë: “A do ta lësh tokën dhe qiellin tënd? Nuk është e udhës të bësh kështu!”. Nëse personi nuk i nënshtrohet dhe e vazhdon rrugën, i mallkuari do ta takojë në rrugën e luftimit në rrugë të Zotit dhe do t’i thojë: “A do të shkosh që të luftosh dhe do ta lësh pasurinë tënde në rrezik? Mos shko se mund të vritesh dhe gruaja jote do të gjejë bashkëshort tjetër! (Në një transmetim tjetër edhe: “...dhe fëmijët tu do të mbesin jetimë!)”. Nëse personi nuk i bindet dhe vritet, i Lartësuari do t’ia sigurojë të drejtën për të hyrë në Xhennet!” (Transmeton Ahmedi).
Madje, edhe në buzë të vdekjes, shejtani i mallkuar nuk e lë të lirë besimtarin me tentimin e fundit për ta rrënuar adhurimin jetësor të tij (besimtarit), prandaj Pejgamberi, alejhi selam, kërkonte mbrojtje tek Allahu i Lartësuar prej shejtanit të mallkuar: “...Kërkoj mbrotje tek Ti (o Allah) nga të qenët i çrregulluar nga shejtani i mallkuar në prag të vdekjes!...” (Transmeton Nesaiu).
Në këtë mënyrë, pra, shejtani asnjëherë nuk do të dëshpërohet plotësisht dhe do të vazhdojë të devijojë njerëz nga rruga e drejtë. Pra, çdo njeriu i është vënë një shejtan që e përcjell kahdo që shkon, në bazë të hadithit të Pejgamberit, alejhi selam, që e argumenton këtë ku thotë: “Çdo njeri ka nga një shoqërues prej xhinëve dhe një tjetër prej engjujve!”. Të pranishmit thanë: “O i Dërguari i Zotit! A edhe ti ke të tillë?”, ai ua ktheu: “Po, veçse xhini im është bërë musliman dhe më inkurajon vetëm për të mirë!” (Transmeton Muslimi).

Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 23.05.2008

Burimi:
www.qsep.com