Shpërthim lotësh


Si një mëkatar i llojit të praruar, kërkoja, mu sikur vjedhësit, një strehim që do të më mbështjellte nga të tjerët. Një mbështjellëse të atillë që është e lehtë për t’u gjetur. Është kështu pasi kjo botë është e tillë. Mëkaton, mund të mos vërehesh; pendohesh, fiton duartrokitje! Ç’tu bësh njerëzve të mirë e të vetëkënaqur që te ti e shikojnë vetëm atë që e ke të mirë, kurse të keqen ta mbulojnë para të tjerëve dhe kur të vetmohesh me ta, të këshillojnë duke përdorur ton të butë, ti thua është kah bie ndonjë shi i qetë e qetësues...
Vallë, a s’është pasuri kur ke shokë të këtillë? Vallë, si të mos gjesh kohë, si rrjedhojë e kësaj mirësie, pra, për t’u lutur për ta? Të arsyeton derisa ke edhe një milimetër hapësirë për ta kaluar të kuqen. Të kap për dore, të thërret me nofkën “bukurosh” dhe të jep nga nuri i vet që e posedon në fytyrë. Ah, po sikur gjithë të këtillët të takohen në Kewtherin e premtuar, ballë për ballë me të Dashurin e zemrave tona e sikur ai, pastaj, t’u thojë: “Ku ju kam, o vëllezër? Pasha Atë që na ka mëshiruar, saherë që ju duheshit mes vete, ky Lumë gurgullonte edhe më ëmbël në shenjë gëzimi se ju do të pini nga ai!”...
Mirëpo, për të qenë atje, që të gjithë bashkë, nga robi kërkohet që ta pastrojë vetveten, të pendohet dhe të punojë punë të mira, prej të cilave është edhe leximi i Kur`anit Fisnik. Pikërisht, gjithashtu edhe duke u bazuar në fjalët e të dashurit Muhammed alejhi selam se leximi i Kur`anit është gjallërim i zemrës dhe që ta ripërtërin besimin, ia nisa ta dëgjoj kaptinën e tridhjetë e shtatë, atë të Të Rreshtuarve Në Rreshta. Me të filluar, aq shumë filloi të më prekë zëri i lexuesit, saqë thashë që do të më përlotte shumë më tepër se herave të tjera...
E bëra një krahasim mes një dite të rëndomtë, në të cilën mëkaton biri i Ademit dhe Ditën e gjatë të Llogarisë kur i njëjti bir i tij do të qëndrojë në këmbë për disa vite më radhë. Gjithashtu, e risolla në mendje se si mbeten të fshehura shumë gjëra në këtë botë. E imagjinova edhe mëkatarin mendjemadh duke ecur vërdallë me kokën lart, pasiqë asnjë nuk e ka gjykuar e dënuar. I tilli jeton ashtu pa e prishur tertipin dhe nuk e çon në mendje ajetin e 24 të kësaj kaptine, ku thuhet: “Ndalni ata, sepse do të merren në përgjegjësi!” Ah!!! E hoqa prej mendje atë të mjerë dhe fillova ta pozicionoja veten në turmën e atyre që në Ditën e Llogaritjes do të shikojnë të gjejnë ndonjë vrimë për t’u fshehur nga Shikimi i të Madhit, ndonëse kjo është e pamundur. E paramendova veten të zhveshur ashtu siç u pata lindur, i djersitur, duke e pasur kokën te poshtë e duke kërkuar ndonjë vrimë për të mos u dukur, më shkoi ndër mendje sikur i Madhi Allah të më drejtohej: “Ndalu ti, o bir i nënës sate! Do të merresh në përgjegjësi!” Atë Ditë me siguri se do të shtangesha i tëri, ndërsa, këtu, ende duke qenë në këtë botë, m’u shtang vetëdija e, dikur më pas, thashë: “Vetëm vdekja më ndan nga kjo fjali!!!” Fillova të qaj ashtu me dënesë, saqë volumi i lotëve vetëm po rriteshte...
O Zoti im! Po të lus me të gjitha Emrat e Atributet që i ke, të mos ma thuash këtë fjali! Mos ma thuaj, o Zot, të lutem, ngase vërtet do të shtangesha! Bëne të mundur që mos të jem në grupin e atyre fatzinjve, të cilëve do t’ua thuash këtë që e ke përmendur në Librin Tënd! O Zoti im! Nuk dua ta harroj edhe një gjë! Mos ua thuaj këtë fjali as atyre të ndriturve, të cilët më thirrnin “bukurosh”!!!

Shkroi: Arsim JONUZI, 09.07.2008

Në kontrast me valën


Furnela qe ndezur. Ne jemi qenie që harxhojmë dhe konsumojmë çdo ditë. Ky është një fakt i pamohueshëm dhe askush nuk mund ta mohojë në aspektin teorik. Ata që mundohen t’i kundërvihen këtij fakti në aspektin praktik, ata kanë nevojë për risocializim a risoditje. E karrigeja me ngjyrë të bardhë më ftoi mua të jem sipër saj...
Nga këndi e vështroja enën në të cilën kishte, me sa duket, një gjellë që po përgatitej për t’u ngrënë. Nuk isha në dijeni se çfarë kishte brenda saj konkretisht. Mendtë më vërviteshin për të marrë vesh se çka kishte, por preferova të mos zgjohesha. Një mendim më thoshte se ka një gjellë të caktuar, një tjetër më thoshte se ka tjetër dhe ky shtegtim vazhdoi derisa m’u adresua një zë duke më bërë me dije të përkujdesesha për enën me ujë...
Disi i dëgjoja gjëmimet e pikëzave të ujit që u shkaktoheshin nga të nxehtët që vinte prej poshtë. Aq prej nxehtësisë, ato kishin filluar t’i thonë kapakut t’ua lëshojë udhën, përndryshe do ta dëbonin. Ndërkaq, kontrasti varionte proporcionalisht. Dikur uji qëndronte i qetë e mendja ime rendte andej e këndej për të marrë vesh se çfarë kishte brenda. Më vonë, u bë e ditur me anë të “lugës” se çfarë ka, ndërsa uji filloi të mos ndjehet mirë, për shkak se dihej se kishte filluar të nxehet mjeti përmbi të cilin po qëndronte. Për mua tanimë ishte e ditur gjithçka e as te uji nuk mungonte kjo! Sidoqoftë, trajta dhe simpatia ime pësuan ndryshim në dobinë time, kurse ujit iu imponua ndryshimi i trajtës e, sa i përket simpatisë, ajo vetëm se u keqësua edhe më shumë, që do të thotë se nuk ishte aspak e mirë, madje ishte përbuzje e nënçmim!
Shpirti i bindur kishte dëshirë që mos ta humbë vetëmjaftueshmërinë; synonte të hynte në turmën e robërve të të Madhit, andaj, edhe e çoi në vend premtimin, pra, e thirri të ëmën e vet për t’ia bërë me dije se çfarë po ndodhte me ujin e trajtësuar tanimë në valë. Veç kësaj, kërkonte të hyjë në Xhennetin e Tij të Pashterrshëm e, si rrjedhojë, u pajtua të marrë qëndrim mendjemadhesk, në vend se ta pranojë ndihmën e dëshiruar, përkatësisht informimin rreth asaj se çfarë kishte në enë; duroi gjatë gjithë kësaj kohe duke pritur zbardhim dhe nuk e ktheu me të keq, por i lajmëroi kompetentët për situatën në të cilën ndodhej “bashkëanëtari” i atij vendi për banim të shkurtër të quajtur “kuzhinë”. E mira duhet të kthehet me të mirë e lum për ata që edhe të keqen e kthejnë me të mirë!

Shkroi: Arsim JONUZI, 02.07.2008