Mbërthim


Një djalosh, një herë, qe ulur në një stol të bardhë dhe po rrinte. Kishte kohë që kishte qenë duke qëndruar ashtu me kokën poshtë. Sikur po mendonte?! I shikonte ndonjëherë njerëzit që i rrinin përreth dhe rishtaz e ulte kokën, pastaj për ta mbajtur kohë të gjatë ashtu. Çdo herë pasohej me një të ngritur, por zgjaste shkurt. Herë ofshante, herë i gëzohej qëndrimit të vet...
Po të shikoje përtej dritares, do të shihje një mot që ta bënte me dije gjendjen e këtij të mbërthyerit. Flladi i lehtë ledhatonte flokët e gjata dhe të futte në shtegun e meditimit, bile edhe nëse dëshiroje fare pak. Në anën e majtë prej murit, mu afër njeriut, sipas pjesëtarëve të atëbotshëm, të depresionuar, ishte edhe koftori i pandezur. Djaloshi tani dëshironte të bëjë një hap tjetër. U zhvendos në dysheme. E prekte kokën dhe i nguliti sytë në një vend, drejt të cilit u ngulitën edhe sytë e të gjithëve. E, me të vërejtur se ç’kishte qenë duke shikuar, njëri prej të pranishmëve brofi dhe tha: “Ta lëmë, ju lutem! Po e njihni...!”. Djaloshi s’tha gjë, por vetëm ofshau duke ndërtreguar vetëdijshmëri...
Nata kishte filluar të trokasë. Si rrjedhojë, që të gjithë tentuan të gjejnë nga një mbulojë dhe të struken në ndonjë qoshe. E ai po “solidarizohej” me ftohtësinë e koftorit. Që të dytë ishin mërdhirë! Të nesërmen, me të trokitur rrezet e vogla të diellit në dritaren e dhomës, sytë e njerëzve të pranishëm kishin filluar të çelen një nga një dhe, pas një fërkimi që e bënin me duar, drejtoheshin kah vendndodhja e djaloshit. Ndërkaq, ai, me ata sy të lodhur nga ajo natë e gjatë, ende reagonte me sytë e tij duke u dhënë shikim të dhembshur...
Njerëzit filluan ta kruajnë kokën më shumë, pasiqë kishin rënë në hall dhe s’kishin idenë se çfarë të bëjnë me djaloshin e vetëdëbuar. Jepte një ide njëri, e shpërfillte tjetri; jepte një tjetër ky tjetri, nuk vononte shumë, vetë thoshte të mos ia zënë për të madhe se e kishte thënë jo mirë. Hëm, diçka s’ishte në rregull, por çka??? Vallë, mos bëhej fjalë për mosrespektim ndaj atij? Mos e kishte tradhtuar ndokush? Mos e kishte rrahur ndokush? Po, vallë, mos e kishte lënë e dashura? Këto pyetje, pra, dhe të tjera të ngjajshme silleshin në kokën e njerëzve të cilët mendonin me zë, mu sikur Aristoteli. Sikur dëshironin të përftojnë monotoni tek djaloshi. Bah, nuk ia arrinin dot. Qëllimi i tyre jo i sinqertë nuk mbërrinte deri te mendja e djaloshit e aq më pak te zemra e tij...
Ja që itinerarin e tij paradoksal e të pahapur do ta ndërprejë plaku i mençur i rrethinës. Pas dorëzimit të të gjithëve për ta risjellur djaloshin në gjendje “normale”, dhanë aminin që të vijë një prej jashtë dhe ta zgjidhë çështjen. Me të ardhur, pra, xhaxhi Kasim, u zgjuan të gjithë për ta përshëndetur, në përjashtim të djaloshit. Xhaxhi Kasim, siç e quanin i gjithë fshati, ishte një njeri i moshuar i cili i kishte kaluar të tetëdhjetat. Ai kishte dy djem dhe një vajzë: Remziun i cili kishte punuar në arsim; Mirushen e cila ishte motër medicinale dhe Lajdin i cili sapo i kishte kryer studimet post-diplomike në lëmin e arkitekturës. Xhaxhi Kasim, për vete, nuk kishte kryer shkollë, por shquhej për urtësi dhe mendjehollësi të rrallë. Tërë jetën e kishte kaluar si bujk. Përderisa njëri prej nikoqirëve po i servonte çaj mysafirit të sapoardhur, ky i fundit nisi t’i pyesë pjesëtarët e shtëpisë se si i kishin hallet e tyre personale. Ndërkaq, xhaxhi Kasim nuk llastohej shumë në muhabete të përditshme, porse, pasi piu dy çaja, shkoi në prani të djaloshit...
“O biri im! – i tha xhaxhi Kasim – Dëgjomë, por me kusht që të mos thuash asnjë fjalë!”. Djaloshi e kishte ngritur kokën dhe po shikonte në fytyrën margaritare të plakut. Ndërkaq, njëri prej të pranishmëve të padurueshëm me vete nisi të thojë: “Ç’bën, ore, ky plak?! Ne e kemi thirrë ta detyrojë të flasë e jo t’i thojë të mos flasë!”. Shyqyr Zotit që nuk e çeli gojën, sidoqoftë. “Biri im! Tani numëroj tetëdhjetë e tre vjet – vazhdoi më tej plaku. Ndërkaq, kur kam qenë në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare e kam pasur zakon të tërhiqesha në vete dhe të mendoja. S’kishte problem për mua se ç’temperaturë bënte në dhomën time, pra, pa marrë parasysh se a ishte kohë përvëluese apo dimër me ngrica, unë do të qëndroja në atë dhomë për orë tëra, madje mbaj mend kur një ditë pata qëndruar tërë ditën, pa mbulojë, pa bukë, pa botën, pa asgjë, pos mendimeve të mia të cilat atëbotë renditeshin në mendjen time dhe përlaheshin se kush të “ulet” më shpejt në të, demek në mendje pata për qëllim të them, Kushtrim, besoj se je kah më kupton”...
Të gjithë po e dëgjonin me vëmendje xhaxhin Kasim dhe qetësia po mbretëronte në tërë dhomën, gjersa e prishi një telefon celular me një melodi bajate, siç e prish një mizë e vogël afrimin e buzëve mes dy të dashuruarve në puthjen e parë. Që të gjithë të pranishmit i dhanë një shikim qortues e ai u turpërua dhe doli jashtë. Për një çast, plaku u ndal së foluri. Ajo kishte qenë prej strategjisë së tij, ndërsa dy të tjerë dolën jashtë për ta qortuar atë të cilit i kishte cingërruar celulari duke e akuzuar se ia kishte prishur rendin xhaxhit Kasim. Xhaxhi Kasim e vëreu këtë, por nuk ndërhyri mes tyre...
Kushtrimit, tani, iu ngjall kureshtja. U ndal dy-tri herë teksa dëshironte të parashtrojë pyetje kundrejt xhaxhit Kasim, megjithatë, më në fund, vendosi ta çelë gojën dhe të flasë. Rishtaz u ndal kur iu kujtua fjala e xhaxhit Kasim: “Dëgjomë, por me kusht që të mos thuash asnjë fjalë!”. Sidoqoftë, drejtoi disa shikime drejt syve të xhaxhit Kasim dhe iu duk sikur fytyra e tij i thoshte që të flasë, të paktën atij i dukej ashtu. “E çfarë të ka ndodhur pastaj?” – pyeti Kushtrimi, goja e të cilit kishte kohë që s’kishte artikuluar as edhe një shkronjë për një kohë të gjatë. U çuditën të gjithë dhe filluan të mos u besojnë veshëve të tyre. Xhaxhi Kasim, me një maskim sikur kishte nevojë të dalë jashtë, nuk iu përgjigj djaloshit dhe doli nga dhoma. E lëshoi dhomën dhe duke dalë prej saj e thirri edhe një tjetër me vete. Pasi dolën, plaku i tha këtij që të shkojë dhe ta pyesë djaloshin se a dëshironte edhe më tej të fliste me xhaxhin Kasim. Ky bëri ashtu si i tha xhaxhi Kasim dhe kur e pyeti për atë që ishte porositur, djaloshi e lëvizi kokën në shenjë pohimi. Kur doli jashtë dhomës, pastaj, për t’i treguar plakut se si ishte përgjigjur djaloshi, xhaxhi Kasim i tha: “Unë nuk do të hyj në dhomë më, por le ta lëxojë ai këtë letër në vetmi!” dhe nga xhepi i djathtë nxorri një letër që dukej se ishte e vjetër dhe iku...
Ai erdhi brenda, u ul, pushoi pak, e shikoi, më pastaj, xhaxhin Kasim për dritare se a kishte shkuar apo jo, u mendua disa herë se a t’ia japë letrën dhe, përfundimisht, vendosi që t’ia japë atë. “Merre këtë dhuratë nga xhaxhi Kasim! Ai tha që ta lexosh këtë letër duke qenë vetëm!”. Ndërkaq, ky njeriu u tha të tjerëve që ta lëshojnë dhomën dhe ta lënë atë të vetëm. Djaloshi e hapi letrën dhe filloi të lexojë: “O djalosh i bekuar Kasim! Kur kam qenë i ri, edhe unë u pata tërhequr në vete dhe me askë nuk flisja. Më dukej se të gjithë më kanë faj mua dhe se duhet “të ma kthejnë borxhin”. Pra, nuk është kështu, o Kasimi im i dashur! Njeriu është i tillë që shpesh vetë ai prodhon ndjenja të këqija e ligësuese. Kjo është një botë e cila ka për të na përcjellur të gjithëve. Toka po na pret të na hajë, o Kasimi im! Nuk fitojmë asgjë me mbajtjen e tekave e buzështrembërimeve tona. Jo! Definitivisht, jo! Ti je i ri dhe duhet të fillosh të mendosh për veten dhe për të ardhmen tënde. Nesër do të bëhesh me familje dhe ata nuk do të të pyesin ty se a të flitet apo nuk të flitet. Fëmija yt të lyp qumësht dhe ta çan shpirtin në gjysma të vogla me të qajturën e tij. Për më tepër, do të vijë një kohë, o Kasim, që te ti njerëzit do të kërkojnë ngushëllim për kësi punë. E di unë! Besoj fort në këtë! Për në fund, o bukurosh imi, ngritu, fshiji lotët nëse je duke qarë, rregullohu, përshëndeti anëtarët e familjes, arsyetoji edhe nëse ta kanë prishur ndonjëherë dhe mos u kthe më kurrën e kurrës në gjendje të këtilla!!! Me shumë dashuri për ty, xhaxhi Kenan!”...
Kushtrimi veçmë i kishte fshirë lotët, ishte rregulluar dhe kishte dalë nga dhoma. Të gjithë e pritën mos po thotë diçka, por ai shkurt iu drejtua me një përshëndetje dhe ua bëri me dije se po shkonte te xhaxhi Kasim. “Po mirë, o i bekuar, po përse po shkon te ai?” – i tha njëri prej tyre. Djaloshi ia ktheu: “T’i them se edhe unë...edhe unë...!”...


Shkroi: Arsim JONUZI, 20.08.2008

Tetë gjëra


Një dijetar, një herë, e kishte pyetur nxënësin e vet si vijon: “Më ke shoqëruar për një kohë të gjatë, po çka ke mësuar nga unë?”. “Tetë gjëra!” – ia kishte kthyer nxënësi.
E para: I vështrova krijesat dhe zbulova se çdo individ ka diçka në të cilën është i dashuruar, porse kur ai (individi) arrin në varr, gjëja në të cilën ai është i dashuruar ka gjasa të ndahet nga ai. Së këndejmi, gjënë time më të dashur i bëra punët e ndershme, kështuqë, si të tilla, të më shoqërojnë edhe në varr.
E dyta: E vështrova thënien e Allahut të Lartësuar: “E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të Vet dhe ndaloi veten prej epsheve, vërtet, Xhenneti është vendi i tij!” (Kur`an, 79: 40-41). Andaj, luftova kundër vetes, duke i prapësuar dëshirat e epshet derisa ajo (egoja, vetja) u stabilizua në bindje ndaj Allahut të Madhërishëm.
E treta: Vëreja se gjithkush që posedonte diçka të vlefshme, e mbante në vend të mbyllur dhe të sigurt. Më pas, vështrova në thënien e Allahut të Lartësuar, ku thotë: “Ajo që e keni pranë vetes është e përkohshme, e ajo që është te Allahu është e përjetshme!...” (Kur`an, 16: 96). Andaj, kurdoherë që më vinte diçka me vlerë në posedimin tim, unë e adresoja drejt Atij, kështuqë të mbetej në favor timin nga Ai.
E katërta: Vëreja se njerëzit turreshin pas pasurisë, krenarisë familjare e madhështisë, e e dimë se sa të vlefshme janë këto. Sidoqoftë, unë iu ktheva thënies së Allahut të Lartësuar, ku thotë: “...e s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat)!...” (Kur`an, 49: 13). Andaj, punoja, si rezultat i asaj që kam mësuar tek ju, në arritjen e devotshmërisë, kështuqë të jem i ndershëm te i Lartmadhëruari.
E pesta: Vëreja se njerëzit e lakmojnë njëri-tjetrin. Unë mendoja në thënien e Allahut të Lartësuar, ku thotë: “...Ne kemi përcaktuar ndër ta gjendjen e jetës në këtë botë!...” (Kur`an, 43: 32). Andaj, e braktisa lakminë dhe xhelozinë.
E gjashta: Vëreja se (njerëzit) e konsideronin njëri-tjetrin si armiq. Unë, për një kohë, shkova tek Libri i Allahut dhe gjeta se: “Djalli është armik i juaji, pra, edhe ju konsiderojeni armik! Ai e thërret atë grupin e vet vetëm për t’i bërë (ata) banues të Zjarrit!” (Kur`an, 35: 6). Së këndejmi, e lashë tërësisht urrejtjen që e kultivonin ata mes vete dhe e konsideroja shejtanin si armik timin të vetëm.
E shtata: Vëreja, gjithashtu, se njerëzit madje e poshtëronin vetveten në kërkim të furnizimit, ndërsa në Librin e të Madhëruarit gjeta: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj!...” (Kur`an, 11: 6). Prandaj, e përqëndrova veten në atë që I takonte Atij nga unë dhe e anova atë që më takonte mua nga Ai.
E teta: I shihja njerëzit duke qenë të varur prej tregtisë, punës e shëndetit. Unë iu varësova vetëm Allahut të Lartësuar. Ai, në Librin e Vet, thotë: “...Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij!...” (Kur`an, 65: 3).

Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 12.08.2008

Le të lodhem, le të stërlodhem!


Po lexoja historitë e disa njerëzve të suksesshëm, goja e të cilëve s’ka ditur të lëshojë ofshamë, duart e të cilëve s’kanë ditur të rrijnë kryq dhe këmbët e të cilëve s’kanë pasur dert a janë duke shkelur në qilim apo në ferra, qoftë duke qenë të mbathur apo edhe të zbathur. Fytyra e tyre, po shkruan nëpër libra, s’ka ditur të vreroset kur ka qenë puna për t’i ndihmuar tjetrit. Për më tepër, fytyra e tyre është gëzuar për këtë gjë dhe në vete kanë llogaritur se Allahu i Madhërishëm ua ka mundësuar që të fitojnë nga Kënaqësia e Tij me anë të ndihmimit dhe solidarizimit me tjetrin. Ah, sa ëmbël po qëndrojnë këto fjalë në letër! Ndonjëherë më shkon në mendje që nuk e kam të lejuar që ta zbukuroj të thënën time duke përmendur shembuj kolosësh, ashtu duke qenë buzëgaz e i krekosur. Prandaj, lus, së pari, Zotin që t’ua lartësojë gradën këtyre, të njëjtëve dhe të ngjajshmëve me këta viganë. Së dyti, lutem që juve, o viganë të ndershëm, që po jua përmend veprat tuaja të mëdha, teksa jam i ulur në fotele të butë duke shkruar, t’ju rilartësohet niveli në Xhennetet e të Madhërishmit...
Po meditoja edhe rreth një kategorie tjetër njerëzish... O i Dashuri i zemrës sime! Ti më ke porositur që të meditoj rreth krijesave të Krijuesit, posaçërisht rreth atyre që janë të zgjedhur e që vlejnë të merren për model. Ta shohësh në profil një të tillë: ka fytyrë të ndritur, të bukur e të lakmueshme. Më tej, nuri i mjekrës së tij të bën që t’i kapsallitësh sytë për ca herë. Adhurimi ndaj Allahut te këta njerëz është në rend të parë. Çdo gjë tjetër vihet në rend të dytë në agjendën e tyre. Për më tepër, i kanë ofruar debat mëkateve dhe pas poshtërimit që e kanë marrë mëkatet nga këta njerëz, ato rrallë më iu afrohen të këtillëve. Madje, mëkatet përlahen me njëri-tjetrin se kush të mos shkojë te këta njerëz, ngase shumë shpesh ndodh që hanë grushta fytyrës...
Po e krahasoja veten, tani, unë versus të lartpërmendurit. Për një kohë do ta ftoj sinqeritetin dhe modestinë time, që të dytë, ndonëse jo shumë të lartë, si katalizatorë të besueshëm. Krijesat e padukshme ndoshta veçmë e kanë bërë llogaritjen dhe se ajo tabelë do të bëhet e shpallur në Ditën e Madhe. Ah, po, vallë, a do të mundja t’i përballoja emocionet sikur ana ime të jetë sa më e lartë, me vetëdije se gjasat janë minimale për t’ua kaluar atyre. Sinqerisht, o i lexues i bekuar, veten po e shoh sikur të jem në një dhomë, në të cilën gjenden shumë llamba të ndritshme. Nga të tillat fillon të më rrjedhë lëng goja nga bukuria dhe madhështia e tyre. Eh, po ç’dritë rrezatojnë?!!!
A thua, vallë, po ku mbeti titulli? Është strukur ndokund dhe s’është kah bën zë, me siguri. Po pret që të argumentohet esenca e mesazhit për të cilin është hartuar. I mençur është ai! Atëherë, o titulli im i dashur, mua dhe “ty” nuk na ka mbetur tjetër veçse të japim më të mirën prej “nesh” dhe të tentojmë që sa më shumë t’i përngjasojmë këtyre krijesave të cilat marrin frymë, siç marrim unë dhe “ti”, porse ata janë më të bardhë dhe më të pastër në zemër, në mendje dhe në trup. Për këtë arsye edhe janë më të mirë. Si të tillë, ata duket se e kanë fituar kënaqësinë nga Allahu i Lartësuar dhe pranim të veprave të tyre, po, vallë, ç’do të bëhet me “ne”? U bëftë si u bëftë, sigurisht se do të “na” mjaftojë, edhe mua, edhe “ty” që të jemi të regjistruar në Listën e të shpëtuarve. Sa për punët tjera, s’prish shumë punë...

Shkroi: Arsim JONUZI, 08.08.2008

Më keni udhëzuar, por në një rrugë që ju vetë nuk e njihni!


Një herë, ishim në një lundër detare. Papritmas, era u bë e stuhishme, kurse neve na u desh që të strehohemi në ndonjë ishull. Kur arritëm në një ishull, u befasuam kur pamë se nuk ishim të vetmit në të. Aty, pra, kishte qenë një njeri i cili ishte duke e adhuruar një idhull. Ne u prezantuam dhe i thamë: “Asnjëri prej nesh nuk bën siç bën ti!”. Njeriu tha: “Atëherë, kë e adhuroni ju?”. Ne i thamë: “Ne e adhurojmë Allahun”. Ai pyeti: “E kush është Allahu?”. Ne i thamë: “Ai, Froni i të Cilit është përmbi qiej dhe Sundimi i të Cilit është në qiej, në tokë dhe në gjithçka që ekziston!”. “E si e dini se është ashtu?” – pyeti njeriu. “Ai ka dërguar të dërguar tek ne me dëshmi të qarta dhe ishte po ai i Dërguar që na ka informuar për Atë!” – i thamë ne. Më pastaj, sikur po interesohej për këtë çështje, njeriu pyeti: “Çfarë ka ndodhur me të Dërguarin tuaj?”. “Kur e përfundoi transmetimin e Mesazhit, Allahu bëri që ai të japë shpirt” – iu përgjigjëm ne. “Po, vallë, a ju ka lënë ndonjë shenjë?” – tha ai. “Na e ka lënë Librin e Allahut të Lartësuar!” – i thamë ne. “Atëherë ma tregoni!” – na tha. Kur ia dhamë një kopje të Kur`anit Famëlartë, ai tha: “Nuk mund ta lexoj këtë!”. Më pas, ne filluam të lexojmë pak nga Libri i Allahut, me ç’rast qau dhe tha: “Vërtet, duhet t’i bindemi Atij që e ka zbritur këtë Fjalë!”. Mandej, jo vetëm që njeriu e pranoi Islamin aty për aty, por edhe i mësoi mësimet e tij (Islamit) dhe i zbatonte në praktikë me këmbëngulje.
Kur u përmirësua koha, ne qemë të gatshëm të ikim nga ishulli. Njeriu na pyeti se a mundej që ai të ishte udhëtar me ne. Gjithsesi se ne u pajtuam që ai të vijë me ne në lundrën tonë, kështuqë do të kishim mundësi t’i mësonim edhe më shumë kaptina të Kur`anit Famëlartë. Në fund të natës së parë të udhëtimit, i gjithë ekuipazhi ynë qenë gati për të shkuar në gjumë. Ndërkaq, udhëtari ynë i ri tha: “O njerëz, a fle Zoti tek i Cili më drejtuat ju?”. Ne i thamë: “Ai është përherë i Gjallë. Ai është që mbikëqyr dhe që mbron gjithçka dhe gjithkënd. Atë nuk e kap as dremitje, as gjumë!”. Ai na shikoi dhe na tha: “Me të vërtetë, është sjellje e keqe për robin që të flejë në prani të zotëriut të tij!”. Më pas, me një energji dhe vrull të madh u ngrit dhe filloi të falej e zëri i qarjes së tij qe dëgjuar deri në mëngjes.
Kur arritëm në një vend të quajtur Abaadaan (vend në Iranin e sotëm) i thashë shokëve të mi: “Ky njeri është i huaj këtu. Veç kësaj, ai sapo është bërë musliman. Së këndejmi, do të ishte mirë sikur të mbledhnim disa para për të me qëllim për t’i ndihmuar”. Mblodhëm sa mundëm, por kur provuam t’ia japim paratë, ai tha: “Çka është kjo?”. “Këto janë disa para që i mblodhëm për ty, në mënyrë që të të shërbejnë!”. Ai tha: “I madhëruar qoftë Allahu! Më keni drejtuar në një rrugë që ju vetë nuk e njihni! Kur jetoja në shkretëtirë jopjellore në mes të oqeanit, teksa adhuroja tjetër kë në vend të Atij, prapë Ai nuk më linte pa asgjë. Tani, më thoni, si është e mundur që Ai të më bëjë nevojtar kur Ai është i vetmi që e adhuroj? Me të vërtetë, ai është Krijuesi dhe Furnizuesi!”. Pas kësaj, shkoi në rrugën e vet.
Kaluan ditë e ne nuk dinim asgjë rreth vendndodhjes dhe halleve të tij. Dikur morëm vesh se ndodhej në filan vendin dhe se ishte shumë i sëmurë. Kur e takuam, pamë se ishte në agoni të vdekjes. Pasi i dhashë selam, i thashë: “A ke nevojë për ndonjë send?”. “Ai që të solli në ishull, përderisa unë nuk e njihja Atë, më ka furnizuar me gjithë çka më nevojitet!” – më tha ai.
U ula pranë tij, duke menduar se do të qëndroja për një kohë te ai dhe se do ta qetësoja. Për një kohë të shkurtër, më kishte marrë gjumi dhe pashë një ëndërr. Në varrezat e Abaadaanit pashë vajzën më të bukur që ndonjëherë ma ka kapur syri. Ajo po më thoshte: “Ngutu më shpejt për ta varrosur, sepse ka kohë të gjatë që jam kah e dëshiroj me afsh atë!”. Më pas, më doli gjumi dhe pashë se veçmë kishte dhënë shpirt. Ia lava trupin dhe ia vura qefinin. Të njëjtën natë, pasiqë qe kryer funerali, pashë një ëndërr tjetër. Në ëndërr e pashë njeriun tanimë të vdekur si dhe të njëjtën vashë që po qëndronte në një shtrat. Duke qenë i ulur pranë saj, ai vazhdonte së përsërituri ajetin vijues: “Selamun alejkum, me durimin tuaj gjetët shpëtimin! Sa përfundim i lavdishëm është ky vend!” (Kur`an, 13: 24).

Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 07.08.2008