Promovimi i librit të parë me poezi të Hamdi Nuhijut

Në emër të Allahut – të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!
Falënderimet dhe lavdërimet më të veçanta i takojnë Allahut të Lartësuar, ndërsa përshëndetjet tona më të përzemërta ia dërgojmë shpirtit të Muhammedit, alejhi selam, familjes së tij të pastër, shokëve të tij besnikë si dhe gjithë atyre që i përcjellin mësimet e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Të nderuar dashamirë të diturisë dhe të librit, jua bëj me dije se më datë 22 nëntor të vitit 2008, në lokalet e Forumit Rinor Islam – dega në Kumanovë, pas ligjëratës së zakonshme të së shtunës që organizohet nga dega e FRI-së në Kumanovë u bë promovimi i librit të parë me poezi të Hamdi Nuhijut me titull "MENDOJ SE HASA NË GJURMËT", recensues i të cilit është veterani i madh i poezisë – Vehap Kola nga Shqipëria.
Libri në fjalë është një përmbledhje poezish, të cilin e promovova me një kënaqësi të veçantë para 30-35 aktivistëve, anëtarëve si dhe krerëve të lartë të Forumit Rinor Islam në krye me hoxhën e nderuar – Fevzi Musliun, i cili mbajti një ligjëratë të këndshme.
Pas falënderimit që moderatori i mbrëmjes – Zenun Ismaili ia bëri hoxhës së nderuar për mbajtjen e ligjëratës, atëherë, m'u dha rasti që të nis t'i them dy-tre fjalë për mikun – Hamdi Nuhijun si dhe t'ua bëj me dije miqve të pranishëm se në raftin tonë do të shtohet edhe një libër me poezi, nga i cili, nëse e lexon të parën, edhe e dyta të fton vetvetiu. Vazhdova edhe më tej për të shfaqur angazhimet dhe aktivitetet që i bën Hamdi Nuhiju, në krye të të cilëve, në atë rast, e përmenda me theks të posaçëm sajtin
www.poezia-islame.net, flamurtar i të cilit është vetë miku ynë dhe i juaji – Hamdi Nuhiju. Bëra, pak më vonë, një krahasim mes asaj se sa Pejgamberi Muhamed, alejhi selam, i jepte pozicion të lartë poezisë dhe poetëve, gjegjësisht Hasan ibën Thabitit i cili konsiderohej freskues i zemrave të besimtarëve, pa marrë parasysh se a ishin në gjendje lufte a paqeje. Për të mos e tepruar më shumë, fjala, më pastaj, iu dha autorit të librit i cili, me ç'rast tha: "Nuk dua të flas e t'ia prishi hijeshinë ligjëratës së hoxhës së nderuar Fevzi Musliut nga Shkupi, megjithatë, pasiqë po insistoni, do t'i them disa fjalë të shkurtra. Së pari, falënderoj Zotin që ma mundësoi ta arrij këtë sukses, ndërsa, më pastaj, falënderoj edhe Muhamed Murtezin – drejtorin e shtëpisë botuese "Furkan ISM", i cili më ndihmoi financiarisht për daljen në dritë të këtij libri. Këtë libër me poezi e kam shkruar pikërisht në kohën kur isha në shkollën e mesme," – vazhdoi autori, – "kështuqë, ky është një model modest për të rinjtë që të dinë ta shfrytëzojnë kohën, të sakrifikojnë për atë që e synojnë si dhe të shpresojnë në ndihmën e Zotit, sepse ajo gjithmonë arrin, qoftë edhe nëse vonohet pak! Librin e titullova "Mendoj se hasa në gjurmët" për shkak se çdo njeri duhet ta ketë synim të vetin gjetjen e tragjeve që i ka lënë Muhammedi, alejhi selam, si dhe, më pastaj, pasimin e tyre. Për më tepër, karakteri i këtyre poezive është, kryesisht, edukativ-moral. Allahu ju shpërbleftë për dëgjimin dhe paçi sukses përherë!" – tha autori dhe e përmbylli fjalimin e tij.
E rendit ishte që, më pas, të lexohet një prej poezive që autori e zgjodhi dhe ajo ishte poezia "Parafytyroj", të cilën pati nderin ta lexojë Hevzi Zeqiri. Interpretuesi i kësaj poezie, mes tjerash, jehonte me vargjet në vijim: "Kur rrugëve të qytetit ndjeja aromën/Që vlerëson kënaqësinë/Sa botë e pakuptimptë është fjala/Që në heshtje nxit dashurinë...".
Fjala e rastit iu dha edhe hoxhës i cili ishte i pranishëm – Fevzi Musliut, i cili tha: "Allahu të shpërbleftë, i nderuar Hamdi, për punën që e kë bërë dhe që je duke e bërë! Unë kam lexuar edhe shumë artikuj tuaj të tjerë në të cilët trajtohen fenomene të ndryshme shoqërore nga këndvështrimi islam. Dhashtë Zoti, pra, që një ditë edhe ato ta shohin dritën e vet të botimit! Të përgëzoj!".
Normalisht, fjala iu dha edhe kryetarit të degës së Kumanovës të Forumit Rinor Islam, njëherit edhe nënkryetarit të organizatës në fjalë në nivel republikan – Mr. Milazim Mustafës, i cili tha: "Unë, në emër të Forumit Rinor Islam si dhe në emrin tim personal shfrytëzoj rastin që publikisht dhe oficialisht t'ia uroj vëllait, bashkëpartnerit dhe mikut tim – Hamdi Nuhijut daljen në dritë të këtij libri. Dhashtë Zoti që Hamdiu të ketë shëndet dhe elan që edhe më tej të na gëzojë me botime librash të ardhshme, e unë e di se ka edhe të tjera në dorëshkrim që, si rrjedhojë, të kemi të drejtën të kërkojmë mëshirë nga Zoti duke i thënë se ne, si organizatë dhe si shoqëri vëllazërore, jemi munduar që të përgatisim të rinj si Hamdiu dhe si shumë të tjerë që më vonë, inshaAllah, të bëhen intelektualë e njerëz me personalitet e mendje të kthjellët!".
Fjalën e fundit e mori haxhi Sead Ramadani – sinonimi dhe veterani i davetit në Kumanovë, bashkë dhe përkrah hoxhës së ndjerë – mulla Jakup ef. Hasipit, i cili në stilin e tij karizmatik u shpreh: "Dua të theksoj se në të kaluarën ne bënim promovime librash të autorëve muslimanë, porse që i përkthenim në gjuhën shqipe. Ata autorë ndoshta edhe nuk e dinin se ku gjendet vendi ynë në hartën gjeografike, ndërsa ne, si grup rinor e me plot elan, e promovonim veprimtarinë dhe diturinë e tyre. Në ditët e sotme gjërat ndryshuan në të mirën dhe favorin tonë. Pra, ne kemi nder dhe respekt të veçantë që të promovojmë, respektivisht të marrim pjesë në promovimin e librit të një autori, hija e të cilit është në mesin tonë!".
Ceremonia dyorëshe u përmbyll me ndarjen e nga një ekzemplari të librit për çdo pjesëmarrës që ishte prezent si dhe pjesëmarrësit patën nderin që librin ta marrin me nënshkrim të autorit – Hamdi Nuhijut, Zoti ia shtoftë dijen dhe i dhëntë sukses edhe më të madh! Amin!

Përgatiti: Arsim JONUZI, 23.11.2008

POEZI ME SHKAS


M’u përgjigj, të lutem!

A ike, vallë?
A më gozhdove në shtrat si të gjorë?
A e vure jastëkun përmbi kokën time?
A nuk the, vallë: “Uf, pse nuk vdiqe më mirë?!”?
A nuk u ngope me kaq, por edhe dera u përplas nga ti?
A nuk më shaje rrugës duke ikur, më trego, për Zotin!?
A nuk të shkoi në mendje, vallë, se unë u shtanga?
A e dije se më dyfyshoheshin sendet që shihja?
A e dije se e përmendja emrin tënd disa herë me radhë?
A e dije se fillova të të kërkoj në qoshet e dhomës?
A e dije se buzëqeshja me shpresë se do të jesh në këndin tjetër?
A të ka shkuar në mendje, më thuaj!?
Më thuaj, sa gjatë po qeshesh?!
Sa po qeshesh, më trego, nga fjalët e të dashurit tënd???
A nuk të kujtohet, vallë, se dikur më dëgjoje me ëndje?
A të kujtohet kur më lotonin sytë nga shikimi yt i gjatë kundrejt meje?
Unë i fshija sytë dy-tri herë e ti nuk e ndërprisje shikimin...
A të kujtohet, më thuaj edhe këtë, kur më thoje: “Mbështjellës të kam!”???
Më thuaj, pra!!!
A të kujtohet kur më thoje: “Mos rreh aq shpejt, oj zemra e gjoksit tim!”?
A të kujtohet kur e prekje lëkurën tënde dhe thoje: “Ah, sa i ftohtë që je!”?
A nuk po të rrjedhin lotë nga këto kujtime?
A je aq e përmbajtur, vallë?
A t’u zhduk për një herë dashuria që kishe për mua?
A nuk e përmendje, vallë, shprehjen “Deri në vdekje!” shumë herë?
A e mori vdekja këtë shprehje, më thuaj, e dashur!?
Ah! Kam rënkime që po i mbaj fshehtë, a e di këtë?
Qofshin sprovime! Qofshin të kaluara këto valë!
Në pritje për ty jam, aty te stacioni i vjetër, në mos e paçe harruar?!!!
Të pres, pra, mos harro!
Në paça veshur rrobe të shtrenjta,
Zemrën nuk e kam aq megalomane!

Arsim JONUZI, 10.11.2008