
Fjalia e madhe
Një prej filozofëve që historia vështirë se i harron, është edhe Sokrati. Ai nuk ka besuar në Zotin Një, këtë e dimë të gjithë! Sido që të jetë, do të kishim pasur rastin, ma merr mendja, të lexonim pak nga jeta dhe urtësia e mendjemprehtësia e këtij filozofi, të cilin do të doja ta konsideroj si vëlla...!
Ai, në një rast, ka thënë: "Martohuni me çdo kusht! Rrjedhimisht, nëse gruaja ju del e mirë, do të jeni të lumtur; në të kundërtën, nëse ju del e keqe, do të bëheni filozofë!". Hëm! Interesante!!!
Një ndodhi...
Veç kësaj, nga jetëpërshkrimi i tij mund të mësojmë se ai ka qenë i martuar me një grua mendjetrashë. Gruaja e tij, pra, vazhdimisht i ka bërtitur dhe është ankuar për shumëçka, ndërsa ky ka pasur zakon të heshtë në ato raste.
Një ditë, gjersa Sokratit i qenë ardhur disa mysafirë, sigurisht miq e kolegë të tij, gruaja e tij as edhe atë ditë nuk e kishte ndalur veten nga të bërtiturat kundrejt tij. Kishte bërtitur për kohë të gjatë, kurse Sokrati nuk ia kishte kthyer me të keq aspak. Megjithatë, gruaja e tij nuk e kishte konsideruar këtë gjest si të mirë, por e kishte marrë mbrapsht. Ç't'i bësh?! Pas pak, gruaja e tij kishte marrë një kovë dhe e kishte mbushur me ujë. Dalëngadalë, vjen në dhomën ku gjendej Sokrati me miqtë e vet. Befas, kovën e drejton kah Sokrati dhe të tërin e bën qull. Ndërkaq, njëri prej miqve të tij i drejtohet: "Koleg i nderuar, çfarë po ndodh kështu?". Në habitje ndaj të gjithëve, Sokrati ia kthen: "Bah, koleg, pas gjithë këtyre bubullimave, e natyrshme është që t'ia nisë shiu!"...
Këshillë kundrejt të mençurve...
O ju të mençur! Zoti juaj ju ka ndritur me mençuri e dituri. Veç këtyre, sigurisht se edhe durimi është pjesë e juaja, ashtu sikurse edhe Sokrati që ishte i durueshëm, i ditur e i mençur. Kam frikë se ai edhe një herë do të notonte, tani në lotët e vet, po ta kishte lexuar këtë shkresë të thjeshtë! Po ju që jeni ende të gjallë, vallë? A nuk merrni mësim? A dëshironi, vallë, t'ju shkojë huq mençuria, dituria e durimi??? Mosni, ju lutem! Është padrejtësi ndaj vetvetes! Prandaj, njiheni Zotin tuaj dhe jini mirënjohës ndaj Tij!
Këshillë kundrejt bashkëshorteve...
Oj krijesa të bukura! Oj pjesa e dytë e njerëzimit! Për Sokratin ramë në përfundim se nuk do t'i ketë punët mirë në botën e pastajme, por a mund të më tregoni se si do ta ketë hallin gruaja e tij? A mundet të më tregojë ndonjëra prej jush, vallë? Sokrati, të paktën, ishte i mençur e, ç'është më e rëndësishmja, ishte i durueshëm në këto raste, por ç'vlerë mund të më numërojë ndonjëra prej jush në karakterin e gruas së Sokratit? Ju pyes, a dëshironi të përfundoni si ajo apo doni ta fitoni Parajsën si rezultat i butësisë suaj ndaj bashkëshortit tuaj???! Jini të buta, pra, sepse Allahu i Lartësuar ju ka krijuar të buta! Për më tepër, mos i bezdisni bashkëshortët tuaj, siç bënte gruaja e Sokratit me bashkëshortin e vet!
Përgatiti: Arsim JONUZI, 02.01.2009

0 komente:
Post a Comment