
Në kërkim të futjes në lëvozhgën e ngrohtë, aty prej ku dilnin fryte të kënaqshme
“... Shpesh njeriu nuk ia di vlerën asaj gjëje që e ka në posedimin e tij. Ndodh kështu për shkak se ai lakmon pas pasurive të të tjerëve. “Ngjyra e barit të fushës së tjetrit është gjithmonë më e gjelbër!” - thonë shumë mendje. Ah, sa e gjelbër duket!... Robi i pakënaqur, pra, vazhdimisht kënaqet me atë që nuk është e vetja. Pse, vallë, pyes, i mungon vetëmjaftueshmëria atij?! I drejton sytë drejt saj (të huajës) e harron se duhet qenë utilitar! “Dobi e çastit është kjo!” – po thonë. Po shkruan se mund të quhet edhe prakticizëm i ngushtë. Bah, a nuk është mençuri që njeriu të merret vetëm me atë që është e nevojshme?! Po, pra! Muslimani duhet të marrë të dobishmen dhe t’i afrohet vetëm asaj, e jo...!
Dëshironte krijesa e dobët të sfidojë gjithçka që mund të shihet e të preket, por jo...jo, nuk mundi! Dëshironte ta kapë globin në dorë, por harroi se ai nuk peshon sa një qese me perime, të cilën e mban kur vjen prej tregut e në shtëpi. Dëshironte ta shijojë krejt “mishin e peshkut”, por nuk i ra në mendje se në të ka edhe eshtra, qoftë të mëdhenj apo të vegjël, të cilët gabzherri nuk i lejon të hyjnë në stacionin e bluajtjes, të paktën rrugëtimi i tyre nuk është edhe aq i lehtë. Nuk e ka lehtë që t’i bluajë dhe ia bën me dije mendjes që mos t’i fusë në gojë për vetë shkakun se mund të shkaktohet çrregullim i papritur, de fakto, i supozuar. Pra, i atillë për të cilin njerëzit e çonin lart gishtin tregues dhe të shikonin drejt e në sy me vetë arsyen për të ta bërë me dije se puna është e rrezikshme dhe se aty s’kishte hapësirë për të lozur...!
Përballu tash! Lufto kundër rivalit i cili është prodhim i vetë dorës sime apo tëndes, si të them?! Ja, ty të jepet mundësia minimale për të fituar këtë betejë, por ty të thuhet nga brenda që të mos dorëzohesh dhe që ta vazhdosh betejën... Pëlcit! Pëlcit!!! Pëlcit, oj pushkë, dhe shkrepe vdekje-shkaktuesin që e posedon në tubin tënd! Të paktën...le të shkojë dëshmor! Le të jetë me etiketë të dëshmorit, të paktën! Ndal! A mundet, vallë, të jetë dëshmor kur vetë është prodhues i luftës? Për informacion, nuk është në betejë për hir të mbrojtjes së Fjalës së Allahut, por për shkak të zgjidhjes së problemeve të ulta... Hëm! Vër disa pikëpyetje!!!
Për më tej, nuk më duket punë e mençur që të shkohet pas rrugës spasiste e të psejohet vazhdimisht e pa nevojë! Qoftë i kaluar, pra, Spase dhe spasizmi! Për më tepër, puna jote, o paradoksist, nuk është si puna e Spases, i cili nuk kishte përgjigje e që i kërkonte ato nëpër botë! Ti e ke përgjigjen, por ceni yt është se ti nuk e shfrytëzon përgjigjen, por nefsi yt të thotë ta ruash atë në xhep... Eh, të çosh edhe pak qejf!” – më tha (...) dhe më përshëndeti duke shkuar në kah të kundërt nga unë...
O Zoti im! Fale robin tënd gabimtar! Do t’i drejtoj edhe një sërë lutjesh drejt Teje, o Haj, o Kajum! Do të vija me përgjërim për tek Dera Jote. Do të Të kërkoja që të më japësh leje që të radhitem tek të mëshiruarit e Tu! Do të çirrem, o Allah; do të bërtas deri sa të më lënë tejzat e zërit dhe do të qaj deri sa të thahem! Të kam shkaktuar xhelozi, o Allah, e kam në mendje këtë, por, prapë, tek Ti kthehem i gjunjëzuar! Përherë do të kem nevojë për faljen, mëshirën dhe për kënaqësinë Tënde, o Zotërues i Arshit! Siguromë, të paktën, një vend, prej ndonjë pjese të amshimit, në Xhennetin Tënd, sepse e di se shumë dëm i kam shkaktuar vetes! Ah, o Zot! Do të çmendesha sikur të mos e fitoja faljen Tënde!
Shkroi: Arsim JONUZI, 12.11.2008

0 komente:
Post a Comment