
Pata vajtur, një ditë, në një shitore për të blerë qumësht. Shitësi ishte pak paradoksal. E ftonte njeriun e dytë të radhës, kurse të parin pas atij. Nuk e di pse bënte kështu, por të gjithë u patëm mësuar më. Gjithkujt kjo i dukej normale dhe ishte tamam e pranuar nga njerëzit...
Në ditën kur shkova unë qeshë i pari në radhë, porse, siç thashë, shitësi e ftoi blerësin e dytë i cili kishte qenë pas meje duke ma vrojtuar dorën e djathtë. Kur u ktheva për të parë se kush është, ç'të shoh, ishte Kolombo! "Oh, o njeri i historisë, a edhe ti paske ardhur a?" – i thashë, duke qenë me buzë në gaz. "Nuk jam njeri i historisë, por me gjeografi merrem!" – më tha ai, duke më lënë të hutuar për një kohë. "Obobo!" – i thashë dhe u skuqa. "Ah, tani m'u kujtua se patëm mësuar në shkollë për ju! Po, po, tamam. Ju pata parë në fotografi. Ju jeni Kolombo, në mos gabofsha!" – i thashë, duke e pasur kokën të ulur...
Unë e bleva qumështin e ai bleu disa sheqerka dhe pati dalë nga shitorja para meje. Pasi dola më ftoi në gosti te shtëpia e vet dhe më futi në dhomën ku e kalonte kohën në studim. Durova me heshtje për ca kohë dhe pas pak më shpërtheu për ta pyetur për shkakun se përse më kishte thirrë. "Mos u bën merak, o çun! Të kam ftuar për të bërë një çik muhabet". – "Mirë, po me se merresh konkretisht, zotëri Kolombo?" – e pyeta, ndërsa ai m'u përgjigj: "Unë merrem me zbulime. Zbuloj vende nëpër tokë, po zbuloj edhe vullkane në mendje e kështu me radhë!". Aman, Allah! Aman, Allah! "O xha Kolombo, e çfarë janë këto vullkanet e mendjes?" – e pyeta dhe po prisja me gjithë trupin për të më dhënë përgjigje, ndërsa ai ma ktheu: "Do ta kuptosh. Së shpejti e kupton, jam i bindur unë!"...
I dhashë një xhiro dhomës, ndërsa atë e zura duke ma vrojtuar edhe një herë dorën e djathtë dhe kishte qenë duke buzëqeshur, për çudi. Duke ndenjur për një minutë në atë qetësi të plotë, atij i cingërroi telefoni dhe e prishi qetësinë. Dukej sikur po fliste me një njeri që i foli anglisht: "Mr. Kolombo, I wanted to ask you whether...", kurse mua më shkoi vëmendja tek rafti i madh i tij me libra. Ndërkaq, diku kah fundi i bisedës munda ta dëgjoj duke thënë: "...Islam is fair!". Eh, t'ju them se në atë kohë nuk i dija shumë sende dhe turpërohesha të pyesja. Pra, nuk ia dija emrin, por e emërova me atë fjali që e dëgjova të fundit...
"Xhaxha, kam edhe një kërkesë!" – i thashë. "Të lutem më trego çka ishte "vullkani i mendjes"?". – "Vullkani i mendjes" është burim i aktivitetit intelektual. Përmes tij njerëzit zgjojnë njerëz; ua hapin mendjen dhe u zbulojnë kontinente në kokë!" – më tha ai. Unë e dëgjova, por nuk kuptova asgjë e, si rezultat, i thashë: "Xhaxha, më është bërë e tëra bozë!".
Ai më përcolli, më pastaj, dhe unë shkova në shtëpi me vrap. Kur mbërriva, e ëma më tha: "Ku ishe, or bir, a ma bleve qumështin?", kurse unë i thashë: "Po, e bleva dhe isha te zotëri Islamifer Kolombo, oj nënë. A ke dëgjuar për të?". Tha: "Kam dëgjuar për një farë Kolombo, i cili thonte se e ka zbuluar Amrikën". – "E ku është Amrika, oj nënë?" – e pyeta. – "Po ku ta di unë, or bir, po gjyshi yt thonte se ai ka gënjyer!" – më tha nëna dhe më vuri në dilemë edhe më të madhe...
Pasi hëngrëm darkë, shkova te gjyshi dhe i thashë: "Gjysh, a e di ti se kush e ka zbuluar Amrikën?". Ndërkaq, ai m'i përkëdheli flokët, më afroi pranë vetes dhe më tha: "O bukuroshi i gjyshit, ndoshta ju kanë mësuar me qitape të shkollës se e ka zbuluar Kristofer Kolombo, por nuk është ashtu në të vërtetë. Megjithatë, ti ke kohë të mësosh e t'i kuptosh gjërat!". Eh, të faleminderit, gjysh! Tash më ke qetësuar. Përndryshe, unë e di se ti i di sendet dhe se nuk më gënjen, apo s'është kështu?" – i thashë. "Ashtu është, biri im. Më dëgjo tash të të flas për një njeri të mëhallës sonë, të cilit i kanë vënë pseudonimin "Kolombo"!". – "Aaaah! Po sot kam qenë te ai, o gjysh!" – bërtita unë. "Eh, mirë shumë!" – më tha gjyshi. "Ai është njeri që të mahnit dhe thotë gjëra të dobishme! Zakonisht, të rinjve ua shikon fytyrën dhe duart. Për më tepër, atë që e fton në shtëpinë e vet, atij i jep..." dhe cingërroi zilja e shtëpisë. Gjyshi më tha të shihja kush ishte, kur pashë se kishte ardhur xha Kolombo. "Mirëmbrëma, djalosh që nuk po ta di emrin!" – më tha ai. – "Mirëmbrëma!" – ia ktheva unë. Më pas, ai ma dha një kuti të mbështjellë dhe iku. Shkova në dhomë dhe e hapa në prani të gjyshit, kur doli një kalem. "Biri im, tashmë konsiderohesh njeri i zgjedhur i "Kolombos". Kalemin që ta ka dhënë ai, a e di se për çka duhet ta shfrytëzosh? – më pyeti ai dhe doli nga dhoma, pasi m'i përkëdheli faqet...
Tash nisën emocione të papërshkrueshme në mua. I thoja vetes të parafytyroj për ca momente se isha njeri i zgjedhur i "Kolombos". Parafytyroja e riparafytyroja, por pak më besohej. Atë kohë nuk më besohej dhe pikoja lot nga gëzimi, por tash pse po pikoj, vallë? Aman, o Zot!
Shkroi: Arsim JONUZI, 22.02.2009
Kushtuar: HAMDI NUHIJUT

0 komente:
Post a Comment