
"Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu, ja shejh!" – i thashë. "Ue alejke selam ue rahmetullahi ue berekatuhu, ja habibi!" – ma ktheu ai. Allahu Ekber! "Kejfe halek, ja shejh?" – iu drejtova me buzëqeshje. – "E si do ta kuptojnë të tjerët këtë?" – ma ktheu ai, duke supozuar në ju; më bëri të kuptoj, pra, atë që nuk e dija. I thashë: "Nejse, si ju kam?". "Nëse te Zoti jam mirë, s'kam pse të them se nuk jam mirë me veten e ndaj të tjerëve!"...
Të dashur, po sikur ta shihnit duke rrezatuar! Flokët i kishte në të njëjtën ngjyrë si mjekra e zezë që ia hijeshonte fytyrën për disa herë më shumë se sa që ishte i pashëm në të vërtetë. Ballin e kishte aq të çelur, ti thua ky njeri nuk është vrenjtur kurrë. Ngjyra e hirtë e syve, shikimi që të jepte siguri dhe entuziazëm për vazhdim për më tutje, hapje-mbyllja e ngadalshme e syve të bënte me dije se njeriu ka ashk për atë me të cilin bashkëbisedon. I Lartësuar, vërtet i Lartësuar është Allahu, madhëruar qoftë përherë! Ç'trup të mirë i kishte dhënë shejhut?! Në çdo kohë, thuajse, kishte koordinim mes duarve, fytyrës dhe fjalëve që thonte. Ai është që posedon një elokuencë të mirë dhe një mençuri që të mahnit, të freskon, ta kthen buzëqeshjen dhe të bën për vete, nëse Allahu ia lë që të zgjedhë ndërmjet qind përqind apo një përqind më pak, eventualisht.
"Bismilah, ja Allah, ja Haju, ja Kajum! Shejh, interesante është se unë i dua shumë këta emra" – i thashë. "Ndoshta do të jetosh gjatë dhe ballëlartë!" – më tha ai, duke më lënë për disa sekonda që të buzëqesh në vete dhe duke më hapur një gurrë të madhe elani për punë. "Shejh, më shto pak diturinë, pasi e kam të cekët!" – i thashë duke pritur siç pret studenti para mësimdhënësit pas provimit, ndërsa ai më tha: "Bukurosh, më shto edhe ti timen!". Allahu Ekber! Subhanallah! Sidoqoftë, unë e hoqa çudinë para se ta shkruaja këtë, ndërsa ju mos bëni asgjë pa lëshuar buzëqeshje! Më tej, rimblodha veten edhe një herë dhe ia thashë urimin vijues: "Shejh, t'u shtoftë dija edhe më tepër, inshaAllah!", ndërsa ai, prapë duke më lënë të shtangur, më tha: "I dashuri im, lutu që më shumë të më shtohet ameli përpara dijes! Ka shumë gjasa që të dal i varfër para Allahut për kah veprat. Ia kam dronë Atij për këtë, me të vërtetë!"...
Hej, more fati im! Sikur ta dija për këtë takim të sontëm, do të gëzohesha qysh nëntëmbëdhjetë vite më parë! Sot po se po, po edhe dje e edhe pardje do të kisha gjëlluar gëzueshëm. Eh, vërtet më dhimbset vetja që nuk e dija dhe tani po e pyes veten se mos ndoshta nuk i kam shfrytëzuar mirë këto minuta me të. Ah, sikur në maksimum t'i kisha shfrytëzuar! O fat, kush e di tash se a do të takohem më me të si sonte! Kam bindjen se mund të më konsideroni si fëmijën i cili përçirret kur i rrëmbehet diçka pa të cilën atij i zbehet disponimi. Subhanallah! Po sa i ngjashëm paska qenë ky shembull me timin!!! Subhanallah! Sa i ngjashëm!!!
Arsim JONUZI, 20.02.2009

0 komente:
Post a Comment