Ritakim me shejhun


Ishte dita e nëntëmbëdhjetë e marsit. Vërtet ishte freskuese aroma që vinte nga deti i gjelbër. Eh, po si reflektonte kjo ngjyrë në qiell! Atij, pra, i jepte shkëlqim, kurse unë arrita të nuhas nga trëndafilat që u hapën si rezultat i tërë këtij procesi. Uf, po ç'aromë gjallëruese që dhanë! Misk, keni nuhatur, vallë? Misk që t'i mbyll sytë, njëmend...
Sidoqoftë, u takuam prapë me shejhun, ndërsa selami erdhi dhe u ul në mes nesh. Shejhut ia puthi dorën, kurse për mua u kërrus pak dhe më puthi në ballë. Uuu, po çfarë freskimi më dha?!!! Konsideroj se nuk e keni idenë, ndonëse do të dëshiroja ta fotografoja atë kënaqësi dhe t'jua jepja të mbështjellur në kadife. Pasiqë shejhu më dha një përgjigje bukur mirë të përpunuar, në lidhje me rrobet e zemrës sime, ai filloi të më tregojë edhe gjëra të cilat ia fusin zjarrin derës që i mbyll emocionet e shpirtit...
I thashë shejhut: "O shejh, ju kam kopsht! Kopsht ju kam, a kupton?", ndërsa ai më buzëqeshi, saqë m'u duk se ma përbiu zemrën dhe më tha: "Dua të të mbjell për farë!" Kështu më tha, pasha Atë që m'i mundëson takimet me shejhun! Sikur të më tregonte ndokush se pse e dua atë aq shumë! Them, rrjedhimisht: aman, o Zot, duaje se e dua! E ndoshta unë nuk di të dashuroj si duhet, ama nuk di as si ta largoj atë nga zemra. Teprimi im mund të jetë ngushtim për shejhun, por bërësi i së mirës është më i mirë se vetë e mira, ka thënë mësuesi i të gjitha kohëve, alejhi salatu ue selam.
Shejhu, pak më vonë, më tha: "Djaloshi im, dua që të vish kah vendndodhja ime dhe të bëhesh shkak për bereqet këtu, në dashtë Zoti!" Ndërkaq, duke ikur nga reagimi i kësaj e për t'u ndërfutur në një restaurim që mbase sjell dobi, unë gjithnjë po e pyes veten se përse shejhu po më barazon me veten, e ndonjëherë edhe po më vë në pozitë më të lartë se ai. Subhanallah! Dhëntë Zoti që kjo të jetë hajr, sidoqoftë! Ah, zem-zem! A mos tha ndokush se kjo është modesti? Sa për informim, shejhu është aq modest saqë as që lodhet aq shumë për ta shprehur modestinë! Prore po më thellon në enigma të ndryshme. Bah, kënaqësi kam dhe i lumtur po ndjehem, përndryshe.
"Ani, shejh, ç'po më tregon ndonjë send tjetër?" – i thashë unë, duke u bashkëpajtuar në mënyrë të pazëshme me shejhun për të kaluar në një kaptinë tjetër të bisedës. Shejhu u kthye kah unë dhe më tha: "Të them të drejtën, është koha të kem dikë që...", – "Më ke mua, o shejh, apo jo?" bërtita unë, ama mu sikur të kisha qenë shok i Tarzanit. "Haha!", qeshi lehtë shejhu dhe më tha: "Sigurisht që ne i përkasim njëri-tjetrit, dhëntë Zoti, deri edhe pas vdekjes!"...
Për fund të kësaj here, po ju them edhe diçka, o i nderuari i shpirtit tim dhe i dashuri i syve të mi: "Sot u takuam në këtë tavolinë pa kënde e pa shtylla, porse kur t'ju takoj për së gjalli, vërtet do t'ju kisha shtrënguar shumë. Për më tepër, nëse takohemi, ka gjasa që mos t'jua lëshoj dorën për gjatë e mund që edhe të shtangem i tëri. Së këndejmi, më prekni, ju lutem, dhe më thoni se nuk jam duke parë ëndërr. Pra, po e them tash sa jam me vetëdijë të plotë: Më shkundni për krahësh dhe më thoni se do të ishte e vërtetë ajo që do të ndodhte!


Arsim JONUZI, 19.03.2009

0 komente: