Dëshirim

Çfarë është kah më dëshiron kjo zemër e thyer, vallë? Një celular? Një kompjuter? Një veturë? Një apartament? – Ncuk! Kurrnjërën prej këtyre. Vetëm një gjelbërim kërkoj, absolutisht! Vetëm një vend me gjelbërim dhe kurrgjë tjetër. Ama jam duke folur bash kah del shpirti! Celularin do ta mbyllja; në imejl do ta aktivizoja mundësinë e vetëkthyerjes së porosisë, duke shkruar se nuk jam në dispozicion; në Facebook do të shkruaja se jam në udhëtim zyrtar për qëllim të komplikuar e zor të kuptueshëm për ata që s'më njohin; familjarëve e fqinjve do t'u thosha se jam i ftuar në një seminar konspirativ. – "Mor, ku shkuaka ky djalë? Ore, hej!!!" – "Mos u bëni merak, kthehem sa çel e mshel, e çel e mshel sytë!"...

Ta paça marrë një valixhe fare të vockël, në brendinë e së cilës nuk do të kishte gjë, veçse një pëlhurë, pak misk dhe Librin. Hiçasgjë më shumë. S'ka ç'më duhet gjë më tepër! Nejse, sa i përket udhëtimit, sha Zote, në këmbë do të isha nisur! Eh, kadal-kadal, këmbë e duar e nga pak duke u zvarritur, kisha mbërritur dikur. Nuk asht, obo, problem! Ihaaa...


Eca e eca, e kur shikova pas, vërejta se bajagi larg kisha vajtur. Hëm, këqyr andej e këqyr këndej, diqysh si vend i huaj më dukej. Ishte një vend fare i pabanuar. Aman, ama ç'jeshillëk që kishte gjithandej?! Pa dale! Auuu! Ç'cicërima të këndshme?! Of, of, of! O Arthim, pa ktheje kokën pak më andej! – thashë me vete. Këqyr, more, çfarë lumi i qetë! Të rehatuaka, ej! Të tërin po të rehatuaka! Po unë qenkësha verbuar për gjelbërim, moj nënë, moj loçkë! Ah, të bëfsha e të kthefsha në qytet, hë! Ne kinse qytetarë, ama njëmend të kalbur në organizëm! S'paskam thithur ajër të pastër me vjet...

Vendi në të cilin u stacionova ishte mbase një Atlantidë tjetër! Shumë ishte e bukur, bre! Sytë të pushonin, me të vërtetë! Për çudi, duke ecur rreth e përqark, pashë se në një breg kishte qenë edhe një shtëpi e vogël. Iu afrova, hapa derën, hyra brenda, por nuk pashë askënd. Asgjëkafshë nuk kishte, veç një foteleje dhe një kornize me mbishkrim: "Jeto sikur je i gjithmonshëm, puno sa të mundesh, arrij ku të synosh, por gjej një moment kur çpërvidhosesh!" I dhashë mandej edhe një shikim dhe u ndala. Brej, a je n'andërr a në zhgandërr? – thashë me vete. Hajt, thashë, të bërtas e të provoj mos po zgjohem, se sikur fjetur më dukej vetja. Aaa! Ooo! Aaaaa!!!... Ma jok – zgjuar kisha qenë! He, moj bela, a bëhet që dikush të më ketë vërejtur? Ç'është më e misteriozja, edhe po të më kishte vërejtur, po si ka mundur ta dinte brendinë time, atë që unë e ndiej??? Hëm, hajt lëre...


Filloi të errësohet e unë, në një anë, tepër shumë më pëlqente ai kolazh zërash prej karkalecave, bretkosave, shpezëve e insekteve të ndryshëm që cicëronin e fishkëllonin, por, në anën tjetër, jo se frikohesha, por mishi më dridhej pi tutës, heh! Bëra kështu: hyra në atë shtëpinë dhe fillova të vështroja natyrën e bukur nga dritarja, dhe po dëgjoja cicërimat e këndshme të shtazëve si dhe shushurimën rehatuese të lumit. Isha kënaqur krejt e hajt! Më kishte zënë gjumi çaty në prozore. Kur u zgjova në mëngjes, për të falur sabahun, një ezan më trazoi, por s'kam idenë se nga erdhi, nime nja katër-pesë minuta s'munda të lëviz nga ... pe tham ship: isha përzdredh keq, por ama erdha në vete më pas, shyqyr Zotit. Fala sabahun dhe dola për të thithur pak nga ajri i freskët i mëngjesit. Ah, u shtriva edhe pak ashtu n'kokërr t'shpinës. Po si n'fush' t'Allahit, mo! Më kishte zënë gjumi edhe atypari. Më doli gjumi përsëri pak më vonë, dhe shkova deri tek shtëpia për të marrë një çikë buke që e pata futur në çantë. Kur, në prag të derës, pashë një plaf në të cilën shkruante "WELCOME", ama kishte qenë e kthyer mbrapsht. Ah, thashë me vete, kush e di se ky nikoqiri i shtëpisë a i ka vijuar dy ditë shkollë a ndoshta hiç?!!! Kur e ngreva ta drejtoj, pashë një letër nën të! Eu, bre! Kur e hapa, ç'të lexoj?! Në të shënonte: "Djalosh bukurosh, e di se dje nuk ta ka kapur syri këtë gabim-mbrapshti, por, nëse e ke parë sot këtë letër, merri plaçkat, përshëndetu me shtëpinë që e shfrytëzove, ngarkoji këmbët në supe dhe shkepja në shtëpi. Kaq kishte e jotja, e tash prapë të pret familja, jeta, puna, angazhimet, etj. Hajt, me mixhën!"...


S'pata çfarë të bëj, pos të veproj ashtu si m'u tha. E mora valixhen dhe u nisa te prapa për në shtëpi. Sidoqoftë, fort ke, a? Unë për vete u kënaqa. Kalova shumë mirë dhe paharrueshëm. Ndoshta as një ditë e plotë nuk i ra me qëndrue, po bile ia di lezetin edhe asaj kohe të shkurtër. Bereqat versen! Pa dale, pak! Krejt mirë, po kush ishte ai që më përcolli gjithnjë, vallë? Mos ishte...?


Autor: Arsim JONUZI, 19.06.2009

0 komente: