Dizelistë dhe benzinistë


Mora edhe një çikë pendën të vë në letër nja dy fjalë ekspresioniste. Të vë në dukje këtë botë eksplozive timen; të hiqja prej barku atë lëndë shpërthyese, atë zhgan molekulash toksike prej të cilave zhgapërrehesh pa kthim. Do të villnit, do të zverdheshit fytyre, do të shtangeshit duarsh dhe do të shtrembëroheshit buzësh...Ah...me "h" grithëse të arabçes...

Qeshem me melankoli. Qeshem dhe kafshohem duarsh. Po, po. Veç ato "shiritat e bardhë" po më mungojnë, do të pandehnit. Tamam do të më merrnit për të sëmurë skizofren. Çfarë t'ju bëj unë tashti kur ju nuk e keni parasysh një aspekt të Mëshirës gjithëdimensionale të Zotit. Ai, madhëruar qoftë, ka pamundësuar përcjelljen e plotë të emocioneve. Do të thotë, thjesht njeriu s'mundet ta thotë plotësisht atë që e mendon a atë që e ndjen. Përndryshe, sali ala Muhammed, kush e di se kush do të lexonte ese?! Ndoshta kurrkush, përveç shkarravintarëve...më falni...shkrimtarëve si unë...

Kur hyn në këtë viran kompjuter, ç'të shohësh?! Shkon në ndonjë mexhlis, përgojime e shpifje dëgjon; shkon në xhami, hëm...s'po di a ta përmend... Të përlame sheh në shumë qoshe, kacafytje, çuarje inatesh deri në fund, bile duke ia kaluar edhe gomarit. Ncë, ncë, ncë! Subhanallah! Kam përshtypje se do të më dalin ferra syve e do të më çelin kaktuse nëpër veshë, duke parë e duke dëgjuar çmos! Askush prej nesh nuk është i përkryer, por edhe si duket pak po e synojnë atë. Të paktën ta synonin. Më ndryshe do të ishte, për Zotin!

Nga rreshti i parafundit prej publikut erdhi një zë se një dijetar paska thënë se ai që kërkon shokë pa të meta, mbetet pa shokë, ndërsa fare nuk i shkoi në mendje ditëziut se fare hiç nuk i respekton kodet sociale të miqësisë. Ama vetëm kishte dashur të lajmërohet se është prezent, si duket. Cakton takim dhe fare nuk skuqet kur takohet të nesërmen dhe thotë: "Valla be kejt kisha harru me ardh mbram, a! Kejt pi menve m'kish dal, a!", dhe s'ke ç'i thua, veç hajr, ngushëllim e përmirësim t'i urosh...

Aman, vëllezër, deri kur do t'i lini këta "dizelistë"? A mund të na japë sihariq ndokush se ata do të migrojnë në ndonjë shkretëtirë, ashtu siç janë edhe vetë ata, mor, i marrtë dheu!!! Kur, vallë, do të përfundojë epoka e tyre? Sido që të jetë, le ta dinë të paktën se ka krijesa që po rënkojnë nga ata! "Dizelistë" – ndoshta më pak "harxhojnë", ama një mijë e një të këqija të tjera i kanë. Në anën tjetër, ky tabori tjetër – "benzinistët". Ouf, bjermani një legen!... A i keni parë, vallë, se si ndezen – ende pa e dhezur shkrepësen, fare! Shpirtin në fyt e kanë dhe hiç më shumë se të parët nuk i kanë të rregulluara normat e bontonit, të cilave askush nuk po rrah gjoks t'ua paguajë funeralin. Kanë mbetur rrugëve të cofëta të shkretat, krejt janë duke i mbyllur hundët prej tyre. Prej normave e pata fjalën.....! Uh, ç'kundërmim! Pifjaaa...!!!

Përfundimisht, le ta marrë kush si të dojë! Ky, tek e fundit, nuk është pohim a gjykim hyjnor, por është një ndjenjë e hidhur e një të riu, por me qime të thinjura. Më mplakën ata, para se të më mplakë Zoti në mënyrë të natyrshme! Merreni me mend: gjërat dhe jeta po duket të jenë relative, ndërsa njerëzit shumë subjektivë! E tash po u puthitën këto premisa me njëra-tjetrën...katërstrofë! E nëse berberët nuk dinë si t'ua bëjnë klientëve të tyre frizurën si të Ajnshtajnit, lirisht le t'i puthitin këto premisa se mund të përfitojnë ndonjë frizurë si të atij!

Sinqerisht dhe seriozisht thënë, besimtarin e mban Dita e Gjykimit dhe dalja në shesh e secilit me të bërat e veta. Atëherë ndoshta do të kishte rehati se, përndryshe, në këtë dunja u qelbëm nga këta gojëfëlliqur. Larg, larg! Sa më larg le të rrinë dhe le të mos na afrohen!

Arsim JONUZI, 07.07.2009

0 komente: