Kaltërsi


Në mesin e kohës kur do ta lëshoja tokën për të shkuar kah qielli, ja, desha t'i ndaj emocionet me ju. Gëzohuni dhe krenohuni edhe ju bashkë me mua dhe me personazhet tjerë, të cilët do t'i kisha kategorizuar në: parësorë, dytësorë, pozitivë, negativë dhe disa të tjerë, të cilët është mëkat po nuk i konsideruam të artë...
Po t'i bënim një studim Shekspirit, do të ishim befasuar se sa të madhe e ka pasur imagjinatën. Vallë, si të mos i ishte zhvilluar imagjinata për reflektim, kur e dimë se me ç'lloje njerëzish ka pasur punë, ndonëse ndoshta jo në mënyrë aktive apo direkte, si të them?! Për më tej, po të ngjallej ai tash, kush e di se edhe për sa vjet të tjera do të mbetej i pavdekur me nam, kur do ta kishte përshkruar një proces tonin që ndodhi në këtë vend të bukur me tetë kënde. Them, ka gjasa që ta kishte quajtur "Kaltërsim qielli"...
Intuita më thotë se do të kishte ftuar vetëm tre veta si personazhe kryesore dhe shumë të tjerë që do të luanin në rolet tjera. Në kohën e tij, i ngrati nuk ka pasur ndoshta kamera digjitale, por sot patjetër se do të kishte gjetur të tilla. Madje, do të kishte angazhuar kameramanë shqiptarë, padyshim, meqë çështja kishte të bëjë me ta. Siç thashë, personazhi kryesor do të ishte një vajzë, e cila nuk e donte mësimin, ishte moralprishur e e përdalë dhe se kishte vendosur pakthyeshëm që ta ndërprente edhe shkollën në tërësi. Më tej, personazhi i dytë kryesor – edukatori dhe pedagogu i saj, vazhdimisht i bënte thirrje që të ndryshojë mendjen dhe ta vazhdojë edukimin. Ajo e mbante një orë dhe dilte, ndërsa pedagogu i saj angazhonte njerëz që ta përcjellin se a po hynte në mësim a jo. Aq shumë e donte, saqë shumë brengosej për të. Çudi, sikur ta kishte vajzë! Për më tepër, i bënte thirrje prindit të saj që të ndërmarrë ndonjë masë dhe t'ia mbushë mendjen të bijës së vet që të afrohet te shkolla dhe të hyjë në mësim. Pra, sipas Shekspirit, ashtu si e kishte paraparë, kjo punë nuk ishte zgjidhur, gjersa të vinte në shprehje personazhi i tretë kryesor – plaku i katundit...
Ai ishte aq i mençur dhe aq me autoritet në atë rrethinë, sipas regjisorit. Kur e godiste tavolinën, bashkë me gotat që ishin në tavolinë, të gjithë të pranishmit kërcenin lart. Ishte tamam personazh adekuat për këtë problem të shfaqur tek nënqielli tetëkëndor. Hyri në skenë dhe i gjithë publiku i drejtuan sytë kah ai, sikur iu duk se ishte shumë i ashpër. Përkundrazi, ai u ul në një karrige dhe pushoi për ca sekonda. Ashtu, sipas planit të regjisorit, e shikoi pikësëpari tërë skenën, i hapi krahët dhe tha: "Dëgjova se dikush është kah e prish rendin në shkollë! A mos je ti, moj vajzë? A mos je ti, të thashë???" dhe e goditi tavolinën me aq sa kishte forcë. Sa nuk e çau në dysh...
Skena përfundimtare ishe kështu: Edukatori e mori vajzën për dore, u drejtua kah plaku i katundit dhe, në emër të vajzës, foli: "I nderuari ynë, kjo gjë më nuk përsëritet. Unë kam marrë fjalën nga kjo nxënësja, tashmë me dëshirë për t'u përmirësuar, e zellshme e edhe e mbuluar – për të qenë me dinjitet, se ajo do të vijojë mësimin!". "Dua ta dëgjoj këtë nga vetë goja e vajzës!" – tha kryeplaku. "E vërtetë është, o njeri i urtë! Unë tashmë do ta vijoj mësimin dhe asnjëherë më nuk do të jem e keqe!" – tha vajza. Ndërkaq, plaku i katundit i tha: "Asnjëherë nuk do të kthehesh, a po jo?". "Kurrë më, të jap fjalën!" – i tha vajza...dhe me kaq përfundoi drama.
Pas përfundimit, të pranishmit, të gëzuar, po paksa të habitur, i thanë fjalë miradije regjisorit dhe e ftuan për të pirë një kafe. Pasi shkuan në lokal, i cili sa ora u mbush edhe nga gazetarët e vendit e edhe nga artistët – kolegët e dramaturgut në fjalë, ai u tha: "Të shumërespektuar kolegë, miq, dashamirë dhe ju të dashur people, më falni, e përzieva me gjuhën time, të dashur njerëz shqiptarë! Të më falni se mund të kem gabuar, por besoj se më kuptoni. Pra, kam nderin e madh që para jush prezantova me këtë dramë të vockël dhe, njëherit, më duhet patjetër t'i lavdëroj artistët, të cilët aktruan si është më së miri, apo jo? Unë dua që..." dhe gjersa ai po e vazhdonte fjalimin e rastit, një prej artistëve i tha shokut të vet: "Hej, a e di çfarë më tha Shekspiri?". – "Jo, tregomë!". – "A mund të shkoj te Dielli i Kodrës? Hahaha!". Ky tjetri: "I falet, ore! Po ky sa ka ecur nëpër kohë që të vijë, boll që ka thënë ashtu bile! Sa jemi këtu, gaboi edhe në disa vende të tjera, por s'ka gjë!"...


Arsim JONUZI, 30.01.2009

Konsekuencë


Në kërkim të futjes në lëvozhgën e ngrohtë, aty prej ku dilnin fryte të kënaqshme

“... Shpesh njeriu nuk ia di vlerën asaj gjëje që e ka në posedimin e tij. Ndodh kështu për shkak se ai lakmon pas pasurive të të tjerëve. “Ngjyra e barit të fushës së tjetrit është gjithmonë më e gjelbër!” - thonë shumë mendje. Ah, sa e gjelbër duket!... Robi i pakënaqur, pra, vazhdimisht kënaqet me atë që nuk është e vetja. Pse, vallë, pyes, i mungon vetëmjaftueshmëria atij?! I drejton sytë drejt saj (të huajës) e harron se duhet qenë utilitar! “Dobi e çastit është kjo!” – po thonë. Po shkruan se mund të quhet edhe prakticizëm i ngushtë. Bah, a nuk është mençuri që njeriu të merret vetëm me atë që është e nevojshme?! Po, pra! Muslimani duhet të marrë të dobishmen dhe t’i afrohet vetëm asaj, e jo...!
Dëshironte krijesa e dobët të sfidojë gjithçka që mund të shihet e të preket, por jo...jo, nuk mundi! Dëshironte ta kapë globin në dorë, por harroi se ai nuk peshon sa një qese me perime, të cilën e mban kur vjen prej tregut e në shtëpi. Dëshironte ta shijojë krejt “mishin e peshkut”, por nuk i ra në mendje se në të ka edhe eshtra, qoftë të mëdhenj apo të vegjël, të cilët gabzherri nuk i lejon të hyjnë në stacionin e bluajtjes, të paktën rrugëtimi i tyre nuk është edhe aq i lehtë. Nuk e ka lehtë që t’i bluajë dhe ia bën me dije mendjes që mos t’i fusë në gojë për vetë shkakun se mund të shkaktohet çrregullim i papritur, de fakto, i supozuar. Pra, i atillë për të cilin njerëzit e çonin lart gishtin tregues dhe të shikonin drejt e në sy me vetë arsyen për të ta bërë me dije se puna është e rrezikshme dhe se aty s’kishte hapësirë për të lozur...!
Përballu tash! Lufto kundër rivalit i cili është prodhim i vetë dorës sime apo tëndes, si të them?! Ja, ty të jepet mundësia minimale për të fituar këtë betejë, por ty të thuhet nga brenda që të mos dorëzohesh dhe që ta vazhdosh betejën... Pëlcit! Pëlcit!!! Pëlcit, oj pushkë, dhe shkrepe vdekje-shkaktuesin që e posedon në tubin tënd! Të paktën...le të shkojë dëshmor! Le të jetë me etiketë të dëshmorit, të paktën! Ndal! A mundet, vallë, të jetë dëshmor kur vetë është prodhues i luftës? Për informacion, nuk është në betejë për hir të mbrojtjes së Fjalës së Allahut, por për shkak të zgjidhjes së problemeve të ulta... Hëm! Vër disa pikëpyetje!!!
Për më tej, nuk më duket punë e mençur që të shkohet pas rrugës spasiste e të psejohet vazhdimisht e pa nevojë! Qoftë i kaluar, pra, Spase dhe spasizmi! Për më tepër, puna jote, o paradoksist, nuk është si puna e Spases, i cili nuk kishte përgjigje e që i kërkonte ato nëpër botë! Ti e ke përgjigjen, por ceni yt është se ti nuk e shfrytëzon përgjigjen, por nefsi yt të thotë ta ruash atë në xhep... Eh, të çosh edhe pak qejf!” – më tha (...) dhe më përshëndeti duke shkuar në kah të kundërt nga unë...
O Zoti im! Fale robin tënd gabimtar! Do t’i drejtoj edhe një sërë lutjesh drejt Teje, o Haj, o Kajum! Do të vija me përgjërim për tek Dera Jote. Do të Të kërkoja që të më japësh leje që të radhitem tek të mëshiruarit e Tu! Do të çirrem, o Allah; do të bërtas deri sa të më lënë tejzat e zërit dhe do të qaj deri sa të thahem! Të kam shkaktuar xhelozi, o Allah, e kam në mendje këtë, por, prapë, tek Ti kthehem i gjunjëzuar! Përherë do të kem nevojë për faljen, mëshirën dhe për kënaqësinë Tënde, o Zotërues i Arshit! Siguromë, të paktën, një vend, prej ndonjë pjese të amshimit, në Xhennetin Tënd, sepse e di se shumë dëm i kam shkaktuar vetes! Ah, o Zot! Do të çmendesha sikur të mos e fitoja faljen Tënde!


Shkroi: Arsim JONUZI, 12.11.2008

O adhurues të Krishtit, duam një përgjigje!

(Poemë)

Në emër të Allahut – të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!
O adhurues i Krishtit, duam që të mençurit tuaj t’i përgjigjen pyetjes sonë!
Nëse Zoti qe vrarë nga disa njerëz...çfarë zoti, atëherë, është ai?
Pyesim veten: a ishte Ai i kënaqur nga ajo që ata i bënë Atij? Nëse po, qofshin të bekuar...e kanë arritur kënaqësinë e Tij!
Mirëpo, nëse Ai s’ka qenë i kënaqur...kjo do të thotë se fuqia e tyre bëri që Ai të nënshtrohet!
A thua, vallë, a qe lënë e tërë ekzistenca pa Hyjin, Dëgjuesin që i përgjigjet atij që lutet?
Vallë, si qëndruan shtatë qiejt, kur ai rrinte shtrirë nën tokë e kur dheu ishte mbi të (pra, kur ishte në varr)?
Vallë, a qenë lënë botët për t’u udhëhequr pa Zot...përderisa duart e tij ishin të gozhduara?
Pse, vallë, engjëjt nuk i ndihmuan atij kur ai po rënkonte?
Pyesim se si qenë në gjendje shufrat të durojnë për ta bartur Zotin e vërtetë, kur ai po qëndronte i lidhur e i fiksuar?!
Pyesim se si ka mundësi hekuri ta shpojë Atë dhe të qëndrojë në Të e ta lëndojë?
Ju pyesim se si mundën duart e armiqve të Tij ta kapin Atë dhe ta qëllojnë në shpinë?
Ju pyesim edhe rreth asaj se a u ringjall Krishti vetvetiu...apo Ringjallësi i tij ishte ndonjë zot tjetër?
Hëm! Çfarë çudie?! Varr që në brendësi ka zot! Për më tepër, gjë më e mistershme ishte barku që e mbante atë!
Ai qëndroi në bark për nëntë muaj, në një errësirë të plotë...dhe ushqehej me gjak!
Më pas doli nëpërmjet mitrës si foshnje e vogël – i dobët e duke e hapur gojën për të pirë qumësht nga gjiri!
Hante e pinte dhe bënte çfarë bën normalisht çdo krijesë. A është ky zot, vallë?
I Lartësuar është Allahu nga gënjeshtrat e të krishterëve!
Që të gjithë ata do të merren në llogari për shpifjet e tyre!
O adhurues të Krishtit! Për çfarë arsye tërë kjo është e bekuar dhe e lartësuar si dhe përse, vallë, do të merret në përgjegjësi ai që i refuzon të njëjtat?
Vallë, më thoni se a nuk është logjike ta thyejmë dhe ta djegim atë (kryqin) me gjithë atë që e shpiku atë?
Meqë zoti qe kryqëzuar në të...dhe duart e tij qenë të lidhura për të!
Ai, me të vërtetë, është kryq i nëmur...andaj, shkelni mbi të me këmbën tuaj dhe mos e puthni kur ta shihni!
Zoti qe nënçmuar në të...e ju e adhuroni!? Prandaj, ju mund të konsideroheni armiqtë e Tij!
Nëse e lartësoni atë (kryqin, do të thotë) për shkak se e mbajti Zotin e botëve, pse atëherë nuk gjunjëzoheni e t’i adhuroni varrezat, meqë varri e përfshiu zotin tuaj?
Së këndejmi, zgjohu, o adhurues i Krishtit! Ky është Fillimi i Tij dhe ky është Fundi i Tij!

“Bënë kufër (mohuan të vërtetën) ata që thanë: “Allah është ai, Mesihu, biri i Merjemes!”. E vetë Mesihu (Isai), tha: “O beni israilë, adhurojeni Allahun – Zotin tim dhe tuajin, sepse ai që i përshkruan Zotit shok, Allahu ia ka ndaluar (ia ka bërë haram) atij Xhennetin dhe vendi i tij është Zjarri! Nuk ka ndihmës për mizorët!” (Kur`an, 5: 72).

“Gjithashtu, bënë kufër (mosbesim) ata që thanë: “Allahu është i treti i treve!”. S’ka në gjithësi tjetër pos Një Allahu, e nëse nuk pushojnë nga ajo që thanë (tre zotra), ata që nuk besuan do t’i kapë dënim i dhembshëm!” (Kur`an, 5: 73).

“E pse të mos pendohen dhe të kërkojnë falje te Allahu, kur dihet se Allahu fal shumë, është mëshirues?” (Kur`an, 5: 74).

“Mesihu – biri i Merjemes nuk është tjetër vetëm se i dërguar; para tij pati shumë të dërguar. Nëna e tij ishte e drejtë (e ndershme). Që të dy ata ishin që ushqeheshin (si njerëzit tjerë). Ja si u sqarohen argumentet atyre dhe shih pastaj se si ia kthejnë shpinën të vërtetës!” (Kur`an, 5: 75).

“Thuaju: “A adhuroni, pos Allahut, atë që nuk mund t’ju sjellë as dëm e as dobi? Allahu është që dëgjon (ç’thoni), që di (ç’veproni)!” (Kur`an, 5: 76).

“Madje për shkak të thënies së tyre: “Ne e kemi mbytur Mesihun, Isain – birin e Merjemes, të dërguarin e Allahut”. Po ata as nuk e mbytën as nuk e gozhduan (nuk e kryqëzuan në gozhda), por atyre u përngjau. Ata që nuk u pajtuan rreth (mbytjes së) tij janë në dilemë për të (për mbytje) e nuk kanë për të kurrfarë dije të saktë, përveç që hamenden! E ata me siguri nuk e mbytën atë!” (Kur`an, 4: 157).

“Përkundrazi, Allahu e ngriti atë pranë Vetes. Allahu është i Plotfuqishëm, i Gjithëdijshëm!” (Kur`an, 4: 158).

“Nuk ka asnjë nga ithtarët e librit vetëm se ka për t’i besuar atij (Isait) para vdekjes së vet, e në Ditën e Gjykimit ai dëshmon kundër tyre!” (Kur`an, 4: 159).

Allahu i udhëzoftë të gjithë ata që devijojnë nga e vërteta!!!


Autor: Ibën Kajjim el-Xhevzije

Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 01.11.2008

Recensoi: Ajni SINANI


Burimi:
http://www.youtube.com/watch?v=hMBC6r5Ybz4

Urdhëro, Palestinë, merre edhe një lot timin!


E nderuara dhe e dashura Palestinë!
Pse të jane turrur, vallë?
Duan të të hanë të gjallë, subhanallah!
Të pyes se përse të janë drejtuar?
Mos, vallë, deshirojnë ta shuajnë etjen me gjakun tënd?
Palestinë, ti do të dëshiroje t'i kesh një mijë shpirtra dhe secilin ta japesh për Allah!?
A e kam me vend, Palestinë?
Herën e parë vrojton se a po të sheh ndokush apo mos po harrohesh...
Herat tjera nuk bën kështu, e di unë...!!!
Nuk bën se e kupton se do të ringjallesh e përgjakur!
Jo, sepse vetë gjaku yt të ngushëllon...
Derdhet ai i bekuar gjak dhe të buzëqesh...
Të kap për dore dhe të dërgon a e di ku???
Të merr për dore dhe të çon deri te i Dashuri i zemrave tona...
Unë them se ai do të gezohet kur do të të shohë me gjithë këtë gjak!!!
Ah, po a do të mbaheshe pa qarë kur do ta permendte emrin...???
Të të thoshte: "Eja Palestinë, ta puthsha ballin!!!"
A do të mbaheshe, vallë?
A do t'i kërkoje Zotit që të qëndrosh me Muhamedin, alejhi selam, apo që të ktheheshe në dunja?
Oj shehide, përgjigjmu!!!
Përgjigjmu!!!
A je e uritur, vallë?
Për sa kohë, vallë, nuk je freskuar me ujë?
Më çave në gjysma, oj e bekuar!!!
S'e paskam ditur se sa e dashme paske qenë...!!!
Ah, sikur tia fshinim lotët njëri-tjetrit, moj Palestinë!!!
Na thënçin se po bëjmë zina, edhe nikah do të bëheshim...!
S'do të të bëja tjetër, veçse të ta ledhatoja kokën...
Palestinë, merri lotët e mi dhe dergojua bijve tu!
Më mirë le të rrjedhin nga sytë e tyre sesa nga të mitë...
Për të vetmën arsye: syri im mund të gënjejë, ndërsa i atyre nuk e bën këtë dot!!!
Po zaten edhe s'kam më për të të dhënë – më thave të tërin!
Më thave, Palestinë, u shterra i tëri...


E DASHUR, NË DITËN E GJYKIMIT MË LYEJ PAK ME GJAK, TË LUTEM!!!
MOS HARRO, PASHË ALLAHUN!!!!!!


Arsim JONUZI, 05.01.2009

Qëndro pranë nënës!


Shënim:
Përmbajtjeve që këshilluesi i ka dhënë me gojë, më është dashur mua, si përkthyes, t’ua jap ndërtimin sintaksor (Përkthyesi)

Këshilluesi në fjalë është i paralizuar për vite me radhë!!!

Para se gjithash, falënderimi i takon Allahut të Lartësuar!
Natyrisht, nënën time e konsideroj gjithçka në jetën time. Kuptohet, e rendit pas Allahut të Lartësuar, madhëruar qoftë përherë! Falënderimi i plotëmerituar i takon Atij, vetëm Atij!
T'ju them të drejtën, nuk di si të shprehem për nënën time. E, vallë, si të di kur çfarëdo që t'ju them për të, nuk mjafton?!
Nëse do t'ju tregoja vetëm për një ditë timen!!! Unë kam një dëshirë në zemër dhe ajo është që t'i shërbej nënës sime, pra, t’i bëj asaj mirë. Jo vetëm një herë, por në çdo vend dhe për çdo rast! Do të doja ta përqafoja...! Elhamdulilah! Vinin pushimet e festat e nëna ime pikëllohej më shumë se unë. Për më tej, nëse do t'ju pyesja ju se kur e keni përqafuar nënën tuaj për herën e fundit???! Kur, pra? Po të them ty që je duke i lexuar fjalët e mia! Kur ishte hera e fundit që e ke përqafuar nënën?
Nëna ime ka pikëllim brenda vetes së saj. Një herë, gjersa ishim në Harem, më pati thënë: "Kam dëshirë që një ditë të hyj në Harem dhe ti të më mbash për të bërë tavaf!"...
Sikur t'ju tregoja, tani, një gjë tjetër... Paramendoni sikur të mos jeni në gjendje të shkoni në toalet për pesë ditë! Pra, pesë ditë pa shkuar në toalet! Çfarë do të bënit? Çfarë do të bënit, pra? Përgjigjmuni! A do të përdornit laksativë? Do ta kishit pirë laksativin dhe asgjë nuk del jashtë. Çfarë do të bënit në këtë rast? Do të shkonit në spital. Tashti nuk mund të shkoni në toalet për dhjetë ditë. Ç'do të bënit? A do të bënit intervenim kirurgjik? Hëm, unë, pra, ka gjashtëmbëdhjetë vjet të tëra që s'kam mundur të shkoj në toalet, veçse në dhjetë ditë apo ndoshta edhe dymbëdhjetë ditë. Si e bëj atë??? A jua merr mendja se shkoj në spital për çdo dhjetë ditë? Jo! Unë kam nënën time! Allahu i dhashtë mirëqenie! Ajo, pra, me duart e veta e pastron gjithë atë që del prej zorrëve të barkut tim! Vetë me duart e veta e e heq dhe e pastron tërë atë! Ju pyes: kush do t'jua bënte këtë përveç nënës suaj? Ndërkaq, ju i jepni përparësi më shumë bashkëshortes sesa nënës suaj! A ndoshta e parapëlqeni birin tuaj më shumë se nënën?! Apo shokun tuaj më shumë se nënën tuaj?! Sidoqoftë, falënderimi i takon Allahut! Pse, vallë, ju janë ngurtësuar aq shumë zemrat? O Allah i Mëshirshëm, na mëshiro me Mëshirën Tënde!
Më tej, një grua më telefonoi, gjersa unë isha duke mbajtur një ligjëratë. Një vëlla imi, Halidi, e kapi telefonin e ajo i tha: "Dua të flas me Abdullahun!". Halidi i tha për mua se isha i zënë. Ajo, më pastaj, e luti duke iu përbetuar në Allah që të ma kujtonte mua se, nëse unë, si i sëmurë, po privohesha ta përqafoja nënën, ajo ishte e privuar nga përqafimi i bijve të vet, edhepse i kishte dhe i ishin të gjithë të shëndoshë. Pra, do të thotë se asnjëri nga ta nuk shkonte për ta përqafuar! Zemra e secilit prej djemve të saj aq ishte ngurtësuar! Kujdes, prandaj se, në përgjithësi, zemra e gati secilit njeri, është ngurtësuar! Prandaj, kini frikë Allahun e Lartësuar!
Hadithi i Muhammedit, alejhi salatu ue selam, thotë: "Qëndro pranë këmbëve të nënës, për shkak se aty është Xhenneti!". Ndërkaq, ne reagojmë me forcë ndaj prindërve tanë, gjersa ndaj miqve sillemi me korrektësi!
Poeti thoshte: "Një ditë, një njeri joshi një djalosh të paditur që t'i bënte dëm, duke i thënë djaloshit që t'ia sillte zemrën e nënës së tij e që në kundërvlerë t'i jepte monedha prej xhevahiri si dhe margaritarë. Djaloshi shkoi dhe preu një pjesë nga gjoksi i nënës bashkë me zemrën e saj. Më pastaj, i mori ato që i preu dhe u nis për te njeriu me vrap. Gjatë rrugës u rrëzua për toke për shkak të ngutjes. Kështu, edhe zemra e nënës ra në tokë dhe nisi të rrokullisej e ky s'mund të ngrihej. Zemra e nënës e thirri kur ky u mbulua nga pluhuri dhe i tha: "Biri im! O i dashuri im, a mos je lënduar?". Befas, megjithëse zëri i zemrës së nënës së tij ishte shumë përdëllyes, u duk sikur zemërimi i qiejve të kishte rënë mbi këtë djaloshin dhe ky e nxori kamën (thikën) për ta vrarë veten, gjë që do të bëhej për të marrë mësim të gjithë ata që ia vënë veshin, porse zemra e nënës i bërtiti duke i thënë: "Ndale atë dorë dhe mos e mbyt zemrën time dy herë në të njëjtin vend!!!"...
Vëllezër të mi! Nëse dikush prej jush ka marrëdhënie jo të mira me nënën ose babanë, që tani, - unë le t'ju jem dëshmi për ju ose kundër jush para Allahut, - sa nuk i është bërë vonë, le të pendohet! I tilli prej jush duhet t'u shkojë e t'ua puthë duart e këmbët! Le të pendohet, pra, para Allahut të Lartësuar!

Autor: Abdullah Bane'ema

Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 06.01.2009

Recensoi dhe lekturoi: Ilmi REXHEPI

Burimi: http://www.youtube.com/watch?v=dj_vogsfDVo

Ah, po më dhimbset Sokrati...!


Fjalia e madhe

Një prej filozofëve që historia vështirë se i harron, është edhe Sokrati. Ai nuk ka besuar në Zotin Një, këtë e dimë të gjithë! Sido që të jetë, do të kishim pasur rastin, ma merr mendja, të lexonim pak nga jeta dhe urtësia e mendjemprehtësia e këtij filozofi, të cilin do të doja ta konsideroj si vëlla...!
Ai, në një rast, ka thënë: "Martohuni me çdo kusht! Rrjedhimisht, nëse gruaja ju del e mirë, do të jeni të lumtur; në të kundërtën, nëse ju del e keqe, do të bëheni filozofë!". Hëm! Interesante!!!

Një ndodhi...

Veç kësaj, nga jetëpërshkrimi i tij mund të mësojmë se ai ka qenë i martuar me një grua mendjetrashë. Gruaja e tij, pra, vazhdimisht i ka bërtitur dhe është ankuar për shumëçka, ndërsa ky ka pasur zakon të heshtë në ato raste.
Një ditë, gjersa Sokratit i qenë ardhur disa mysafirë, sigurisht miq e kolegë të tij, gruaja e tij as edhe atë ditë nuk e kishte ndalur veten nga të bërtiturat kundrejt tij. Kishte bërtitur për kohë të gjatë, kurse Sokrati nuk ia kishte kthyer me të keq aspak. Megjithatë, gruaja e tij nuk e kishte konsideruar këtë gjest si të mirë, por e kishte marrë mbrapsht. Ç't'i bësh?! Pas pak, gruaja e tij kishte marrë një kovë dhe e kishte mbushur me ujë. Dalëngadalë, vjen në dhomën ku gjendej Sokrati me miqtë e vet. Befas, kovën e drejton kah Sokrati dhe të tërin e bën qull. Ndërkaq, njëri prej miqve të tij i drejtohet: "Koleg i nderuar, çfarë po ndodh kështu?". Në habitje ndaj të gjithëve, Sokrati ia kthen: "Bah, koleg, pas gjithë këtyre bubullimave, e natyrshme është që t'ia nisë shiu!"...

Këshillë kundrejt të mençurve...

O ju të mençur! Zoti juaj ju ka ndritur me mençuri e dituri. Veç këtyre, sigurisht se edhe durimi është pjesë e juaja, ashtu sikurse edhe Sokrati që ishte i durueshëm, i ditur e i mençur. Kam frikë se ai edhe një herë do të notonte, tani në lotët e vet, po ta kishte lexuar këtë shkresë të thjeshtë! Po ju që jeni ende të gjallë, vallë? A nuk merrni mësim? A dëshironi, vallë, t'ju shkojë huq mençuria, dituria e durimi??? Mosni, ju lutem! Është padrejtësi ndaj vetvetes! Prandaj, njiheni Zotin tuaj dhe jini mirënjohës ndaj Tij!

Këshillë kundrejt bashkëshorteve...

Oj krijesa të bukura! Oj pjesa e dytë e njerëzimit! Për Sokratin ramë në përfundim se nuk do t'i ketë punët mirë në botën e pastajme, por a mund të më tregoni se si do ta ketë hallin gruaja e tij? A mundet të më tregojë ndonjëra prej jush, vallë? Sokrati, të paktën, ishte i mençur e, ç'është më e rëndësishmja, ishte i durueshëm në këto raste, por ç'vlerë mund të më numërojë ndonjëra prej jush në karakterin e gruas së Sokratit? Ju pyes, a dëshironi të përfundoni si ajo apo doni ta fitoni Parajsën si rezultat i butësisë suaj ndaj bashkëshortit tuaj???! Jini të buta, pra, sepse Allahu i Lartësuar ju ka krijuar të buta! Për më tepër, mos i bezdisni bashkëshortët tuaj, siç bënte gruaja e Sokratit me bashkëshortin e vet!


Përgatiti: Arsim JONUZI, 02.01.2009