Ndodhi e kodifikuar


Pata vajtur, një ditë, në një shitore për të blerë qumësht. Shitësi ishte pak paradoksal. E ftonte njeriun e dytë të radhës, kurse të parin pas atij. Nuk e di pse bënte kështu, por të gjithë u patëm mësuar më. Gjithkujt kjo i dukej normale dhe ishte tamam e pranuar nga njerëzit...
Në ditën kur shkova unë qeshë i pari në radhë, porse, siç thashë, shitësi e ftoi blerësin e dytë i cili kishte qenë pas meje duke ma vrojtuar dorën e djathtë. Kur u ktheva për të parë se kush është, ç'të shoh, ishte Kolombo! "Oh, o njeri i historisë, a edhe ti paske ardhur a?" – i thashë, duke qenë me buzë në gaz. "Nuk jam njeri i historisë, por me gjeografi merrem!" – më tha ai, duke më lënë të hutuar për një kohë. "Obobo!" – i thashë dhe u skuqa. "Ah, tani m'u kujtua se patëm mësuar në shkollë për ju! Po, po, tamam. Ju pata parë në fotografi. Ju jeni Kolombo, në mos gabofsha!" – i thashë, duke e pasur kokën të ulur...
Unë e bleva qumështin e ai bleu disa sheqerka dhe pati dalë nga shitorja para meje. Pasi dola më ftoi në gosti te shtëpia e vet dhe më futi në dhomën ku e kalonte kohën në studim. Durova me heshtje për ca kohë dhe pas pak më shpërtheu për ta pyetur për shkakun se përse më kishte thirrë. "Mos u bën merak, o çun! Të kam ftuar për të bërë një çik muhabet". – "Mirë, po me se merresh konkretisht, zotëri Kolombo?" – e pyeta, ndërsa ai m'u përgjigj: "Unë merrem me zbulime. Zbuloj vende nëpër tokë, po zbuloj edhe vullkane në mendje e kështu me radhë!". Aman, Allah! Aman, Allah! "O xha Kolombo, e çfarë janë këto vullkanet e mendjes?" – e pyeta dhe po prisja me gjithë trupin për të më dhënë përgjigje, ndërsa ai ma ktheu: "Do ta kuptosh. Së shpejti e kupton, jam i bindur unë!"...
I dhashë një xhiro dhomës, ndërsa atë e zura duke ma vrojtuar edhe një herë dorën e djathtë dhe kishte qenë duke buzëqeshur, për çudi. Duke ndenjur për një minutë në atë qetësi të plotë, atij i cingërroi telefoni dhe e prishi qetësinë. Dukej sikur po fliste me një njeri që i foli anglisht: "Mr. Kolombo, I wanted to ask you whether...", kurse mua më shkoi vëmendja tek rafti i madh i tij me libra. Ndërkaq, diku kah fundi i bisedës munda ta dëgjoj duke thënë: "...Islam is fair!". Eh, t'ju them se në atë kohë nuk i dija shumë sende dhe turpërohesha të pyesja. Pra, nuk ia dija emrin, por e emërova me atë fjali që e dëgjova të fundit...
"Xhaxha, kam edhe një kërkesë!" – i thashë. "Të lutem më trego çka ishte "vullkani i mendjes"?". – "Vullkani i mendjes" është burim i aktivitetit intelektual. Përmes tij njerëzit zgjojnë njerëz; ua hapin mendjen dhe u zbulojnë kontinente në kokë!" – më tha ai. Unë e dëgjova, por nuk kuptova asgjë e, si rezultat, i thashë: "Xhaxha, më është bërë e tëra bozë!".
Ai më përcolli, më pastaj, dhe unë shkova në shtëpi me vrap. Kur mbërriva, e ëma më tha: "Ku ishe, or bir, a ma bleve qumështin?", kurse unë i thashë: "Po, e bleva dhe isha te zotëri Islamifer Kolombo, oj nënë. A ke dëgjuar për të?". Tha: "Kam dëgjuar për një farë Kolombo, i cili thonte se e ka zbuluar Amrikën". – "E ku është Amrika, oj nënë?" – e pyeta. – "Po ku ta di unë, or bir, po gjyshi yt thonte se ai ka gënjyer!" – më tha nëna dhe më vuri në dilemë edhe më të madhe...
Pasi hëngrëm darkë, shkova te gjyshi dhe i thashë: "Gjysh, a e di ti se kush e ka zbuluar Amrikën?". Ndërkaq, ai m'i përkëdheli flokët, më afroi pranë vetes dhe më tha: "O bukuroshi i gjyshit, ndoshta ju kanë mësuar me qitape të shkollës se e ka zbuluar Kristofer Kolombo, por nuk është ashtu në të vërtetë. Megjithatë, ti ke kohë të mësosh e t'i kuptosh gjërat!". Eh, të faleminderit, gjysh! Tash më ke qetësuar. Përndryshe, unë e di se ti i di sendet dhe se nuk më gënjen, apo s'është kështu?" – i thashë. "Ashtu është, biri im. Më dëgjo tash të të flas për një njeri të mëhallës sonë, të cilit i kanë vënë pseudonimin "Kolombo"!". – "Aaaah! Po sot kam qenë te ai, o gjysh!" – bërtita unë. "Eh, mirë shumë!" – më tha gjyshi. "Ai është njeri që të mahnit dhe thotë gjëra të dobishme! Zakonisht, të rinjve ua shikon fytyrën dhe duart. Për më tepër, atë që e fton në shtëpinë e vet, atij i jep..." dhe cingërroi zilja e shtëpisë. Gjyshi më tha të shihja kush ishte, kur pashë se kishte ardhur xha Kolombo. "Mirëmbrëma, djalosh që nuk po ta di emrin!" – më tha ai. – "Mirëmbrëma!" – ia ktheva unë. Më pas, ai ma dha një kuti të mbështjellë dhe iku. Shkova në dhomë dhe e hapa në prani të gjyshit, kur doli një kalem. "Biri im, tashmë konsiderohesh njeri i zgjedhur i "Kolombos". Kalemin që ta ka dhënë ai, a e di se për çka duhet ta shfrytëzosh? – më pyeti ai dhe doli nga dhoma, pasi m'i përkëdheli faqet...
Tash nisën emocione të papërshkrueshme në mua. I thoja vetes të parafytyroj për ca momente se isha njeri i zgjedhur i "Kolombos". Parafytyroja e riparafytyroja, por pak më besohej. Atë kohë nuk më besohej dhe pikoja lot nga gëzimi, por tash pse po pikoj, vallë? Aman, o Zot!

Shkroi: Arsim JONUZI, 22.02.2009


Kushtuar: HAMDI NUHIJUT

Takim me shejhun


"Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu, ja shejh!" – i thashë. "Ue alejke selam ue rahmetullahi ue berekatuhu, ja habibi!" – ma ktheu ai. Allahu Ekber! "Kejfe halek, ja shejh?" – iu drejtova me buzëqeshje. – "E si do ta kuptojnë të tjerët këtë?" – ma ktheu ai, duke supozuar në ju; më bëri të kuptoj, pra, atë që nuk e dija. I thashë: "Nejse, si ju kam?". "Nëse te Zoti jam mirë, s'kam pse të them se nuk jam mirë me veten e ndaj të tjerëve!"...
Të dashur, po sikur ta shihnit duke rrezatuar! Flokët i kishte në të njëjtën ngjyrë si mjekra e zezë që ia hijeshonte fytyrën për disa herë më shumë se sa që ishte i pashëm në të vërtetë. Ballin e kishte aq të çelur, ti thua ky njeri nuk është vrenjtur kurrë. Ngjyra e hirtë e syve, shikimi që të jepte siguri dhe entuziazëm për vazhdim për më tutje, hapje-mbyllja e ngadalshme e syve të bënte me dije se njeriu ka ashk për atë me të cilin bashkëbisedon. I Lartësuar, vërtet i Lartësuar është Allahu, madhëruar qoftë përherë! Ç'trup të mirë i kishte dhënë shejhut?! Në çdo kohë, thuajse, kishte koordinim mes duarve, fytyrës dhe fjalëve që thonte. Ai është që posedon një elokuencë të mirë dhe një mençuri që të mahnit, të freskon, ta kthen buzëqeshjen dhe të bën për vete, nëse Allahu ia lë që të zgjedhë ndërmjet qind përqind apo një përqind më pak, eventualisht.
"Bismilah, ja Allah, ja Haju, ja Kajum! Shejh, interesante është se unë i dua shumë këta emra" – i thashë. "Ndoshta do të jetosh gjatë dhe ballëlartë!" – më tha ai, duke më lënë për disa sekonda që të buzëqesh në vete dhe duke më hapur një gurrë të madhe elani për punë. "Shejh, më shto pak diturinë, pasi e kam të cekët!" – i thashë duke pritur siç pret studenti para mësimdhënësit pas provimit, ndërsa ai më tha: "Bukurosh, më shto edhe ti timen!". Allahu Ekber! Subhanallah! Sidoqoftë, unë e hoqa çudinë para se ta shkruaja këtë, ndërsa ju mos bëni asgjë pa lëshuar buzëqeshje! Më tej, rimblodha veten edhe një herë dhe ia thashë urimin vijues: "Shejh, t'u shtoftë dija edhe më tepër, inshaAllah!", ndërsa ai, prapë duke më lënë të shtangur, më tha: "I dashuri im, lutu që më shumë të më shtohet ameli përpara dijes! Ka shumë gjasa që të dal i varfër para Allahut për kah veprat. Ia kam dronë Atij për këtë, me të vërtetë!"...
Hej, more fati im! Sikur ta dija për këtë takim të sontëm, do të gëzohesha qysh nëntëmbëdhjetë vite më parë! Sot po se po, po edhe dje e edhe pardje do të kisha gjëlluar gëzueshëm. Eh, vërtet më dhimbset vetja që nuk e dija dhe tani po e pyes veten se mos ndoshta nuk i kam shfrytëzuar mirë këto minuta me të. Ah, sikur në maksimum t'i kisha shfrytëzuar! O fat, kush e di tash se a do të takohem më me të si sonte! Kam bindjen se mund të më konsideroni si fëmijën i cili përçirret kur i rrëmbehet diçka pa të cilën atij i zbehet disponimi. Subhanallah! Po sa i ngjashëm paska qenë ky shembull me timin!!! Subhanallah! Sa i ngjashëm!!!


Arsim JONUZI, 20.02.2009

Plaku i mençur


Një njeri 92 vjeçar, i shkurtër e i pashëm për nga hijeshia sot është duke u shpërngulur në shtëpi të pleqve. Gruaja e tij 70 vjeçare kishte vdekur këtyre ditëve, kështu që ai duhej ta lëshonte shtëpinë. Pasiqë priti disa orë në paradhomën e shtëpisë së të pensionuarve, ai buzëqesh me butësi, meqë i thanë se dhoma e tij tashmë ishte gati për të hyrë ai në të. Përderisa po ecte ngadalë me bastunin e vet për tek lifti, unë po jua përshkruaj dhomën e vogël që iu dha me një çarçaf të varur te dritarja, i cili shërbente si perde.
"Më pëlqen tepër", – thotë ai me entuziazëm, sikur të ishte djalë 8 vjeçar të cilit i dhurohet një këlysh. "Ztr. Gagné, pritni një moment se ende nuk e keni parë dhomën, pothuaj se arritëm!". "Nuk ka dert", – ia kthen ai. "Lumturia është ajo që unë e zgjedh paraprakisht. Mobiljet apo zbukurimet e dhomës nuk janë ato që më shtyjnë ta pëlqej atë, porse kjo varet në bazë të asaj se si vendos unë që ta shoh!", – vazhdoi edhe më tej plaku. "Tashmë kam vendosur në mendjen time se e dua dhomën dhe ky është një vendim që e marr saherë që zgjohem!".
"Unë mund të bëj zgjedhje. Mund ta kaloj tërë ditën në shtrat duke i numëruar të gjitha vështirësitë që i kam me pjesët e trupit të cilat kanë filluar të mos funksionojnë si duhet, ose ndonjëherë zgjohem dhe shpreh falënderime për pjesët tjera që ende më punojnë mirë!".
"Çdo ditë është dhuratë në vete. E përderisa mund t’i hap sytë, do të përqendrohem në ditën që është e re dhe në gjithë kujtesën time të lumtur që e kam ndërtuar përgjatë gjithë jetës. Për më tepër, mosha e vjetër është si llogari bankare. Pra, në jetën e pastajme, secili e tërheq apo e merr atë që e ka depozituar në këtë jetë! Së këndejmi, këshilla ime është që të depozitoni sa më shumë lumturi në llogarinë tuaj të kujtesës!".
"Për fund, ju faleminderit që ishit pjesë përbërëse e procesit të mbushjes së llogarisë sime me kujtesa të mira, të cilën ende dhe përherë do të vazhdoj ta mbush…!".

Mos i harro këto pesë udhëzime për të qenë i lumtur:

1. Zbraze zemrën nga urrejtja!
2. Zbraze mendjen nga shqetësimet!
3. Jeto me thjeshtësi!
4. Dhuro shumë (ndaj të tjerëve)!
5. Shpreso pak (nga të tjerët)!



Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 09.02.2009