
Ishte dita e nëntëmbëdhjetë e marsit. Vërtet ishte freskuese aroma që vinte nga deti i gjelbër. Eh, po si reflektonte kjo ngjyrë në qiell! Atij, pra, i jepte shkëlqim, kurse unë arrita të nuhas nga trëndafilat që u hapën si rezultat i tërë këtij procesi. Uf, po ç'aromë gjallëruese që dhanë! Misk, keni nuhatur, vallë? Misk që t'i mbyll sytë, njëmend...
Sidoqoftë, u takuam prapë me shejhun, ndërsa selami erdhi dhe u ul në mes nesh. Shejhut ia puthi dorën, kurse për mua u kërrus pak dhe më puthi në ballë. Uuu, po çfarë freskimi më dha?!!! Konsideroj se nuk e keni idenë, ndonëse do të dëshiroja ta fotografoja atë kënaqësi dhe t'jua jepja të mbështjellur në kadife. Pasiqë shejhu më dha një përgjigje bukur mirë të përpunuar, në lidhje me rrobet e zemrës sime, ai filloi të më tregojë edhe gjëra të cilat ia fusin zjarrin derës që i mbyll emocionet e shpirtit...
I thashë shejhut: "O shejh, ju kam kopsht! Kopsht ju kam, a kupton?", ndërsa ai më buzëqeshi, saqë m'u duk se ma përbiu zemrën dhe më tha: "Dua të të mbjell për farë!" Kështu më tha, pasha Atë që m'i mundëson takimet me shejhun! Sikur të më tregonte ndokush se pse e dua atë aq shumë! Them, rrjedhimisht: aman, o Zot, duaje se e dua! E ndoshta unë nuk di të dashuroj si duhet, ama nuk di as si ta largoj atë nga zemra. Teprimi im mund të jetë ngushtim për shejhun, por bërësi i së mirës është më i mirë se vetë e mira, ka thënë mësuesi i të gjitha kohëve, alejhi salatu ue selam.
Shejhu, pak më vonë, më tha: "Djaloshi im, dua që të vish kah vendndodhja ime dhe të bëhesh shkak për bereqet këtu, në dashtë Zoti!" Ndërkaq, duke ikur nga reagimi i kësaj e për t'u ndërfutur në një restaurim që mbase sjell dobi, unë gjithnjë po e pyes veten se përse shejhu po më barazon me veten, e ndonjëherë edhe po më vë në pozitë më të lartë se ai. Subhanallah! Dhëntë Zoti që kjo të jetë hajr, sidoqoftë! Ah, zem-zem! A mos tha ndokush se kjo është modesti? Sa për informim, shejhu është aq modest saqë as që lodhet aq shumë për ta shprehur modestinë! Prore po më thellon në enigma të ndryshme. Bah, kënaqësi kam dhe i lumtur po ndjehem, përndryshe.
"Ani, shejh, ç'po më tregon ndonjë send tjetër?" – i thashë unë, duke u bashkëpajtuar në mënyrë të pazëshme me shejhun për të kaluar në një kaptinë tjetër të bisedës. Shejhu u kthye kah unë dhe më tha: "Të them të drejtën, është koha të kem dikë që...", – "Më ke mua, o shejh, apo jo?" bërtita unë, ama mu sikur të kisha qenë shok i Tarzanit. "Haha!", qeshi lehtë shejhu dhe më tha: "Sigurisht që ne i përkasim njëri-tjetrit, dhëntë Zoti, deri edhe pas vdekjes!"...
Për fund të kësaj here, po ju them edhe diçka, o i nderuari i shpirtit tim dhe i dashuri i syve të mi: "Sot u takuam në këtë tavolinë pa kënde e pa shtylla, porse kur t'ju takoj për së gjalli, vërtet do t'ju kisha shtrënguar shumë. Për më tepër, nëse takohemi, ka gjasa që mos t'jua lëshoj dorën për gjatë e mund që edhe të shtangem i tëri. Së këndejmi, më prekni, ju lutem, dhe më thoni se nuk jam duke parë ëndërr. Pra, po e them tash sa jam me vetëdijë të plotë: Më shkundni për krahësh dhe më thoni se do të ishte e vërtetë ajo që do të ndodhte!Arsim JONUZI, 19.03.2009

Nëse Allahu i Lartësuar nuk krijon ëmbëlsi në kërcejtë e kallamit të sheqerit, ata do të shiteshin për një shumë mjaft të vogël. Madje, askush ndoshta as që do të ishte interesuar për ta. Mirëpo, a hëna është më e bukur apo Krijuesi i bukurisë së hënës?
Kur të devotshmit e arritën Dashurinë e Allahut të Madhëruar, shejh Velijullahu iu drejtua perandorëve mongolë prej minberit të xhamisë së Delhit, duke u thënë: "O perandorë mongolë, Velijullahu ka një zemër në kraharorin e vet. Kjo zemër, për më tej, përmban perla të Dashurisë së Allahut. Siç dihet, kutia më e madhe e nxë kutinë më të vogël. Çmimi i kutisë më të madhe përcaktohet nga çmimi i kutisë më të vogël. Pra, nëse kutia më e madhe përmban pambuk, lecka e pelena fëmijësh të bëra pis me urinë, ajo nuk do të ketë ndonjë vlerë. Madje, as që do të ishte ruajtur. Mirëpo, nëse kutia më e vogël përmban ndonjë gur të vogël që vlen me miliona, atëherë do të ketë edhe rojë që do ta mbrojnë atë dhe se, për shkak të kutisë së vogël, edhe kutia e madhe, gjithashtu, do të jetë e mbrojtur. Kështu, nëse zemrat kanë dashuri ndaj Zotit të Madhëruar; nëse kanë iman e devotshmëri, atëherë pjesët e jashtme të trupit do të jenë të mbrojtura gjithsesi!".
Ne sot ankohemi se përse bëhemi kërdi nga Izraeli, se çka është duke u ngjarë muslimanëve në Indi dhe se pse muslimanët e botës, në përgjithësi, janë turpëruar. Ky realitet është si pasojë e asaj se ne kemi vetëm kutinë e madhe dhe se ajo është skajshmërisht elegante. Pra, pjesët tona të jashtme janë të zbukuruara më shumë se sa i kanë pasur shokët e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!). Megjithatë, neve na mungon pjesa e çmueshme që ata e kishin në brendësi. Neve na duhet ajo sot, njëmend! Po çfarë është ajo, vallë? Ajo është Lidhja me Allahun e Lartësuar. Më saktësisht, ajo është dashuria ndaj Allahut, frika e respekti ndaj Tij. Kjo, pra, ishte ajo që shejhu Velijullah kishte pasur në mendje.
Për më tej, ai, gjithashtu, kishte thënë: "O mbretër mongolë, Velijullahu ka zemër në gjoksin e vet. Ajo përmban perla dashurie ndaj Allahut të Madhëruar. Nëse është ndokush më i pasur se unë nën qiell, le të bëjë një hap përpara!".
Këta, pra, janë të devotshmit dhe, njëherit, miqtë e Allahut të Lartësuar. Për më tej, kur dashuria ndaj Allahut të Lartësuar e ngjyen zemrën e secilit prej tyre, ata s'kanë dert nga mbretërit.
Hafëz Shirazi thotë: "Kur hafëz Shirazi shastiset me Emrin e Allahut dhe kur Aroma e të Dashurit të Vërtetë ndihet prej Fronit Fisnik, atëherë ai nuk do t'i blente mbretëritë e Kausit e Kejit – mbretëri të Iranit, për as bile një kokërr elbi!"
Të gjitha gjuhët, si: arabishtja, persishtja, turqishtja e anglishtja janë tejet të kufizuara dhe se s'mund ta pasqyrojnë kënaqësinë në dashurinë e pakufizueshme ndaj Allahut të Madhëruar. Së këndejmi, hafëz Shirazi thotë se kur dehet me dashurinë ndaj Allahut, ai, më pas, nuk ia vë syrin e as kujdesin asnjë mbretërie dhe se nuk i thotë zemra që t'i pronësojë ato as për edhe një kokërr elbi si kompenzim.
Mbreti i Sanxharit i kishte shkruar Abdul-Kadër Xhejlaniut (Allahu e mëshiroftë!) se dëshironte t'ia japë atij pozitën e Nemruzit, ndërsa ai i kishte thënë: "Le t'u nxiftë fati im si ombrella e mbretit të Sanxharit, nëse e dëshiroj mbretërinë tënde. Që prej se e kam arritur mbretërinë e pjesës së fundit të natës, nuk dua ta blej mbretërinë tënde as edhe për një kokërr elbi.
Për qartësim, mbretëria e natës është adhurimi ndaj Allahut dhe tehexhudi, pra. Meulana Rumi siç ka thënë: "Nëse e arrin shijen e një sexhdeje, gjithsesi se do ta kishe lënë mbretërinë, siç e ka lënë Ibrahim ibën Adhami (Allahu e mëshiroftë!). Kur ec, njëri thotë: "Subhanallah!". Mirëpo, në pozitë sexhdeje, thotë: "Subhane Rabijel E'ala!". Kjo është për shkak se sexhdeja është gjendje distance e ngushtë me Allahun e Madhëruar. Tani, mund të thuash: "O Zoti im! Subhane Rabijel E'ala!", që do të thotë: "Ti je i Pastër, o Mbikëqyrës, më i Larti!".
Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 28.01.2009Burimi: http://blogs.muxlim.com/Islam1/is-sugar-sweeter-or-the-creator-of-sugar/