Arthyerje


O Zoti im, unë e di pse sprovohem: nga dashuria që ke për mua nuk dëshiron që unë të digjem në Zjarrin e madh të Xhehenemit, por më pastron qysh prej në këtë dunja! Këtë e bën qoftë duke më hedhur para provokimeve të njerëzve, qoftë duke më bërë të sëmurë, qoftë duke më ngarkuar me angazhime, etj. Sipër gjithë këtyre, një po e kam vështirë ta përballoj, o Sundues i krijesave: po çmendem, kur privohem nga inspirimi për të shkruar!

O Zoti im, si i këtillë nuk mund të qëndroj dot. Nuk po mund të vazhdoj së ndenjuri qetë. Si rrjedhojë, nuk po mund as të meditoj, madje! Mandej po turbullohem, po tërbohem, po mërzitem, po përçirrem, po pesimizohem, po varësohem, po lakmoj, po luftohem e po luftoj, po pësoj, po rrëzohem, po zhagitem e po rrokullisem, duke mos mundur të fle, duke pasur ankthe e ankthe, natë pas nate e çast pas çasti!


O i Bukuri i syve të shpirtit tim, ma bëj shpirtin tim reflektues të së bukurës!


O Mbret i zemrës sime, ma bëj zemrën time të nënshtruar ndaj Teje!


O Edukues i egos sime, ma bëj egon time të dëgjueshme ndaj Urdhrave Tua!


O Qetësues i mendjes sime, më bëj të mos lakmoj gjë, veç Fytyrës Tënde!


O Ushqyes i gojës sime, më ushqe duke i përmenduar Emrat Tu!


O Mbikëqyrës i trupit tim, më jep gjak të bollshëm për në Rrugën Tënde!


O i Dashuri im, dhurojua të tjerëve këtë dunja-lojë, ndërsa mua më jep bojë!



Arsim JONUZI, 24.07.2009

Dizelistë dhe benzinistë


Mora edhe një çikë pendën të vë në letër nja dy fjalë ekspresioniste. Të vë në dukje këtë botë eksplozive timen; të hiqja prej barku atë lëndë shpërthyese, atë zhgan molekulash toksike prej të cilave zhgapërrehesh pa kthim. Do të villnit, do të zverdheshit fytyre, do të shtangeshit duarsh dhe do të shtrembëroheshit buzësh...Ah...me "h" grithëse të arabçes...

Qeshem me melankoli. Qeshem dhe kafshohem duarsh. Po, po. Veç ato "shiritat e bardhë" po më mungojnë, do të pandehnit. Tamam do të më merrnit për të sëmurë skizofren. Çfarë t'ju bëj unë tashti kur ju nuk e keni parasysh një aspekt të Mëshirës gjithëdimensionale të Zotit. Ai, madhëruar qoftë, ka pamundësuar përcjelljen e plotë të emocioneve. Do të thotë, thjesht njeriu s'mundet ta thotë plotësisht atë që e mendon a atë që e ndjen. Përndryshe, sali ala Muhammed, kush e di se kush do të lexonte ese?! Ndoshta kurrkush, përveç shkarravintarëve...më falni...shkrimtarëve si unë...

Kur hyn në këtë viran kompjuter, ç'të shohësh?! Shkon në ndonjë mexhlis, përgojime e shpifje dëgjon; shkon në xhami, hëm...s'po di a ta përmend... Të përlame sheh në shumë qoshe, kacafytje, çuarje inatesh deri në fund, bile duke ia kaluar edhe gomarit. Ncë, ncë, ncë! Subhanallah! Kam përshtypje se do të më dalin ferra syve e do të më çelin kaktuse nëpër veshë, duke parë e duke dëgjuar çmos! Askush prej nesh nuk është i përkryer, por edhe si duket pak po e synojnë atë. Të paktën ta synonin. Më ndryshe do të ishte, për Zotin!

Nga rreshti i parafundit prej publikut erdhi një zë se një dijetar paska thënë se ai që kërkon shokë pa të meta, mbetet pa shokë, ndërsa fare nuk i shkoi në mendje ditëziut se fare hiç nuk i respekton kodet sociale të miqësisë. Ama vetëm kishte dashur të lajmërohet se është prezent, si duket. Cakton takim dhe fare nuk skuqet kur takohet të nesërmen dhe thotë: "Valla be kejt kisha harru me ardh mbram, a! Kejt pi menve m'kish dal, a!", dhe s'ke ç'i thua, veç hajr, ngushëllim e përmirësim t'i urosh...

Aman, vëllezër, deri kur do t'i lini këta "dizelistë"? A mund të na japë sihariq ndokush se ata do të migrojnë në ndonjë shkretëtirë, ashtu siç janë edhe vetë ata, mor, i marrtë dheu!!! Kur, vallë, do të përfundojë epoka e tyre? Sido që të jetë, le ta dinë të paktën se ka krijesa që po rënkojnë nga ata! "Dizelistë" – ndoshta më pak "harxhojnë", ama një mijë e një të këqija të tjera i kanë. Në anën tjetër, ky tabori tjetër – "benzinistët". Ouf, bjermani një legen!... A i keni parë, vallë, se si ndezen – ende pa e dhezur shkrepësen, fare! Shpirtin në fyt e kanë dhe hiç më shumë se të parët nuk i kanë të rregulluara normat e bontonit, të cilave askush nuk po rrah gjoks t'ua paguajë funeralin. Kanë mbetur rrugëve të cofëta të shkretat, krejt janë duke i mbyllur hundët prej tyre. Prej normave e pata fjalën.....! Uh, ç'kundërmim! Pifjaaa...!!!

Përfundimisht, le ta marrë kush si të dojë! Ky, tek e fundit, nuk është pohim a gjykim hyjnor, por është një ndjenjë e hidhur e një të riu, por me qime të thinjura. Më mplakën ata, para se të më mplakë Zoti në mënyrë të natyrshme! Merreni me mend: gjërat dhe jeta po duket të jenë relative, ndërsa njerëzit shumë subjektivë! E tash po u puthitën këto premisa me njëra-tjetrën...katërstrofë! E nëse berberët nuk dinë si t'ua bëjnë klientëve të tyre frizurën si të Ajnshtajnit, lirisht le t'i puthitin këto premisa se mund të përfitojnë ndonjë frizurë si të atij!

Sinqerisht dhe seriozisht thënë, besimtarin e mban Dita e Gjykimit dhe dalja në shesh e secilit me të bërat e veta. Atëherë ndoshta do të kishte rehati se, përndryshe, në këtë dunja u qelbëm nga këta gojëfëlliqur. Larg, larg! Sa më larg le të rrinë dhe le të mos na afrohen!

Arsim JONUZI, 07.07.2009

Qëndrimi është gjithçka!


A keni pyetur ndonjëherë se sa shihni prej një ajsbergu? Vetëm 10 % e çdo ajsbergu është i dukshëm. Pjesa prej 90 % është nën nivelin e detit! Pra, pjesa që duket mbi nivelin e detit është 10 %, ndërsa ajo që është nën të është 90 %.

Megjithatë, fenomeni i ajsbergut është i zbatueshëm edhe te qeniet njerëzore:

· Dituria dhe aftësitë – pjesa që duket (10 &);
· Qëndrimi – pjesa e panjohur për të tjerët (90 %)

Me fjalë të tjera, qëndrimi, i cili është i përbërë nga vlerat, kriteret, gjykimet, motivet, morali dhe besimi, ndikon te sjellja!

Çfarë e bën jetën tuaj 100 %?

Sa për ilustrim, le të konsiderojmë se çdo shkronjë prej alfabetit të anglishtes është e barabartë me numrin përkatës rendor, duke filluar prej njëshit:

Skills = 19+11+9+12+12+19 = 82 %

Knowledge = 11+14+15+23+12+5+4+7+5 = 96 %

Hard work = 8+1+12+4+23+15+18+11 = 98 %

Attitude = 1+20+20+9+20+21+4+5 = 100 %

Çfarë mund të bësh?

· Mund të bësh gjithçka, por jo të gjithat përnjëherë!
· Mund të bësh gjithçka, por nëse është e rëndësishme sa duhet për ty që ta bësh!
· Mund të bësh gjithçka, por mund të mos jesh më i miri në gjithë atë që e bën!
· Mund të bësh gjithçka, por ka kufizime!
· Mund të bësh gjithçka, por do të të duhet ndihmë!

Thëniet më të mira mbi qëndrimin pozitiv:

Mendimi pozitiv është fara e rezultatit pozitiv!

Nëse nuk të pëlqen diçka, ndryshoje atë. Nëse nuk mund ta ndryshosh, ndryshoje qëndrimin tënd. Mos u anko!

Ndryshimi më domethënës në jetën e njeriut është ndryshimi i qëndrimit të vet. Qëndrimet me vend prodhojnë veprime me vend!

Nëse me të vërtetë dëshiron të jesh i lumtur, askush nuk mundet të të ndalë, përveç Zotit!

Se a është një gotë gjysmë e mbushur a gjysmë e zbrazët, kjo varet prej qëndrimit të njeriut që e shikon atë!

Për çdo gjë ka mënyrë më të mirë. Gjeje!

Qëndrimi pozitiv nuk është thjesht destinacion tek i cili vetëm duhet të arrijmë. Ai është mënyrë e të jetuarit!

Dallimi në mes një njeriu të suksesshëm dhe të tjerëve nuk është te mungesa e diturisë, por te mungesa e vullnetit!

Mendimtari pozitiv e sheh të padukshmen, e ndjen të paprekshmen, dhe e arrin të pamundurën!

Njeriu me vetëbesim e arrin edhe besimin e të tjerëve!

Ti do të shkosh vetëm se aq larg sa ta merr mendja se mund të shkosh!

Gabimi më i madh është t’u shmangesh situatave në të cilat do të mund të bëje ndonjë gabim!

Qëndrimi pozitiv është si magnet ndaj rezultateve pozitive!

Jeta e secilit është reflektim i qëndrimit të vet!

Qëndrimet pozitive krijojnë një zinxhir me veprime të mendimeve pozitive!

Qëndrimi, e jo prirja, determinon lartësinë tuaj!

Asnjëri nuk dështon, nëse e jep maksimumin nga vetja!

Herët ose vonë, ata që fitojnë janë ata të cilët e mendojnë atë (fitoren)!

Qëndrimi kreativ është gjenerues për përparim dhe zhvillim!

O do të gjej një mënyrë, o do të bëj një!

Ji ndryshimi që dëshiron ta shohësh në botë!

Fali të tjerët, e edhe ti do të jesh i falur!



Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 03.07.2009


Shënim. Për ta pasur versionin të plotë, i cili është në Power Point, klikoni këtu!