Vallë, a keni menduar ndonjëherë se cila
është perifraza e metodës së paraqitjes diçka? Nëse po, ky shënim nuk është për
ju, gjegjësisht pjesa e parë e tij. Nëse jo, atëherë kemi të bëjmë edhe një herë
me sindromin “të gjithë ashtu po e përdorin”. Besoni, ndonjëherë, si në këtë
rast, është vështirë të gjesh termin edhe duke e pasur nocionin, kurse edhe më
vështirë të gjesh nocionin duke e pasur termin, madje edhe nëse termin e
caktuar e ke jashtëzakonisht afër teje, para teje, rreth teje e kështu me radhë.
Të mos i themi demagogji linguistike, po, siç më pati thënë një herë një
profesoreshë imja, ndonëse jo për këtë, po për çështje tjetër – “fenomen i çuditshëm
linguistik”, burimi i të cilit është o brishtësia intelektuale, o prani
barrierash psikologjike.
Metoda e paraqitjes diçka është – medium
– ai term që mbledh në një vend radion, gazetën, televizionin, internetin dhe
një vistër të tjerësh, që ndoshta në të ardhmen do të kemi rastin t’i shohim e
të përfitojmë prej tyre. Kjo fjalë rrjedh nga latinishtja, siç patëm cekur edhe
në një nga shënimet e mëparshme, paradigma kuptimore, thënë kushtimisht, e së
cilës është e larmishme. “Medium” do të thotë “mesatar” edhe, si një nga
kuptimet më të shpeshta e më të njohura për lexuesin shqiptar brenda për brenda
suazave të tërësisë së kuptimeve të termit në fjalë.
Të kthehemi te kuptimi që kemi përzgjedhur
ta shtjellojmë – te mediumi si metodë e paraqitjes diçka. Televizioni, ta zëmë,
është medium audio-vizuel – bën emetim të gjithfarë paraqitjesh me zë dhe me
fotografi. Tutje, gazeta është medium i shtypur; ueb faqja është medium
elektronik etj. Kështu, të gjitha këto japin informata, – këtë e kanë të përbashkët,
– ndërsa çdonjëri dallon prej tjetrit. Ju lutem, nuk implikojmë se një
televizion dallon prej tjetrit, apo se një gazetë e caktuar dallon prej tjetrës
– sepse kjo tanimë s’do të ishte çështje gjuh(ësi)e. Qëllimi ynë është të
arrijmë të argumentojmë se televizioni dallon prej gazetës, sepse, megjithëqë që
të dyja janë burim informatash, metodën e kanë të ndryshme. Njëri (televizioni)
ka metodë audio-vizuele të përçimit të informatave, kurse tjetri (gazeta) ka
metodë informimi përmes një numri të caktuar fletësh të numëruara në të cilat
informatat jepen të shkruara. Pra, që të dyja kanë metoda unike! Së këndejmi,
secili lloj mediumesh ka metodë paraqitjeje (informatash), ndaj çdo metodë
paraqitjeje informatash është medium.
* * *
Pjesa e mësipërme ishte për ata që përgjigjes në fillim i janë përgjigjur
me “jo”, ndërsa pjesa në vazhdim është për të gjithë. Kjo më poshtë ka të bëjë
fill me paradigmën e emrit “medium”. Kini parasysh, theksin e kemi te shumësi i
natyrshëm i këtij emri. Parë në përgjithësi, dy janë trajtat e gabuara të shumësit
të këtij emri. Ajo me shkallë më të lartë është “medie”, e cila s’ka kurrfarë
rrënje të shëndoshë që të normëzohet, kurse ajo më pak e gabueshme është
“media”. Kjo e fundit rrënjët i ka te anglishtja, si një prej gjuhëve ku haset
kjo formë shumësi. E anglishtja e ka përvetësuar prej latinishtes, e kurse në
latinisht shumësi i emrit “medium” bën “media”. Tani ju do të pyesnit: si është
e mundur në anglisht të jetë e normëzuar kjo trajtë (flasim për trajtën
“media”), gjegjësisht në latinisht, e cila është burimi parësor, e në shqip të mos
jetë? Përgjigjja është kjo: natyra e normëzimit të shqipes dikton që emrat me
prejardhje të huaj të kenë paradigmë të përshtatshme fonetiko-fonologjikisht.
Si pasojë, më e natyrshme do të ishte sikur shumësi i fjalës “medium” të ishte
“mediume”, sepse shtohet vetëm mbaresa “e”. Mirëpo, të thuash “medie” është
absolutisht e papranueshme, gjersa “media”, po ta pranonim këtë, atëherë, për të
mos pasur laramani në kornizat e normës, do të duhej edhe fjalët e tjera të
burimit të njëjtë të trajtohen me mbaresën “a”, duke ua modifikuar kështu rrënjën
e fjalës. Kështu, fjalët: kolokuium, referendum, ultimatum etj. do të duhej
shumësin ta kenë: kolokuia, referenda, përkatësisht ultimata. Nuk ka vend të
ketë përjashtim vetëm për fjalën “medium”, se ndoshta ndokush do të thoshte se është
përjashtim. Po pse? Çfarë e bën atë të meritojë të jetë jashtë rregullit? Të
gjithë këta emra dhe shumë të tjerë i takojnë të njëjtit “lakim”, ndaj edhe
paradigma e secilit prej tyre duhet të jetë e njëllojtë në formë.
* * *
Mbiemërzimi është çështje që do prekur po ashtu, kur kemi të bëjmë me këtë
term. Ekziston një farë përshtypje se jemi duke ndjekur parimin e modës: sa më
shumë veta që përdorin një term në ndonjë trajtë, aq më shumë do të besohet se
ajo trajtë është normative, gjë që nuk përbën gjithmonë të vërtetën! Me të vërtetë
duhet t’u kthehemi referencave burimore dhe jo të mbahemi pas kreativitetit të
përdorimit të fjalëve të shkruesve, sepse “e vërteta nuk njihet nga njerëzit,
po njerëzit njihen nga e vërteta”.
Kështu, herë përdoret “medial”, herë “mediatik”. Cila normë është më e
natyrshme, pra normative? Ju lutem, nëse marrim parasysh atë që thamë më lart,
sidomos pjesën e fundit të pjesës së parë, do të dilte se mbiemri për “medium”
do të ishte “mediumor”. Kjo, sepse “-or” është një nga prapashtesat më të
shpeshta që u vihen mbiemrave të panyjshëm. Në diskutim janë edhe ca
prapashtesa të tjera, si: “-al”, “-(t)ar” e “-atik”, por asnjëra nuk do të mbijetonte
pas testimit.
Ky shkrim nuk do të shkruhej po ta kishte parashkruar Instituti i Gjuhësisë
dhe i Letërsisë i ASHASH-it. Në fjalorin e gjuhës shqipe nuk figuron fjala
“medium”, pra si emër, e ku më si mbiemër. Instituti në fjalë ka obligim
shkencor dhe shoqëror të japë verdiktin përfundimtar në lidhje me çështjen, si
dhe të parashkruajë, brenda kopertinave të fjalorit të ri, trajtën normative
edhe të një vistër fjalësh të tjera të reja që s’janë përdorur para ’72-tës.
Arsim Jonuzi, 28.10.2010
[Autori është student në Fakultetin
Filologjik në Shkup]
0 komente:
Post a Comment