Si muslimanë, postulati që ne duhet të kemi ndaj njerëzve në çfarëdo çështje
është se ata janë të pafajshëm. Islami kërkon drejtësi dhe paanësi, kur kemi të
bëjmë me gjykimin e të tjerëve. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “…Kur
të flitni (të dëshmoni), duhet të jeni të drejtë, edhe nëse është çështja për
(kundër) të afërmit…!” (Kuran, 6: 152). Ai gjithashtu thotë: “O ju
që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të Allahut, duke dëshmuar të
drejtën, dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj një populli e t'i shmangeni
drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë. Kini dro Allahun,
se Allahu di hollësisht për atë që veproni!” (Kuran, 5: 8).
Është gabim për një njeri të akuzojë dikë për gjëkafshë, me përjashtim nëse
ka dije të plotë dhe dëshmi të qartë. Së këndejmi, është e ndaluar të bazosh një
gjykim kundrejt ndokujt në sfond thashethemesh, hamendjeje a dyshimi. Allahu i
Lartësuar në Kuran na thotë: “O ju që keni besuar, nëse ndonjë i
pandërgjegjshëm ju sjell ndonjë lajm, shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos goditni
ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni
bërë!” (Kuran, 49: 6). Ai gjithashtu na tërheq vërejtjen: “O ju
që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë
mëkat!...” (Kuran, 49: 12).
Në raste kur njeriu është, të themi, i detyruar të përmendë mangësitë e një
tjetri, më së miri është gjithashtu t’i bashkëngjesë edhe të mirat e atij
personi. Është e gabuar kur zmadhojmë rëndësinë e gabimit të ndokujt a kur e
theksojmë atë tepër, sidomos kur ai gabim s’ka qenë djallëzor (me qëllim) apo në
çështje ku e vërteta nuk është qind për qind e qartë.
Ndërkaq, nëse gabimi shfaqet qartazi dhe vërtetohet me prova solide, atëherë
është në rregull të këshillohen njerëzit për të mos bërë gabime dhe më pastaj ta
shpjegoni të vërtetën. Asgjëmangut, këshillimi duhet të bëhet si duhet, në mënyrë
të butë e që nuk i zmbraps njerëzit. Fill gabimin duhet të tentojmë ta
korrigjojmë, pa ndërsyer më tutje. Për shembull: një njeri që ka bërë një gabim
nuk duhet të akuzohet se ka (pasur) qëllime të këqija ose motive të liga.
Dhehebiu, kur fliste për gabimet e dijetarëve, thoshte këtë që vijon
{Sijar el-alam el-nubela: 14/374 [Siyar al-A`lâm al-Nubalâ']}: “Nëse do ta
zhvlerësonim çdonjërin që ka gabuar në gjykim [në bërjen ixhtihad (shën. i përkthyesit)]
apo të njëjtët t’i shpallnim për bidatxhinj (risimtarë) – ata njerëz që në
thelb kanë besim të mirë dhe që me sinqeritet kërkojnë të vërtetën – atëherë
thuajse asnjë prej dijetarëve tanë nuk do të ishte kursyer.”
Kur fliste për Kataden – tabi’inin e shquar – thoshte si vijon {Sijar
el-alam el-nubela: 2/271 [Siyar al-A`lâm al-Nubalâ']}: “Ai ishte ai që pohonte
se vullneti i njeriut është i lirë deri në masë të mohimit të Vendimit hyjnor (kaderit)
mbi veprimet e njeriut. Lusim Allahun të na mbrojë nga ide të tilla. Nga ana
tjetër, askush nuk dyshonte në ndershmërinë e tij aspak, apo në integritetin e
tij, apo në fuqinë e kujtesës së tij. Ka shumë mundësi që Allahu t’i falë të
ngjashmit me këtë për rënien në ide ta caktuara të shpikura, që s’kanë asnjë qëllim,
pos për ta madhëruar Allahun e për ta përmbajtur larg (veprave të liga që bëjnë
njerëzit). Allahu është Gjykuesi, i Cili është i Drejtë dhe i Mëshirshëm ndaj
robërve të Vet. Ai nuk pyetet për atë që bën!”
Duhet të kemi parasysh se njerëzit e dijes, inteligjencës, integritetit e
devotshmërisë – të cilët janë të përpiktë në hulumtimin e çështjeve dhe që shumë
shpesh të saktë në përfundimet që arrijnë – duhet të shfajësohen kur hera-herës
bëjnë lëshime në gjykime.
Cilësitë e tyre të mira dhe angazhimi i tyre i mirë nuk duhet të shpërfillen.
E, kuptohet, ne nuk ndjekim atë që është treguar të jetë e gabuar, pavarësisht
se kush ka gabuar. Megjithatë, nuk shfrytëzojmë këtë për t’i nënvleftësuar të
mirat që ka bërë personi përkatës.
“E vërteta nuk njihet nga njerëzit,
po njerëzit njihen nga e vërteta!”
Allahu e di më së miri.
Autor: shejh Ahmed el-Hudejri, profesor në Universitetin Islam el-Imam –
Rijad
Përpiluar, redaktuar dhe përshtatur nga Halid Latif
Përktheu nga anglishtja: Arsim Jonuzi, 24.10.2010
0 komente:
Post a Comment