Doni poezinë, zotëri?


Më erdhi zëri, e të pazëshëm më bëri,
E m’i mbylli sytë që përtej të shikoj,
Më tha dëshirat e mëdha më anash lëri,
Dhe gjithnjë fundin e fillimit ta kujtoj.

Në jetë zgjedh, qesh ose qaj,
Po them për fundin, se fillimi dihet.
Pra, të gjithë fillimin e ecim përskaj,
Ndërsa fundi ta zgjedhim neve na lihet.

Në jetë zgjedh, qaj ose shkruaj,
Veçse po qave, i merakos të tjerët!
E po shkrove mund të të marrin të huaj,
Por emri yt nuk përfundon më herët.

Sa herë u betuam se atje do të jemi,
Dhe sa herë e thyem e sa e përlyem.
Na lëntë dyshja jonë një gjë të themi,
Të vërtetën ndaj nesh dot nuk e përthyem!

Qajtëm se nuk hypëm e se s’deshëm të zbresim,
A të presim të vdesim a të gjallë të mbesim?
Shkuan me puthitje minusesh dhe prunë hutinë,
Dhe zëri i panjohur më tha “A doni poezinë?”.

A do poezi që pa të prekur të bën të mekur,
Që të bën të gjallë duke të bërë të vdekur?
Kur s’ka rëndësi a është pambuk a hekur,
Kur flladitje e sheh çdonjë të përpjekur!

E poezia nuk është gjithfarë zgjidhje,
Ajo është një zgjedhje, një e mirë lidhje,
Ajo të ndan nga bota për t’u lidhur me veten,
Dhe të bën shpesh të nuhatësh të vërtetën!


Arsim Jonuzi, 09.02.2011

0 komente:

Post a Comment