Peripatetizëm

Jo të ulej në vend, po vërtitej dhe fliste. Ja, ky ishte Aristoteli, të menduarit duke lëvizur i të cilit u gozhdua në kujtimet e historishkruesve. U bë i madh, sepse e dëgjonin, i rrinin sy-e-gojëhapur. Ndërsa bëheshin të tillë, meqë ua blente vëmendjen. Vëmendjen ua blente. Vëmendjen. Vëmendjen ua bleu edhe historishkruesve, me një që ishte nga elita dhe e dyta pse troç nuk bënte si ta kur merrej me aktivitet. Ai ecte. Me këtë bënte të tjerët të lakojnë kokën andej e këndej.
A bën njeriu peripatetizëm kur ecën e nuk mendon në atë kohë? Se dihet se nuk bën kur mendon e nuk ecën. Po a mundet njeriu të mos mendojë? Njeriu ndoshta po, ndërsa filozof që nuk mendon më gjeni, sepse për ilaç duhet. Ai vetvetiu dhe natyrshëm mendon, edhe pse mund të mos ketë aktivizuar “pajisjet” si kur flet. Filozofi tha se për njeriun e rëndomtë është krejt jeshil kur hyn në ndonjë gjelbërim. Po pyete botanistin! Ai do të dinte t’i kategorizojë bimët që gjenden aty. Ua di vlerën, peshën, moshën, brendësinë, jashtësinë, bukurinë, çmimin dhe gjithçka, me një fjalë. E njëjta është edhe me gjelbërimin social. Pra, i themi gjelbërim, sepse ka qenie të gjalla – njerëz. Për njeriun e rëndomtë e tëra është njerëzim dhe kaq. Si për jeshillëkun. Ndërsa ai që e njeh veten, i njeh edhe llojet e njerëzve të tjerë. Argumentimin e marrim nga psikologjia bazë. Te fëmija nuk ka përemër “unë”, ani pse çaste-çaste e dëgjojmë ta përdorë – ajo është për të treguar epërsi ndaj rivalëve të vet, jo referencë për të se ka bërë ose se ka diç. Pra, ai nuk e njeh veten, prandaj as botën nuk e njeh. Kur e zhvillon përemrin vetor për vete në vetvete, në mendje, ai nis të dallojë të tjerët. Dikur dallon pesë përemra të tjerë (gjegjësisht shtatë, se për vetën e tretë për të dy numrat dallon nga dy përemra).
Nëse bëhemi prozaikë kundrejt kësaj fjale, do të shohim se e tërë jeta është shkollë dhe e tërë shkolla është peripatetizëm. E tërë shkolla e njeriut është e barabartë me aq sa ka udhëtuar, me këmbë e me mendje. Me shpirt e me sy. Njeriu duke rrugëtuar gjen ujë dhe si rezultat i bie vlera tejemumit që pati marrë pak më parë, ashtu sikur se i bie vlera mësuesit aktual kur gjen një më të mirë, më të plotë, thoshte Fatmir Muja. Pra, Aristoteli me simbolikë ka paraqitur rrugëtimin e të mësuarit sublim të njerëzve. Sikur ua ka bërë me dije se duhet ndjekur edhe mësues të tjerë, si edhe të thënat e tij t’i verifikojnë edhe te ndonjë burim tjetër, duke e pasur në ndërdije se njerëzit njihen nga e vërteta dhe jo anasjelltas, kur flasim prototipikisht.
Vlera e të menduarit nuk matet me shabllonin a standardet fizike (të para), sepse objekti është metafizik (i paparë). Te mallrat ushqimorë etj., çmimi është transparent për të gjithë, ndërsa çmimi i të menduarit, i dijes dhe dimensioneve simotra njihet vetëm nga ata që veçmë e kanë në dorë “mallin”.
Në të vërtetë, të thurim edhe ca për përmbyllje, njeriu s’ka mundësi të mos bëjë peripatetizëm absolut. Në mos ecsh ti, të ecën koha. Në paç mundësi të zgjedhësh çfarë të mendosh, nuk ke mundësi të zgjedhësh të mos mendosh fare. Pra, kemi të dy komponentët-premisa, që mund të na shpiejnë te konkluzioni se jemi patetikë të gjithë, në fund të fundit. Ideja është të vetëdijesohemi përkrah këtij fakti. Dhe duke qenë patetikë, qoftë filozofikë-mësuesorë, qoftë pasivë-njerëzorë – të kemi nxënës pranë vetes! Të kemi dikënd që do të na ndihmojë të zhvillohemi. Sepse sipas Xhorxh Bernard Shoit (George Bernard Shaw), “ai që mundet të bëjë një gjë, e bën. Ai që nuk mundet, i mëson të tjerët.” Le të jemi tek e fundit tejemumi i njerëzve gjersa ata të gjejnë ujë për të marrë abdest dhe le të pajtohemi se vlera jonë është e njëjta për sytë tanë, por bie përpara ujit të pastër për abdest.
Arsim Jonuzi
08.07.2011

0 komente:

Post a Comment

Ajoni © 2009-2012



Lejohet kopjimi, riprodhimi a shfrytëzimi i çfarëdollojshëm i materialeve të këtij blogu, por duke bashkëshënuar emrin dhe mbiemrin e autorit të tekstit dhe/ose emrin dhe mbiemrin e përkthyesit.