Në kuptimin e plotë të fjalës, “shejtan” do të thotë
“rebel” dhe përshkruan atë që është i pacipë e që shikon të devijojë njerëzit
nga bindja ndaj Allahut, qoftë xhin ose njeri. Katade ka komentuar thënien e
Allahut “Shejtanët ndër njerëz e xhinë...”: “Ata janë shejtanë në mesin
e xhinëve dhe shejtanë në mesin e njerëzve, që frymëzojnë njëri-tjetrin.”
[Tefsiri i ibën Kethirit për versetin 112 të kaptinës së gjashtë]
Në përgjithësi, ky term ka të bëjë me Iblisin, i cili është
nga mesi i xhinëve dhe është i krijuar prej zjarrit. Edhe xhinët janë krijesa të
Zotit, u nënshtrohen urdhëresave e ndalesave sikur se njerëzit, si dhe njëjtë do
të merren në përgjegjësi për veprat e tyre në Ditën e Gjykimit.
Në fillim Iblisi së bashku me engjëjt e ka adhuruar
Allahun. Zoti i Lartësuar në Librin e Tij na ka informuar ne – fëmijëve të
Ademit – rreth armiqësisë midis Shejtanit dhe njerëzimit, që ka nisur që nga
dita kur është krijuar Ademi (alejhi selam). Kur Zoti i dha shpirtin Ademit, Ai
urdhëroi engjëjt t’i biejnë në sexhde Ademit si shenjë nderi. Edhe pse Iblisi
nuk ishte engjëll, ai përpiqej – dhe pretendonte – të imitonte sjelljet e
veprat e engjëjve, e kjo ishte arsyeja pse ai qe përfshirë në grupin e engjëjve
për t’i bërë sexhde Ademit, por Iblisi e mori veten për të madh dhe qe
arrogant.
Muhamed ibën Ishaku ka transmetuar se ibën Abasi (Allahu
qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Para se të marrë rrugën e mëkatimit,
Iblisi ishte me engjëjt dhe quhej Azazil. Ai ishte një nga banorët e tokës dhe
ishte një nga adhuruesit dhe më të diturit në mesin e engjëjve. Ky fakt e bëri
atë arrogant. Iblisi qe nga një klasëgjini e quajtur “xhin”.” [Shih Tefsiri i
ibën Kethirit për ajetin 34 të kaptinës 2] Pra, ai refuzoi Urdhrin e Allahut
dhe tha: “Unë jam më i mirë se Ademi. Mua më krijove prej zjarrit, ndërsa atë e
krijove prej baltës!” (Kuran, 7: 12). Për shkak të këtij rebelimi ndaj
Allahut, ai qe larguar nga xheneti dhe u mallkua nga Zoti. Kjo krijesë është mënjanuar
nga Mëshira e Zotit dhe ai kërkon të shpjerë njerëzimin në rrugë të humbur dhe
pastaj në zjarr të Xhehenemit, bashkë me veten. Kështu, ai është armiku më i
keq i njerëzimit.
Imam ibën Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka bërë bashkë disa
nga urtësitë prapa krijimit të Shejtanit, në librin e tij “Shifaa el-Galil”, ku
në faqe 322, ai shkruan: “Në krijimin e Iblisit dhe të tijën klasëgjini ka një
urtësi, detalet e së cilës nuk mund të gardhohen nga askush, pos nga Allahu.”
Asgjëmangut, disa nga shumë arsyet që ka përmendur ai janë dhënë më poshtë:
1)
Efekti i luftimit kundër Shejtanit dhe përkrahësve të tij shpie në përkryerje të adhurimit.
Të dërguarit dhe robërit e Allahut e përkryejnë shërbimin e tyre ndaj Allahut duke
u përpjekur kundrejt Shejtanit dhe duke iu kundërvënë përkrahësve të tij. Ata
gjithashtu përkryejnë besimin e tyre duke kërkuar strehim nga Allahu prej
Shejtanit dhe prej të këqijave të tij. Kjo shpie në arritje në pozita të larta
adhurimi, të cilat nuk do të mund të arriheshin pa ekzistimin e Shejtanit.
2) Me
ekzistimin e Shejtanit, robërit
e Allahut frikësohen për shkak të mëkateve të tyre qëkur kuptojnë se çfarë ka
ndodhur me Shejtanin si rezultat i mëkatimit. Ata mësojnë nga rënia e tij nga të
qenët ndër engjëj në shejtan – i refuzuar (merdud) – dhe me këtë shembull frika
e besimtarit rritet dhe bëhet më e madhe.
3) Mësim
për ata që duan të mësojnë. Edhe
babai i njerëzimit, edhe babai i xhinëve qenë testuar me mëkat. Së këndejmi,
Allahu bëri njërin baba – Iblisin – mësim për atë që vepron kundër Urdhrave të
Tij, që është shumë krenar për t’iu bindur Atij dhe që vazhdon me mëkate. Ndërsa
tjetrin baba, mësim për atë që pendohet dhe që i kthehet Zotit.
4)
Shejtani është sprovë dhe testim për robërit e Allahut.
5)
Manifestim i Aftësisë së plotë të Allahut për të krijuar të kundërtat. Iblisi është njëra ndër shenjat më të mëdha të Fuqisë,
Vullnetit e Autoritetit të Tij për të krijuar të kundërtat, siç janë: qiejt dhe
tokat, drita dhe errësira, Xheneti dhe Xhehenemi, uji dhe zjarri, të ftohtët
dhe të nxehtët, e mira dhe e keqja, Xhibrili e engjëjt kundrejt Iblisit dhe
shejtanëve.
6) Të
mirat e një gjëje shfaqen me anë të së kundërtës së saj. Bukuria e një gjëje mund të manifestohet vetëm nëse krahasohet
me të kundërtën e saj. Nëse nuk do të ishte e shëmtuara, nuk do ta vlerësonim
vlerën e së bukurës; nëse nuk do të ishte skamja, nuk do ta kishim vlerësuar
kamjen.
7) Vetëpërmbajtja
dhe durimi i Allahut. Allahu
do që robërve të Vet t’u manifestojë vetëpërmbajtje, durim dhe maturi, mëshirë
të pafund dhe zemërgjerësi. Kjo dikton që Ai do të duhet të krijojë të tjerë që
do t’i shoqërojnë Atij partner në adhurim dhe rrjedhimisht ta bëjnë të zemërohet
e, megjithatë, edhe përkundër kësaj, Ai ndër ta lëshon të gjitha të mirat. Ai
siqodoftë lëshon furnizim, u jep shëndet të mirë dhe u mundëson të shijojnë
gjithfarë luksesh, u përgjigjet lutjeve të tyre dhe ua largon të këqijat. I
trajton me butësi dhe kujdes, që është ndryshe nga trajtimi që kanë ata ndaj
Tij, duke mos besuar në Të, duke i shoqëruar partner në adhurim dhe duke bërë
blasfemi ndaj Tij. Në një hadith që është sahih thuhet “Nëse nuk do të gabonit, Allahu do t’ju shuante dhe do të binte njerëz
që do të gabonin dhe pastaj do të kërkonin faljen e Tij, kështu që do t’i
falte.” Një transmetim që është hasen thotë: “O bir i Ademit, ti nuk ke qenë i drejtë me Mua. E mira Ime të bie, ndërsa
prej teje Më vijnë vepra të liga. Unë provoj të përfitoj dashurinë tënde duke të
dërguar një bekim, në kohën kur Unë fare s’kam nevojë për ty, dhe si ti provon
të përfitosh urrejtjen Time duke shfaqur mosbindje ndaj Meje, në kohën kur ti
ke nevojë për Mua?!”
8) Gjërat
që Allahu i do e që ndodhin për shkak të ekzistimit të Shejtanit. Shpesh gjëra që ndodhin që Allahu i do, ndodhin për shkak
se ekziston kjo farë krijese, të cilën Allahu e urren dhe me të cilën është i
zemëruar. Pavarësisht se çfarë ligësish e mëkatesh kanë ngjarë për shkak të
ekzistimit të armikut të Allahut, veprimet e dëgjueshmërisë që bëhen si
rezultat i qenësimit të tij dhe përkrahësve të tij janë më të dashura dhe më të
kënaqshme për Allahun, siç janë shkuarja kundër epsheve a tekave, dalja mbanë në
raste vështirësish e mundimesh për të fituar dashurinë dhe kënaqësinë e Tij. Gjëja
që më së shumti një i dashur e do është të shohë të dashurin e vet të përmbahet
përgjatë vështirësish e mundimesh, me atë që ai me këtë veprim të dëshmojë
dashurinë që ka për të. Përderisa mëkatet dhe mosbindja që shkaktohen nga
Shejtani, zemërojnë Allahun, Allahu megjithëkëtë është shumë më i kënaqur kur
robi i Vet pendohet sesa që kënaqet e gëzohet një njeri që humbet devenë e tij,
e cila i mbart ushqim e pije, dhe pastaj e gjen atë në një shkretëtirë të
izoluar e të rrezikshme. Si argument për këtë na shërben hadithi vijues: “Më shumë Allahu kënaqet me pendimin e një
robi kur i kthehet Zotit me pendim sesa një nga mesi i njerëzve, që është mbi
deve në një shkretëtirë pa ujë përreth dhe në të (në deve) ka ushqim e pije,
kur papritmas i humbet ajo (deveja). Duke e pasur humbur shpresën (për të
rigjetur devenë), shtrihet diku nën hije dhe dëshpërohet për devenë e tij dhe,
mandej, sheh devenë duke qëndruar përballë tij. Njeriu pastaj kap devenë për
kërpeshi dhe nga gëzimi i pafund thotë: “O Zot! Ti je robi im, kurse unë jam
zoti yt. Ai bën këtë mëkat nga gëzimi i skajshëm.” [Sahihu i Muslimit
(6618)]
Përktheu nga anglishtja: Arsim Jonuzi, 24.08.2011
0 komente:
Post a Comment