Me gjasë me synimin për të përforcuar porosinë, përkthyesi
prototipik i shehadetit ka gabuar me shtim në përmbajtjen e shehadetit në gjuhën
shqipe. Ky shtim ishte problematika udhëheqëse ndër të mundshmet që mund të
hasim kur përkthejmë përmbajtjen e shehadetit në gjuhën tonë.
Me jo kush e di çfarë njohurish rreth gjuhës arabe, një
gjuhëtar i rëndomtë mund të bëjë përkthim filologjikisht të drejtë dhe gjuhësisht
normativ të shehadetit. Me gjasë këtë procedurë kanë ndjekur, fjala vjen,
anglezët kur kanë bërë përkthimin e shehadetit në gjuhën e vet. Te ta qëndron
“No god but Allah”, strukturë e cila matematiko-gjuhësisht është komplet e njëjtë
me strukturën homologe, përndryshe origjinali, arabisht – “La ilahe ila llah”.
Elementi që është i tepërt në përmbajtjen e shehadetit
shqip është përemri i pacaktuar “tjetër”. Në parim, ai shkon në bashkëvajtje
vetëm me përemrat, të themi, “ndonjë”, “dikë”, “gjëkafshë” etj. Arsye tjetër është
se pas përemrit “tjetër” nuk guxon të figurojë presja, parimisht. Së këndejmi,
te struktura “Nuk-ka-zot-tjetër-përveç-Alahut” të mos vëmë presje nuk bën,
sepse kemi të bëjmë me periudhë, ndërsa vënia presje pengohet nga prania e përemrit
“tjetër”, siç thamë më lart. Si rrjedhojë, enigma zgjidhet me të hequr përemrin,
gjë që presja shpengohet për të funksionuar.
Nëse do t’u thoshit “pse” tezave të paraqitura, për çështjen
e përemrit folëm më sipër, se si është natyra e shqipes në njërën anë, dhe në
anën tjetër aksidentalisht kemi mbështetje nga struktura origjinale në gjuhën
arabe, në të cilën s’ka prani të përemrit “tjetër”, do të ishte përgjigjja që
do t’ju jepja. Edhe në gjuhën angleze gjithashtu. Meqë ra fjala, mund të vëreni
se në strukturën anglisht nuk ka presje brenda periudhës, ndërsa për shqip ne
themi se duhet pasur. Kjo nuk do të duhej të shkaktonte ndonjë habi. Një gjuhëtar
që di më shumë se një gjuhë me siguri se është përballur ose do të përballet me
faktin se jo të gjitha gjuhët kanë norma të njëjta të drejtshkrimit. Teksa për
lidhëzën kundërshtuese “but” gramatika e anglishtes thotë se paraprihet nga
presje, përveç se kur përdoret në funksionin e lidhëzës “përveç”, faktikisht
“me përjashtim të”, gramatika e gjuhës shqipe thotë se lidhëza në fjalë
gjithmonë paraprihet nga presje.
Një tezë që i jep edhe më shumë elegancë
Një studiues gjuhe, Mirsim Maliqi, parashkruan miratimin e
tezës se fjala “ilah” nuk duhet të përkthehet “zot”, po “i adhuruar”, madje “i
adhuruar me meritë”, që paraqet sinonim përafrues me fjalën “hyjni”.
Në njërën anë, shikuar leksikologjikisht, priremi të themi
se alternativa e parë është më teknike, gjegjësisht shpjegim i fjalës së dytë
(hyjni apo zot, të themi), kurse realiteti i shumësisë së feve na bën të
parazgjedhim opcionin “i adhuruar (me meritë)” për “ilah”, sepse kështu do të përfshinim
të gjitha fetë e besimet në një bashkësi, më pastaj për të shpërligjur meritën
për adhurimin që i drejtohet çdo hyjnie, gjegjësisht çdo të adhuruari, përveç
Allahut. Dhe thënë me një fjalë, unikaliteti i Islamit është se parashkruan se
të gjitha hyjnitë e tjera i vë në kategorinë e të adhuruarve, qoftë aspektin
hyjnor të ashtuquajtur të Jezusit e deri te zjarri si hyjni e adhuruesve të
zjarrit, përndryshe i adhuruari i pjesëtarëve të atij besimi shikuar
neutralisht, dhe pastaj si kështu, pra si bashkësi, i konsideron që nuk
meritojnë t’u drejtohet adhurimi. Kjo që thamë mund të konsiderohet shpjegim
doktrinor i shehadetit.
Përfundim
Ky shënim është bërë: 1) Duke e ndeshur shpeshherë shehadetin
të përkthyer jo drejt gramatikisht, me vërejtje morfologjike-drejtshkrimore, që
teorikisht shprish doktrinën e dëshmisë së Islamit, e cila thamë se së pari shpërfill
çdo të adhuruar, pastaj përfill vetëm një – Allahun e pafillim dhe të pambarim.
Se nëse do të thoshim, e potencojmë edhe një herë, se “s’ka zot tjetër përveç
Allahut”, nuk shpërfillim çdo të adhuruar, madje nuk e dimë sa janë shpërfillur deri kur arrijmë te “Allahu”. E sado
që do të kishin qenë, thënë kushtimisht, ata të adhuruar që nuk i kemi shpërfillur
– edhe një po të ishte më tepër –
dalim jashtë shpjegimit autentik të doktrinës dhe të kuptimit të drejtë të saj;
dhe 2) ndonëse është e njëjta shtysë, por shikuar nga një kënd tjetër, është se
në Islam, shikuar si thotë parimi, “Çdo
ibadet (adhurim) është i ndaluar, përveç atyre që janë përligjur dhe urdhëruar
nga Allahu dhe i dërguari i Tij, dhe çdo adet (veprim apo zakon) është i
lejuar, përveç atyre që janë shpërligjur dhe ndaluar nga Allahu dhe i dërguari
i Tij!”. Parimin e paraqitëm të pacunguar edhe për nevoja të tjera, por ajo
që përket me temën e diskutimit është pjesa e parë e tij.
Arsim Jonuzi, 24.09.2011
Autori është student në Fakultetin
Filologjik në Shkup
0 komente:
Post a Comment