Prozaizëm dhe poetizmi i fjalëve


 “Mos ia thuaj të vërtetën të paditurit, se do të të quajë gënjeshtar!” – Fatmir Muja

Ilustrim

Dikur shtëpitë ishin njëkatëshe, kështu që gjithsekush që kapërcente përskaj një të tille mund të shihte qartas kush apo çka kishte brenda, aq më tepër nëse dritaret me ose pa dashje do t’i kishin lënë të hapura. E rrokaqiejt e sotëm, le që janë përtej arritjes së çfarëdo shikimi të synuar dhelparak të njerëzve, për ata të rëndomtët që s’kanë marrë pjesë në ndërtimin e tyre, por janë sfidues edhe për vetë ndërtuesit përkatës, të cilët po deshën të dinë se çfarë ka, të themi, në katin e dhjetë apo më sipër të një ndërteseje të caktuar, duhet të ngjiten mu atje lart dhe tek atëherë mund t’u bëhet e ditur ajo që kanë dashur ta dinë...

Margjinat e diskutimit

Kjo situatë ka lidhje me prozaizmin dhe poetizmin e fjalëve. Pikësëpari të definojmë ç’nënkuptojmë me prozaizmin. Prozaizmi, zhveshur nga afiksimi (ndajshtesimi) dhe duke pasur parasysh etimologjinë e fjalës, kryekëput do të thotë të përdorësh një fjalë me kuptimin e saj të parë. Pra, nocioni ka të bëjë me pangjyrshmëri përdorimi të fjalëve. Prozaizmi gjen shprehjen në masë të madhe në të shkruarit zyrtar apo në raste kur autori (eventualisht përkthyesi i tekstit) nuk do të lërë hapësirë për keqkuptim të asaj që thuhet a shkruhet.
Ndërsa poetizmi i fjalëve, respektivisht përdorimi i një fjale poetikisht dihet nga të gjithë se çfarë do të thotë. Me një fjalë, për t’u quajtur se është vepruar poetikisht me rastin e përdorimit të një fjale, ajo duhet të përdoret me kuptimin e saj të dytë, të tretë e kështu vargu përfundon sa të ketë kuptime fjala e caktuar. Unike janë rastet ku fjala ka vetëm një kuptim. Me to nuk mund të veprojmë poetikisht.

Shtjellimi

Me të pasur sqaruar nocionet, mund të hapërojmë më tej me temën e diskutimit. Pandeh se keni dëgjuar t’ju thuhet të mos përdorni, për shembull, fjalën “adhuroj” kur nuk i referoheni Zotit, po dikujt tjetër. Për ilustrim, ju keni thënë “Unë adhuroj Sami Jusufin”. Ose me fjalën (foljen) “krijoj”. Vihen gjithfarë foljesh dhe iket si nga zjarri, vetëm e vetëm të mos përdoret folja “krijoj”, në rast përkatës emri prejfoljor “krijim”.
Pse ndodh kështu, do të pyesni? Ka ndoshta disa arsye, por një përgjigje ka: nuk shikohet në fjalor fjala, për t’ia parë të gjitha kuptimet e mundshme dhe njëherazi edhe renditjen e kuptimeve. Shikojeni, bie fjala, foljen “adhuroj” në fjalor dhe do të shihni se nëse them “Unë adhuroj Allahun”, atëherë unë foljen këtu e kam përdorur me kuptimin e saj të dytë, pra kam vepruar poetikisht me foljen. Kuptimi i saj i parë, sipas Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, është të dashurosh dikë [një qenie njerëzore] në mënyrë të zjarrtë, ndërkaq i dyti do të thotë “t’i përulesh një hyjnie me fuqi të mbinatyrshme”.

Një kundërargument

Një mysliman me njohuri të mirëfillta për gjuhën do të thoshte se këto që janë paraqitur janë të vërteta (verifikohen thjesht nëse keni fjalor para vetes), mirëpo ka edhe diçka të thuhet këtu. Do të thuhej se ne jemi myslimanë dhe se bindjet tona nuk janë në përputhje me rrethanat kur janë hartuar fjalorët, qoftë për aspektin kuptimor, qoftë për aspektin e renditjes së fjalëve. Kjo do të arsyetohej më shumë në rastin me foljen “krijoj”, ku asgjëkundi nuk thuhet se është veprimi kur Zoti qet diç në ekzistencë; kur Zoti bën që diç të jetojë, të qenësojë, të ekzistojë etj. Asgjëmangut, e vërteta është se ne nuk mundemi të imponojmë bindjet tona fetare dhe si rrjedhojë edhe kuptime shtesë të ca termave që dalin nga Islami te pjesëtarët e feve të tjera, aq më pak te jofetarët. Nuk mundemi. Së këndejmi, më e udhës do të ishte sikur përpjekjet tona të drejtoheshin kah gjetja e togfjalëshave më të pranueshëm logjikisht dhe semantikisht për një vistër sosh. Gjithandej mund të dëgjohen fjali si “e fala namazin”. Po shikuam të njëmbëdhjetë kuptimet e kësaj foljeje, te asnjëra nuk qëndron ai kuptim që një musliman e ka për synim kur e thotë këtë fjali. Më e pranuar do të ishte të thuhej “kryej namazin”. Madje, fjala “namaz” figuron në fjalor, po sidoqoftë është fjalë me prejardhje të huaj. Ajo që do të ishte më ideale, më shpirtërore – më përtej vetëm formale – do të ishte fraza “i përulem Allahut (në cilëndo prej kohëve të obliguara ose të tjera)”.
Mjafton që ne kur themi “Zoti krijoi botën”, “Zoti krijoi gjithësinë”, “Zoti krijoi njeriun nga asgjëja” etj., të kemi parasysh se çfarë do të thotë kjo sipas shpjegimit të Islamit dhe me kaq ta lëmë, kurse shkencërisht e palejuar dhe leksikografikisht gabim do të ishte t’i shlyejmë me dhunë të gjitha kuptimet e tjera të kësaj foljeje, meqë kemi diskutimin te ajo. Apo me foljen “adhuroj”. Pa shkaktuar vetvetiu mjegullim në mendje, një besimtar mysliman mund të thotë se adhuron Allahun dhe nga vetë sintagma nënkuptohet se thënësi ka vepruar poetikisht me foljen – gjithnjë përsërisim – sepse e ka përdorur me kuptimin e saj të dytë, dhe po kështu pa mjegullim dhe pa u tërbuar mund të thotë se adhuron një person apo gjësend të caktuar, e kështu do të nënkuptohet se thënësi ka vepruar prozaikisht me foljen – pra e ka përdorur atë me kuptimin e saj të parë – e përsërisim rishtazi përkatësisht.

Si përfundim

Gjithsesi se nuk i vë dot pikë çështjes, kështu vetëm me një opinion, sepse nuk është shkencore të mëtohet kështu, po as fetare në fund të fundit – jo rastësisht të diturit flasin e flasin, japin një gjykim dhe në fund thonë “Më së miri Allahu e di të vërtetën për këtë çështje!”. E për të mos e lënë fare pa pikësim, çështja do vënë presje, nga ndokush me ndonjë argument që është i rregullt logjikisht (përmes premisash ekzistuese) dhe që, për t’u normëzuar ajo alternativë tjetër, të ketë mbulesë e mbrotje të natyrshme nga parimet e njohura semantike-leksikore. Në të kundërt, ideja do hyrje të dalëngadalshme në përdorim të përditshëm ndër myslimanë në gjuhën e folur, ndërsa, konform mundësisë, sa më të shpejtë në gjuhën e shkruar.
Një gjykim i rregullt për një çështje, qoftë edhe nëse është gabim, është më frytdhënës dhe më i kapshëm sesa një gjykim që bëhet me parregullsi gjatë argumentimit ose shtjellimit, sepse gjykimi i rregullt mund të modifikohet lehtë, duke qenë se ka platformë; ndërkaq gjykimi i parregullt, edhe në qoftë se është i vërtetë, është zor të hyjë në logjikën e njeriut, fill për shkak të vështirësisë për t’u kuptuar e rrjedhimisht edhe për t’u zbatuar.


Arsim Jonuzi, 24.11.2011
Autori është student në Fakultetin Filologjik në Shkup

0 komente:

Post a Comment