Ji i/e sinqertë. A ke rënë në grackë? A je i/e lumtur me mënyrën
se si dukesh? Nëse do të kishe pasur mundësinë, a nuk do të kishe ndryshuar
ndonjë pjesë tënden? Ndoshta do të doje të ishe më i/e gjatë a më i/e hollë apo
ndoshta do të doje të kishe një ngjyrë tjetër flokësh. Ndoshta do të doje të
kishe sy të kaltër apo ngjyrë tjetër të lëkurës.
Në këtë botë ku miliona njerëz vdesin nga uria e sëmundje çdo
ditë, është fakt se miliarda e miliarda dollarë shpenzohen çdo ditë për
kirurgji kozmetike. Televizori, interneti e gazetat janë plot e përplot me
reklama në lidhje me atë se si duhet të dukemi. Për ca mijëra dollarë, operacionet
plastike ndryshojnë formën e hundës sate, reduktojnë shfaqjen e rrudhave përreth
syve apo bëjnë që ai bark i trashë përgjithmonë të zhduket.
Shumë programe televizive kujdesen për dëshirën publike për
të ditur më tepër rreth humbjes së peshës ose rreth mënyrës së veshjes që më së
miri fsheh karakteristikat trupore më pak lajkatuese (që janë më pak tërheqëse
për syrin). Ndoshta shumë prej nesh nuk shkojnë aq larg sa për të bërë
operacion plastik, por me sa duket për arsye se nuk jemi në gjendje
(financiare) për ta përballuar e jo për shkak se nuk duam. Ne harxhojmë shumë
kohë e energji duke u përpjekur të humbim peshë ose për të ndërtuar muskujt,
ashtu që t’i përshtatemi stereotipit që na e paraqesin revistat.
Udhëzim
Le të jemi të sinqertë! Të gjithë kemi rënë në grackën e
reklamës, që na bën të besojmë se ka mënyrë të përkryer se si të dukemi. Të
gjithë njerëzit, qofshin të rinj apo të moshuar, duan të duken si është më së
miri. E pse të mos donin? Nuk është gjë e gabuar të dëshirosh të dukesh mirë.
Problemi del në pah kur ajo (dëshira për t’u dukur mirë, pra) del jashtë
kontrollit dhe trysnia e njerëzve bëhet aq e madhe saqë njerëzit më jo vetëm që nuk
ndihen të lumtur me atë se si duken, por as me atë se kush janë.
Në veçanti të rinjtë detyrohen përmes reklamave që t’i përshtaten
një modeli të caktuar. Atyre u thuhet se duhet të blejnë xhinset e tipit më të
ri ose një palë atlete të sapodala në treg. U thuhet se këto tuta (lloj
veshjeje për gjatë stërvitjesh – veshje sportive) apo ky stil flokësh ata do
t’i bëjë të ndihen shkëlqyeshëm (“cool”). Me të veshur tutat nuk ndryshon vetëm
dukja. Bërësit e fushatave reklamauese janë aq të mençur saqë na bindin se jo
vetëm që do të dukemi shkëlqyeshëm, por edhe se do të jemi të shkëlqyeshëm. Na
thonë se edhe personaliteti i secilit prej nesh do të ndryshonte, nëse do të
veshnim rroba brendesh të caktuara.
Këto janë gjepura dhe gënjeshtra. Mos harroni se kompanive
reklamuese nuk u intereson aspak se si dukemi ose se a jemi të shkëlqyeshëm apo
jo. E vetmja gjë që duan të arrijnë është të shesin prodhimet e tyre dhe se
s’ka kush që i ndal për të na bërë shtypje që t’ua blejmë ato prodhime.
Duhet shumë kurajë për t’i bërë ballë gjithë kësaj
nxitjeje. Në fund të fundit, e tëra bie në atë se si ne ndihemi. Nëse kemi vetëbesim
e jemi të kënaqur, fushatat reklamuese nuk do të lënë mbresë te ne. Ndërkaq nëse
jemi të cenueshëm e ndiejmë nevojë për rehatim, atyre do t’u bëhemi pre.
Në kaptinën e fundit të Kuranit lexojmë përshkrimin e
veprimeve të shejtanit. Ai “pëshpërit në zemrat e njerëzve”, duke u thënë se
nuk karakterizohen me cilësi të larta. Kjo kaptinë na paralajmëron që të kemi
kujdes ndaj “ligësisë së pëshpëritësit/cytësit, që fshihet (pasi të cytë).”
Allahu i plotfuqishëm na ka krijuar ashtu siç ka dëshiruar
të jemi. A mendon se ka bërë gabim kur të ka bërë ty ose mua? A mendon se Ai që
krijoi qiejt dhe tokën dhe gjithçka që ka në mes tyre, bëri gabim kur ke lindur
ti? Natyrisht se jo. Ai na thotë: “E kemi krijuar njeriun në formën më të
bukur.” Në më të bukurën formë.
Sportet e mëdha ose prodhuesit e kozmetikave të ndryshme
ndoshta duan të na tregojnë ndryshe, sepse në atë mënyrë ata do të shesin
produktet e tyre. Megjithatë nuk ka gjë të keqe të nisim ne pikësëpari ashtu si
dukemi. Dhe, meqë ra fjala, dukjet ndryshojnë. Ajo që është dukje e
popullarizuar në një gjeneratë, mund të mos jetë aspak e popullarizuar në ndonjë
gjeneratë tjetër. Në disa shoqëri, të jesh i/e hollë është shenjë se nuk je i/e
ushqyer si duhet e jo (shenjë) se je tërheqës/e! Disa shoqëri të tjera
favorizojnë lëkurën e zbehtë më shumë se lëkurën e rrezitur. Ndaj, mos u
mashtro! Ajo që duan reklamuesit është që ti të shpenzosh të holla. Kjo është e
tëra.
Mendo për këtë!
Mendo për një moment rreth miliona njerëzve në botë, për të
cilët nuk kanë vend emrat e brendeve e kozmetikave. Për shembull, të verbrit
nuk i intereson se a i ka sytë e kaltër apo të kaftë, kur ai s’mundet të shohë.
Çfarë dobie do të kenë një palë nga atletet të stilit më të ri për një djalosh
që nuk mundet të ecën? Një vajzë, së cilës i kanë rënë flokët si rezultat i
trajtimit të kancerit, do të lëngonte për çfarëdolloj flokësh. Tani a e ke
parasysh se sa me fat je? Megjithëkëtë, ka të atillë që na bëjnë të dyshojmë për
dhuntitë që na janë dhënë, vetëm për shkakun se duan të përfitojnë prej nesh.
Të jesh i kënaqur ashtu si je s’ka të bëjë aspak me mënyrën
se si vishemi ose ngjyrën e syve tanë. Vetëm shikojini fytyrat e lumtura dhe me
buzëqeshje të miliona njerëzish që në kuptimin e plotë të fjalës s’kanë asgjë.
Megjithatë, për ta, vetë jeta është dhunti. Ndaj vetëm disa momente në ditë për
të menduar rreth të gjitha të mirave që i ke në jetën tënde. Hëngre kafjall sot? Mendo për ata që s’kanë ngrënë!
Diskutuam rreth ajeteve të fundit të Kuranit. Gjithashtu
edhe në fillim të Kuranit mund të lexojmë: “E kur u thamë engjëjve: përuljuni (bjerini
në sexhde) Ademit, ata menjëherë iu përulën, me përjashtim të iblisit
(djallit). Ai refuzoi, u mbajt në të madh dhe u bë jobesimtar.” (Kuran,
2: 34). Allahu i Plotfuqishëm nuk i urdhëroi engjëjt t’i përulen dikujt që do të
ishte më poshtë se ta. Ai krijoi njerëzit si kulminacion i Krijimit të Tij. Nuk
ka gjë më të mirë në Krijimin e Tij se njerëzit.
Vullneti i Allahut
Tani zbatoji këto ajete në vete. Ka gjasa që shejtani të
jetë duke të pëshpëritur se nuk je aq “cilësor” dhe se asnjëherë nuk do të jesh
i tillë. Ai madje ka gjasa edhe të përdorojë kompanitë reklamuese për të
forcuar porosinë e tij dhe të të bëjë të besosh se duhet t’i përshtatesh një
dukjeje të caktuar, ashtu që të jesh i pranueshëm. Si muslimanë, ne besojmë në
diç tjetër. Ne besojmë se Allahu na ka krijuar duke na vënë në kulminacion të
krijesave të Tij.
Të besosh në diç tjetër do të thotë të biesh në grackën e
atyre që duan të përfitojnë nga ti. Qoftë nëse kemi atletet më të mira në botë,
ose nuk kemi atlete fare, ne e dimë të vërtetën kur biejmë me kokë në tokë. Kur
ballin e kemi në tokë, nuk mund t’u ikim fakteve. Na ka krijuar Allahu. Është
Allahu, Vullneti i të Cilit bën që të jemi duke qenësuar çdo moment të çdo
dite. Është Allahu Ai që bën që dielli të shfaqet mëngjesin e ardhshëm dhe edhe
një herë të na e kthejë shpirtin.
Herën e ardhshme kur do të lutesh, ndaj një moment për të
falënderuar Allahun për tërë këtë që ke, që të ka bëtë ky person që je. Ai nuk
ka bërë asnjë gabim. Sfida jonë është të jetojmë kështu si jemi. Mund të
fillojmë me shikim në pasqyrë dhe me të bërë me sy personit që shohim. Nëse
jemi të mirë për Allahun, do të jemi të mirë edhe për këdo tjetër!
Autor: Idris Teufik (Idris Tawfiq)
Idris Teufik është shkrimtar musliman britanez, që jeton dhe vepron në
Egjipt. Ai ka kaluar shumë vjet duke punuar me të rinj. Ai ishte drejtues i
edukimit fetar në shumë shkolla në Mbretërinë e Bashkuar dhe, ndoshta që është
për ta theksuar, para se të përqafonte Islamin, ai ishte prift katolik. Faqja e
tij e internetit është: www.idristawfiq.com.
Përktheu nga anglishtja: Arsim Jonuzi, 08.11.2011
0 komente:
Post a Comment