Domethënie të pafjalshme


Nëse poezia është gjurmë,
Ndjenja çfarë është, vallë?
Si mundet plumbi të bëjë zhurmë,
Kur baruti duket si zall?

Në qoftë e keqe bërtitja ime,
Ajo është rezultat nga hidhërimi.
A nuk janë heshtimet reagime,
Kur duam të japim farë shenje pëlqimi?

Nëse shikimi nuk është te pika,
Njerëzit nuk të duan, po s’duan të tregojnë.
A nuk ke parë se disa kur thonë “ika”,
Shkurt dhe rrallëherë në sy të shikojnë?

Nëse zemra është e lirë, e pazënë,
Që s’ka prekur këmbë aty kurrnjëherë,
Nuk hyhet pa gjurmë të mira për të lënë,
Se nga mallkimet e thëna s’të gjendet derë!

Nëse dikë në jetë papritmas më nuk e kemi,
Dhe që pjesë të jetës e kujtojmë,
Poeti me lot na tha se në gabim ne jemi,
Se s’mund të humbim diç që nuk e posedojmë!*

Nëse dëgjoni dikë të thotë se “shpirt kemi”,
Në mendjen tuaj bjerini shuplakë lehtësisht!
Heshturazi korrigjojeni, se “shpirti NE jemi”,
Dhe kemi një trup, që do ta mbajmë përkohësisht!**
  

Arsim Jonuzi, 05.01.2012


* “Asnjeri nuk humbet askënd, sepse askush askënd nuk e posedon. Ky është përjetimi i vërtetë i lirisë – të kesh gjënë më të rëndësishme në jetë duke mos e poseduar!” ~ Paullo Koello
  
** Kjo është sa për të thënë se teoria e mësipërme aksidentalisht vlen edhe këtu!

0 komente:

Post a Comment